Arvizu: Vrasjet e 21 janarit po shfrytëzohen paturpësisht për politikë

Jan 20, 2012 | 10:43

Ambasadori amerikan Arvizu

Ambasadori i SHBA: Palët dhe Gjykata të pranojnë ekspertizën e FBI

“SHBA nuk e urdhëruan Gardën të qëllonte, nuk paguan as njerëz nga Laçi dhe Lezha të sillnin shqetësim”

“Presidenti i ri, ndoshta akademik”
Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, shprehet se Presidenti i ardhshëm nuk duhet të vijë domosdoshmërisht nga politika. Sipas tij, kreu i ri i shtetit duhet të jetë një person që të mos jetë në konflikt me qeverinë, por, nga ana tjetër, të mos jetë një ratifikues i vendimeve të Ekzekutivit.
Në një intervistë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ai flet gjithashtu edhe për emrat e përfolur për President si dhe ngjarjet e 21 janarit.
Gjykata e Lartë e nxori të pafajshëm Metën. Keni një koment për këtë ngjarje?
Di që shumë njerëz kanë folur për këtë. Ajo për të cilën jam kureshtar është pranueshmëria e provave të huaja sepse ka qenë një kompani amerikane, e cila është kontaktuar dhe ka siguruar analizë nga kërkesa e Prokurorisë. Për çfarëdo lloj arsye kjo provë nuk është pranuar nga Gjykata. Nuk e di cila është baza për këtë, por jam shumë kureshtar për shkak të implikimeve për hetimet e 21 janarit. Shpresoj që ky nuk do të jetë një precedent i gjerë që të mos lejohen provat e huaja, sepse nëse do të ndodhë, do të jetë një problem shumë i madh.
Kur do ta botoni raportin për 21 janarin, sepse Drejtësia shqiptare ende nuk e ka thënë të plotë fjalën e saj për 21 janarin?
Përparësia jonë kryesore ka qenë që të mbështesim prokurorin e Përgjithshëm për hetimin, dhe kjo ka ndodhur. Njerëzit janë pak të frustruar, të zhgënjyer, sepse ka zgjatur kaq shumë. Ka arsye për këtë. Ajo që është e para dhe më e rëndësishmja, është se theksi ka qenë gjithmonë në atë hetim. Ne gjithmonë kemi nënvizuar që është e rëndësishme që të ketë tre komponentë kryesorë: të ishte i plotë, i pavarur dhe i lirë nga ndikimet partiake. Në bazë të analizës sonë për 21 janarin, ka qenë një ditë e tmerrshme. Gjëja më e rëndësishme në këtë përvjetor është që të kujtojmë dhe t’u shprehim ngushëllimet tona anëtarëve të familjeve. Ka pasur shumë përqendrim sa u përket vrasjeve, për arsye të kuptueshme, por është e rëndësishme të dallojmë përgjegjësinë për njerëzit që kanë organizuar dhe ata që kanë ndërmarrë aktivitete të dhunshme. Mendoj se prokurori i Përgjithshëm e kupton këtë. Kryeministri, kur u takova me të sot, ka shprehur frustrimin që komponenti që ka lidhje me organizatorët nuk ka bërë progres. I kam thënë që edhe unë ndaj të njëjtin mendim me të. Kam folur me zonjën Ina Rama dhe ajo është e frustruar për këtë, por më ka dhënë disa siguri këtë javë që ajo do të mund të bëjë përpjekjet e saj që të bëjë më shumë për këtë pjesë të hetimit që të jetë gjithëpërfshirës. Njerëzit janë pak jo të durueshëm, por le të jemi të durueshëm. Të lejojmë që ky hetim të vazhdojë përpara.
A ka mbërritur ekspertiza e FBI-së?
