
Pritet që deri të mërkurën të dalë lista finale e fituesve.
Në selinë e Partisë Socialiste ka nisur puna për numërimin e votave të delegatëve të Kongresit për Asamblenë e re. Menjëherë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, grupet e punës kanë nisur menjëherë në sallën e mbledhjeve të Kryesisë hapjen e kutive. Nisja e punës është bërë publike edhe për mediat në mesditë, që kanë vëzhguar nga afër leximin dhe numërimin e votave.
Kongresi vendosi tri grupe pune me nga shtatë anëtarë secili, për të dhënë mundësinë që numërimi të mbarojë sa më shpejt. Nga ritmi me të cilin po ecën numërimi i votave, pritet që lista e fituesve për në Asamblenë e re të dalë deri ditën e mërkurë. Të dielën, të nesërmen e Kongresit, komisionet e numërimit të votave nuk punuan për shkak të festës së Kurban Bajramit.
Lista
Kongresi i 5 nëntorit kishte si pikë kryesore zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë së re Kombëtare. Për këtë, pas përfundimit të punimeve të Kongresit, nisi votimi me votë të fshehtë me kuti për 121 anëtarët e rinj të Asamblesë, të cilët janë më të shumtë se në Asamblenë e kaluar. Nga lista prej 127 kandidatësh meshkuj, do të zgjidhen 80 kandidatë, ndërsa nga lista e 59 kandidateve femra, do të dalin 40 anëtare të reja për në Asamble. Pas ndryshimeve që i janë bërë statutit të PS-së, numri i anëtarëve të Asamblesë Kombëtare rritet në rreth 250, duke shtuar kështu edhe ata anëtarë që hyjnë automatikisht, deputetët, ish-kryeministra, ish-kryetarë kuvendi, ish-presidentë, por dhe drejtues të bashkive të mëdha qendër qarku dhe kryetarë të rretheve. Në listën e kandidateve femra, potenciale për t’u zgjedhur, bie në sy emri i pedagoges së gazetarisë, Iris Luarasi, por dhe i punonjëses së Bashkisë së Tiranës, e larguar nga puna Anila Çobani, një personazh i njohur mediatik pas një incidenti me eprorët e saj. Gjithashtu risi përbën prurja nga shoqëria civile. Ish-diplomati Dritan Hila, por dhe ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, janë emrat surprizë që Edi Rama ka sjellë në Asamblenë e re, potencialë për të marrë maksimumin e votave nga delegatët e Kongresit.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











