
Skema e re për të deleguarit e Kryesisë së PS në qarqe. Nano në Tiranë, Blushi në Elbasan, Malaj në Kukës e Braçe në Korçë
Nano në Tiranë, Blushi në Elbasan, Malaj në Kukës, Majko në Dibër, Dokle në Berat dhe Braçe në Korçë
Kryesia socialiste ka përmbysur të gjithë skemën e shpërndarjes së anëtarëve të saj në qarqe. Një orë para se të mblidhej Asambleja Kombëtare, kreu socialist, Edi Rama, mblodhi në selinë rozë Kryesinë për të komunikuar vendimin e marrë prej tij pas konsultave disaditore me secilin prej anëtarëve. Krerët e qarqeve kanë ndryshuar krejtësisht, përveç Lezhës, ku e deleguara e Kryesisë socialiste mbetet Lindita Nikolli. Në Tiranë, Rama ka deleguar Arta Daden, e cila ka mbuluar më parë detyrat e saj si anëtare e Kryesisë në qarkun e Gjirokastrës. Në Tiranë do të jenë të deleguar të Kryesisë edhe Sajmir Tahiri dhe Ndre Legisi, i cili është dhe sekretari për Koalicionet. Ben Blushi, nga Korça ka kaluar në Elbasan, bashkë me sekretarin zgjedhor, Damian Gjiknurin, ndërsa në Korçë ka shkuar Erjon Braçe, i cili ka lënë qarkun e Beratit që e ka mbuluar historikisht. Bashkë me të është edhe Ilir Beqja, i cili në zgjedhjet e fundit ishte kreu i qarkut të Shkodrës. Ajo që bie në sy është transferimi në zona të skajshme i Arben Malajt, që ka lënë Vlorën dhe do të mbulojë qarkun e Kukësit bashkë me Besnik Baren, i cili largohet nga Tirana dhe Pandeli Majko, që ka lënë Korçën dhe do të mbulojë qarkun e Dibrës, nëse nuk do të marrë detyrën e ndihmësit të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Valentina Leskaj nga Elbasani është transferuar në Vlorë, ku do të jetë e deleguar bashkë me sekretarin e Koordinimit, Fatmir Xhafaj. Namik Dokle nga Elbasani dhe Tirana, që ka qenë tradicionalisht, ka shkuar në Berat, ndërsa Mimi Kodheli, nga Korça ka shkuar në qarkun e Shkodrës bashkë me Ditmir Bushatin. Arben Isaraj lë qarkun e Vlorës dhe shkon në qarkun e Gjirokastrës, së bashku me Areben Ahmetajn, i cili lë qarkun e Korçës. Eglantina Gjermeni është deleguar në qarkun e Durrësit bashkë me kryetarin e Bashkisë së këtij qytetit, Vangjush Dako, i cili është dhe anëtar Kryesie.
Debatet
Në mbledhjen e Kryesisë nuk ka pasur debate, për shkak se për ndërrimin e të deleguarve në qarqe Rama ishte konsultuar dy ditët e fundit me të gjithë anëtarët. Erjon Braçe ka munguar në mbledhjen e djeshme të Kryesisë, duke shprehur dhe një lloj pakënaqësie të heshtur për lëvizjen e tij nga Berati, por ishte i pranishëm në mbledhjen e Asamblesë. Asambleja caktoi në të gjitha qarqet deputetët dhe anëtarët e Asamblesë për të punuar pranë strukturave. Duke lexuar me radhë emrat e anëtarëve të Asamblesë që u caktuan në Tiranë, Blendi Klosi citoi dhe emrin e Fatos Nanos, mes atij të Ramës, Meidanit, Pëllumbit, Dritë-roit etj. Në fund të listës, Rama u shpreh me humor se “do të gjente dhe ai një organizatë socialiste për ta marrë në patronazh”. Në këtë mbledhje, kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, ka kundërshtuar të deleguarit e Asamblesë Kombëtare që ishin dërguar në këtë qark. “Keni sjellë pesë anëtarë të Asamblesë, të cilët janë zgjedhur në Tiranë dhe jo në Vlorë, po i sillni si me katapultë. Nuk shoh transparencë dhe një diskutim paraprak për këtë listë. Nuk e kuptoj se çfarë ndikimi do të kenë në bazën e PS-së nëse vijnë me katapultë? Ndërsa anëtari socialist, Ndriçim Hysa, ish-deputet i qarkut të Elbasanit, ka shprehur pakënaqësi ndaj delegimit të tij në qarkun e Tiranës. “Nuk e kuptoj përse më keni hequr nga Elbasani. Unë qenkam delja e zezë këtu, kur në Elbasan dhe Belsh kam marrë 5 mandate, por dhe gjithnjë fitues edhe në zgjedhjet vendore. S’mund të ndërpriten në këtë mënyrë investimet e mia politike në zonën time! Por i menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i Ramës, duke thënë se kjo nuk bëhet për emra të veçantë, por për të rritur eficiencën e punë së të zgjedhurve të PS-së në të gjithë vendin. Nuk ka më zona ime, zona jote. Kjo është një punë që ngarkohet për t’u kryer, kush nuk e bën dot, derën e ka të hapur”. Në këtë mënyrë, Rama u ka dhënë përgjigje të dy shqetësimeve të ngritura për ndarjen e anëtarëve të Asamblesë në qarqe.