Po, ka mbërritur. Ka pasur elementë përbërës, komponentë të ndryshëm, kërkesa të ndryshme, të cilat janë dorëzuar nga prokurorët në kohë të ndryshme, që i janë dorëzuar FBI-së. Ajo që unë kuptoj është pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme, nga ajo që është kërkuar nga FBI-ja kjo punë është përmbushur. Ndoshta mund të ketë një ose dy shtojca ku kemi ende shpresë se do të ketë informacion shtesë, sa i përket evidencës balistike dhe ligjore të kërkuara nga prokurorët, është kryer dhe është përfunduar në fillim të janarit. Jam takuar me asistentdrejtorin e FBI-së dhe laboratori i FBI-së merret me shumë punë. E vlerësoj shumë që e kanë marrë përsipër këtë kërkesë. Ata nuk kishin mundësi që t’i përgjigjeshin çdo kërkese që kanë bërë prokurorët, por ata kanë bërë më të mirën që mundën dhe ndjesia ime është që prokurorët janë të kënaqur me bashkëpunimin. Që nga dita e parë ka qenë një hetim i Prokurorisë shqiptare, është hetimi i Ina Ramës. Ne na është kërkuar në mënyrë jozyrtare që të mund të ofronim ekspertizë ligjore.
A përfshin ekspertiza ndërhyrjen në serverin e kamerave të Kryeministrisë?
Është një pyetje spekulative. Po flas për pjesën e serverit, prokurorët këtu, sikurse kudo, janë të detyruar që të ndjekin çdo lloj evidence që zhvillohet. Nëse ka pasur një zhvillim në këtë fushë, ose në atë zonë, nëse ata kanë dorëzuar prova ose kërkesa për analizë ligjore ose informacion, ne kemi ndjerë detyrimin që duhet ta merrnin këtë parasysh. Kudo që na i kanë dërguar këto të dhëna, ne jemi përpjekur që aq sa jemi mundur të ishim mbështetës.
Maxhoranca vazhdon ta gjykojë Prokurorinë si palë në hetim. Mendoni se qeveria do t’i pranojë rezultatet e ekspertizës së FBI-së?
Sigurisht që shpresoj të ndodhë kështu, sepse kjo ka qenë shpresa dhe pritja ime që nga fillimi. Më kujtohet që vitin e kaluar ka qenë shumë e rëndësishme për mua që të merrja sigurinë nga Kryeministri dhe ministrat e qeverisë që ata do të bashkëpunonin me hetimin. E di që disa persona kanë ndjerë se nuk ka pasur një përputhje sa duhet sa i përket retorikës dhe sigurisë që kemi marrë, por gjithsesi, që unë kam mbajtur këtë qëndrim, nuk po justifikoj që retorika ka qenë pak e tepruar. Ajo që ka qenë e rëndësishme për mua ka qenë siguria që qeveria do të mirëpriste dhe do të mbështeste gjetjet e laboratorit të FBI-së në mbështetje të hetimit. Këtë e kam diskutuar sot me Kryeministrin dhe kam marrë sigurinë që njerëzit në qeveri vlerësojnë se FBI-ja është e paanshme. Nëse qëllimi është tek e vërteta e asaj që ka ndodhur në të vërtetë, nuk është diçka partiake sepse të gjithë duhet të gjenden në të njëjtën anë. Shpresojmë që gjykatat do t’i pranojnë këto fakte.
E keni këshilluar Ramën si një vit më parë që të mos e bëjë mitingun të shtunën? A lidhet me këtë paralajmërimi i radhës i Ambasadës për të qëndruar larg bulevardit atë ditë?
Çdo ambasadë e SHBA është e detyruar t’i këshillojë shtetasit amerikanë për potencialin e çdo lloj demonstrate, edhe nëse gjithë indikacionet janë që do të jetë paqësore. Gjatë javës kemi nxjerrë informacionin. Në bazë të informacionit, që ka qenë korrekt, që do të kishte disa ceremoni të shumta përkujtimore. Jam takuar me zotin Rama javën e kaluar për drekë, kemi folur për shumë gjëra. Folëm edhe për përkujtimin. Nuk m’u desh të thosha ndonjë gjë. Ai e përmendi, ma shpjegoi atë që do të planifikonte të bënte PS-ja dhe ka qenë konsistente me gjithçka tjetër që unë kam dëgjuar. Duket që do të jetë një përkujtim dhe është mënyra e duhur për të përkujtuar humbjen e këtyre katër personave.
