
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i kërkoi klasës politike shqiptare vullnet politik për reformat integruese në vend.Ai ka sjellë rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë për t’u ndjekur nga Shqipëria. “Ajo që do të thosha është se është shumë e rëndësishme që njerëzit të përqafojnë reformat që të mund të ecim përpara. Sepse duhet të jetë një përpjekje kombëtare. E di që njerëzit do të thonë se është e vështirë, sepse ka një dasi politike këtu, por nëse shikojmë në të shkuarën e afërt, disa prej fqinjëve, si Kroacia e Sllovenia, për këdo që ka informacion lidhur me këto shtete, e kupton që në të shkuarën kanë pasur pengesa me të cilat janë hasur, por përsëri kanë ditur t’i kapërcejnë në mënyrë që të ecin në rrugën drejt integrimit europian. Nuk ka absolutisht asnjë arsye se përse kjo të mos ndodhë në Shqipëri, por u përket aktorëve kryesorë politikë që të kenë vullnetin dhe angazhimin. U përket gjithashtu shqiptarëve që t’u kërkojnë udhëheqësve të tyre të marrin këtë lloj angazhimi”, u shpreh dje ambasadori amerikan në Tiranë, Arvizu. Këtë deklaratë, kreu i Diplomacisë amerikane në Shqipëri e bëri pas një takimi që zhvilloi në Bashkinë e Tiranës me kreun e këtij institucioni, Lulzim Basha. Gjatë këtij takimi, ambasadori u informua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës me projektet për administrimin e qytetit, si dhe shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës. Pas këtij takimi, Basha dhe Arvizu shprehën qëllimin e tij. “Ne kemi gjithashtu një traditë shumë të gjatë të bashkëpunimit me z. kryetar të Bashkisë gjatë të gjithë funksioneve që ai ka pasur më herët, si ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Punëve të Jashtme e gjithashtu gjatë punës që ai ka zhvilluar në Kosovë; kështu që presim me kënaqësi edhe zhvillimin e kësaj marrëdhënieje të re me të. Diskutuam gjatë mbi mënyrat se si mund ta përmirësojmë jetën e qytetarëve të Tiranës, dhe kjo është një gjë tepër e rëndësishme, sepse edhe synimi i SHBA është përmirësimi i jetës së qytetarëve në Tiranë e Shqipëri dhe dukshëm 1/3 e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në këtë qytet e rrethinat e saj”, u shpreh ambasadori Arvizu. Nga ana e tij, kryebashkiaku Basha tha se “kërkova dhe mora mbështetjen e z. ambasador, nëpërmjet programeve të Ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha. E falënderoj dhe e siguroj për një bashkëpunim të suksesshëm midis Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila, po kështu, në vetvete dhe me të gjithë stafin e saj, është një nga rezidentët e qytetit tonë”.
Aristir Lumezi