Skema e re
Të deleguarit e Asamblesë
. Tiranë, Rama, Nano, Meidani, PëllumbiTë deleguarit e kryesisë në qarqe
. Tiranë, Arta Dade, Sajmir Tahiri, Ndre Legisi. Elbasan, Ben Blushi e Damian Gjiknuri
. Korçë, Erjon Braçe e Ilir Beqja
. Fier, Armando Subashi e Bashkim Fino
. Durrës, Eglantina Gjermeni e Vangjush Dako
. Vlorë, Valentina Leskaj e Fatmir Xhafaj
. Gjirokastër, Arben Ahmetaj e Arben Isaraj
. Shkodër, Ditmir Bushati e Mimi Kodheli
. Berat, Namik Dokle
. Dibër, Pandeli Majko e Shkëlqim Cani
. Kukës, Arben Malaj e Besnik Bare
. Lezhë, Lindita Nikolla
Zgjedhja: Balla e Xhuvani në Kryesinë e Asamblesë
Asambleja Kombëtare Socialiste zgjodhi dje dhe Kryesinë e saj. Me votim të hapur u miratuan propozimet e bëra nga kryetari i saj, Gramoz Ruçi. Do të ketë dy nënkryetarë të Asamblesë Kombëtare, Mimoza Hafizi dhe Luiza Xhuvani, ndërsa sekretar i Asamblesë është zgje-dhur deputeti Taulant Balla. Nga mbledhja e ardhshme, Kryesia e Asamblesë Kombëtare do të përbëjë dhe Presidiumin e saj, ndërsa do të ketë një funksion të përcaktuar qartë. Gjithashtu, Asambleja zgjodhi dhe Komisionin Zgjedhor në PS, që përbëhet nga Genc Gjonçaj, Eno Bushi, Ermonela Xhafaj, Bledar Doracaj, Fatmir Muçaj dhe Vladimir Konomi. Në mbledhjen e parë që do të zhvillojë komisioni do të zgjedhë kryetarin e tij.
Eltar Deda, kunder te deleguarve ne Vlore
Zhvendosja e të deleguarve të qarkut të Vlorës në zona të tjera elektorale ka ngjallur pakënaqësinë e strukturave të PS-së në këtë qytet. Deputeti i PS-së, Eltar Deda, pohoi dje në Facebook se nga qyteti i Vlorës është larguar deputeti i saj, Arben Isarai dhe në vend të tij janë deleguar të tjerë individë, që nuk kanë lidhje me këtë qytet. Sipas Dedajt, këto pakënaqësi i janë shprehur edhe Asamblesë Kombëtare të PS-së, pasi lëvizje të tilla janë të pakuptimta. “Po kështu, Kryesia e PS-së hoqi si të deleguar nga qarku ynë Arben Isarain. Deri më sot, PS-ja e Vlorës në të gjitha zgjedhjet ka marrë rezultatet më të larta si asnjëherë tjetër”, pohoi Deda, i cili deklaroi se do të nisë një debat i gjerë për këtë çështje.
Anëtari i Kryesisë në Facebook
Braçe: Nuk braktis për ofiqe asnjë socialist të Beratit

Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka kundërshtuar dje emërimin e tij nga Asambleja e PS-së në zonat zgjedhore të Devollit e Korçës. Nëpërmjet rrjetit të tij social “Facebook”, Braçe ka shprehur indinjatën për këtë vendim të Asamblesë Kombëtare të PS-së, që sipas tij është bërë pa marrë asnjë mendim. Deputeti i qarkut të Beratit thekson se nuk ka asnjë lidhje me zonat në të cilat është emëruar, dhe për këtë shkak ai refuzon këtë detyre që i është caktuar nga partia, duke i qëndruar besnik zgjedhësve të Beratit. “Unë nuk jam i deleguar i Kryesisë së PS në disa KZAZ në Devoll e Korçës! Unë jam deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, në rrethin e Beratit! E gjitha në respekt të mandatit të marrë nga socialistët e populli në këtë rreth! Ju kam thënë: Unë nuk kam nevojë për ofiqe në parti apo kudo gjetkë! Për ofiqe nuk tradhtoj e nuk braktis asnjë socialist apo qytetar në të 11 degët e PS-së apo njësitë administrative në Berat; 3 degët e PS-së apo njësitë administrative në Kuçove! Ky nuk ka qenë premtim parazgjedhor, por një qëndrim politik e moral, i ndërtuar e pjekur bashkë me secilin prej jush! Ky është borxhi që ju kam unë socialistëve! Ofiqet le t’i mbajnë ata që rrojnë për to!”, deklaroi Braçe.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