Kryeministri i kujtoi të hënën Ramës që të kujtonte paralajmërimin që i bëri më 23 janar, kur i tha se rrezikonte shumë nëse tentonte t’i afrohet Kryeministrisë. Ju thatë që shumë gjëra kanë ndryshuar, por a mendoni që në këtë klimë të re ripërsëritja e këtij paralajmërimi është i nxituar?
Në përvojën time këtu, gjatë një viti, diçka pozitive rreth Berishës është që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk të duhet të vrasësh mendjen se çfarë ka dashur të thotë, sepse ai është shumë i qartë. Kjo është ana pozitive. Në më shumë se një rast kam menduar se mund të kishte shprehur të njëjtin mendim në një mënyrë më të matur ose diplomatike, ai mund të kishte përcjellë të njëjtin mesazh në një mënyrë tjetër të shprehuri.
Rama kërkon manifestim, Berisha paralajmëron, Meta lirohet nga akuzat dhe ju jeni këtu duke folur për 21 janarin. Duket sikur asgjë s’ka ndryshuar nga një vit më parë?
Mendoj që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe sikurse folëm që në fillim, kryesorja është që katër familjeve u mungojnë të dashurit e tyre dhe këtë nuk dua ta nënvlerësoj. Kur mendoj për 2012-n, duhet të jetë një vit i rëndësishëm për këtë vend, pasi është 100-vjetori i pavarësisë, por tensionet politike vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe shumë njerëz janë të shqetësuar për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Disa prej bisedave dhe veprimeve të Aleancës Kuq e Zi janë shtuar dhe ky është një element i ri, pra një element ndryshimi. Do të ketë gjithmonë diçka dhe kështu ndodh gjithmonë në politikë. Por, domethënëse është që prej nëntorit të 2011-s, do ta quaja si pikënisje, ka pasur me të vërtetë ndryshim politik sepse dialogu ka qenë më qytetar dhe ka pasur me të vërtetë hapa konkretë, substancialë, ka pasur komisione për ligjet me tre të pestat etj….
A ka ndryshuar diçka te ambasadori i SHBA pas një viti?
Është e rëndësishme të themi që përditë mëson më shumë, dhe ky proces vazhdon ende, dhe do të vazhdojë deri ditën e fundit kur unë do të jem këtu. Asnjë person ose organ i SHBA nuk ka qenë përgjegjës në asnjë formë që të urdhëronte Gardën që të qëllonte. Asnjë person ose organ i SHBA nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë formë organizimi të demonstratës, që të paguanin njerëzit nga ra, Laçi, Lezha, që të mund të vinin dhe të shkaktonin sa më shumë shqetësim që të ishte e mundur. Asnjë person amerikan nuk është përfshirë në këtë. Ajo që SHBA kanë bërë është se kanë qenë në pararojë të komunitetit ndërkombëtar për situatën që t’u bënin thirrje njerëzve të përmbaheshin.
A ndieni që 21 janari po përdoret politikisht nga palët në Shqipëri?
Mendoj që për shkak se 21 janari është kaq i madh dhe kaq i ngarkuar, saqë do të jetë shumë e vështirë për çdo palë politike që të mos përpiqet të mund të përfitojnë pak. Duhet të jem i sinqertë për katër familjet. Nuk e them këtë për zotin Rama apo për pjesën më të madhe të PS-së, por mendoj se ka disa persona në këtë vend që kanë axhendë politike, të cilat turpësisht janë përpjekur të shfrytëzojnë vdekjet për avantazh politik. Nga ana tjetër, kam folur me Kryeministrin dhe disa ministra. Fakti është që disa persona i kanë lëshuar urdhra Gardës së Republikës që të qëllonte në rrethina dhe drejt protestuesve. Kjo duhet hetuar. Cilat kanë qenë rrethanat? Kjo është arsyeja pse i kemi kushtuar vëmendje kësaj.
A është sot Edi Rama më i pranueshëm për Amerikën sesa një vit më parë?
Mendoj që një nga gjërat që jam i kënaqur është se zoti Rama dhe unë pas një viti kemi një kuptim më të mirë për njëri-tjetrin dhe mendoj se Rama ka një kuptim shumë më të mirë mbi atë se si SHBA e shohin situatën, pritshmërinë e SHBA prej tij si lideri i opozitës; mendoj që ka një kuptim më të mirë në marrëdhëniet tona.
Shihni te Rama një Kryeministër të ardhshëm?
Është lideri, udhëheqësi i opozitës dhe ka vetëm pak më pak vota se maxhoranca. Nëse shohim zgjedhjet e shkuara, janë shumë afër dhe është lehtë që ta shohësh atë si Kryeministër të ardhshëm në 2013-n, ku ai e ka shprehur se do të jetë kandidat.
A është Sali Berisha si një vit më parë për SHBA?
Lidhur me atë, unë mendoj se sikurse me të tjerët, ka pasur një kuptim më të thellë të pozitës sime, të SHBA, për atë se si ndihet. Nuk mendoj që ka pasur ndryshim të vërtetë material në perceptimin e SHBA mbi të. Duhet ta pyesim atë se si ndihet ai për SHBA, ose për mua personalisht, por nuk mendoj që ka pasur shumë ndryshim.
A shihni tek ai një President?
Ai ka shërbyer si President më parë.
A e shihni zonjën Topalli Presidente që të përfaqësojë unitetin e popullit?
Sokol Olldashi ka thënë se ajo do të ishte një Presidente e mirë. Ju e keni intervistuar atë në programin tuaj dhe ju mund të ma thoni.
Është pa dyshim një politikane e fortë. A e shihni ju si një Presidente të ardhshme të Shqipërisë?
Ajo është kryetarja e Kuvendit, ajo zë një pozitë shumë domethënëse në politikën shqiptare. Mendoj se ndërsa njerëzit mendojnë për këto pozita të larta, Kryeministër, President, dhe hedh sytë rreth e rrotull e sheh kush i ka zënë këto pozicione kyçe. Sa i përket se cilat janë cilësitë e dëshiruara, ka pasur shumë diskutim për këtë.
A e shihni Fatos Nanon President?
Ai ka thënë që është i gatshëm. Përpiqem të mos jem shumë i përfshirë në analizimin e forcave të njërit ose tjetrit. Ai është një politikan veteran. Politika përshkruhet kudo si arti i kompromisit dhe duke ditur se si mund të arrihen marrëveshje politike. E kam takuar disa herë, por shumë persona më thonë se ai është një person shumë adapt. Kjo është një prej aftësive që mendoj se është e nevojshme, por nuk është e vetmja që duhet pasur. Unë e kam thënë edhe më herët se një nga aftësitë që mendoj se do të ishte shumë ndihmuese për Presidentin e ardhshëm do të ishte dikush që ka aftësi të mira komunikuese. Shumë shqiptarë kanë pika të forta, por nuk ka shumë persona që kanë aftësi shumë të mira komunikuese, të aftë për të gjetur mënyra se si të shkojnë te dikush që ka një pikëpamje të ndryshme nga ata. Kjo mund të jetë një cilësi shumë e dëshirueshme për Presidentin e ardhshëm.
Presidenti duhet të jetë konsensual, apo të zgjidhet siç deklaron Kryeministri Berisha, germë për germë sipas Kushtetutës?
Nëse do të thosha që Presidenti duhet të zgjidhet me konsensus, aty do të thuhet: “Arvizu i bashkohet ambasadores gjermane, Volfarth-it dhe mbështet Presidentin konsensual”. Nëse do të thosha që Presidenti duhet të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën, do të thoshin: “Arvizu përsëri po mbështet Berishën”. Mendoj se ka mundësi të mira që të zgjidhet dikush që do të përfaqësojë unitetin e popullit, që është një komunikues i mirë. Nuk duhet të mos jetë domosdoshmërisht politikan. Mund të jetë dikush që mund të ketë përvojë të gjerë biznesi, të jetë një akademik.
Këtu jeni përfundimisht kundër Berishës, i cili flet për një kandidaturë politike për kreun e shtetit?
Çfarë do të thoni me këtë, një politikan që ka qenë afatgjatë? Shpresoj që të ketë një farë konsultimi mes maxhorancës dhe opozitës përsa i përket kandidatit për këtë pozitë të lartë. Jam pak ngurrues të përdor shembullin e Avokatit të Popullit, sepse është një funksion shumë i rëndësishëm, por po flasim për dimensione të ndryshme. Kjo është një mundësi sepse ka shumë shqiptarë që mund të përmbushin këtë rol me integritet dhe dinjitet. Njerëzit kanë prirje të ndryshme. Disa nga miqtë e mi do të donin që të shkonte aty, dikush që të bllokonte Kryeministrin. Është e rëndësishme që të ketë ndarje pushtetit, është e rëndësishme që të kesh dikë që është në gjendje të punojë me qeverinë. Kjo është pjesë e qeverisjes së mirë. Por, gjithashtu, është e rëndësishme që të ketë pavarësi ndaj Kryeministrit. Është si shefi i Ekzekutivit, ti po drejton qeverinë dhe ministrave, kur ke takimin e përjavshëm, u thua bëni këtë apo bëni atë. Por dikë tjetër si President, i cili mund ta shikojë pak në distancë, mund të thotë çfarë nuk mendoj që kjo është në interes të vendit. Duhet të ketë ndarje pushteti, por jo për të penguar qeverisjen e vendit, por gjithashtu nuk… që të jetë shabllon, pra dikush që merret nga Këshilli i Ministrave dhe thjesht i vendos vulën, e miraton menjëherë, sepse kjo do të ishte si farsë. Nuk do të ishte e përshtatshme për Shqipërinë në 2012-n. Ky do të ishte një gabim i madh.
Në kushtet aktuale që kemi vetëm një kandidaturë jo nga maxhoranca do ta bënte këtë. Nuk besoj se Berisha kërkon të vendosë kryetar shteti një person që do t’i bëjë oponencë vendimeve të qeverisë…
Nuk mendoj që ai do të vendosë një emër të armikut të përbetuar, ose të dikujt që ai e di që ka për ta kundërshtuar në çdo vend. Unë mendoj se do të ishte brenda tij që ai të vinte dikë që e ndjen me të cilin mund të punojë. Dikush që do të ishte i mirë në atë pozicion, është e mundur.
I qëndroni deklaratës së dhënë në Ora News për rotacion në 2013-n?
Ka pasur disa mbështetës të opozitës që kishin dyshime për mua, ndoshta ka edhe sot, por mendoj që opozita duhet të më caktonte mua si personi i tyre i vitit, sepse nga fillimi unë jam përpjekur që të këshilloj pozicionet, të cilat janë të përgjegjshme dhe që do të forconin opozitën. Në një sistem demokratik ka nevojë të ketë konkurrencë. Të dyja anët duhet të nxjerrin më të mirën në pah. Ka një element kritik këtu, që janë zgjedhjet, dhe ato duhet të jenë transparente. Më kujtohet pas zgjedhjeve vendore të majit kam zhvilluar një bisedë me disa punonjës shqiptarë në Ambasadë dhe njëra prej tyre gjithmonë ka qenë një mbështetëse shumë e fortë e PS-së. Zgjedhjet e majit kanë qenë një proces i debatueshëm. Unë e kam theksuar që Basha bëri fushatë të shkëlqyer, ndërsa Rama ka bërë disa gabime kritike. Problemi qëndron se gjithmonë ka një komplikim që lëviz peshoren në favor të një pale, prandaj them unë që njerëzit duhet të punojnë shumë që në ditën e zgjedhjeve të mos ndahen me pak vota. Njerëzit duhet të besojnë që është e mundur që të ketë rrotacion. Partitë gjithashtu duhet të jenë të mira mjaftueshëm që të zgjidhen.
Pas kësaj deklarate sugjeroni rrotacionin në 2013-n? Mund të jetë një pjesë tjetër që të thotë: kush është Arvizu që të na thotë ne se duhet të ketë rrotacion?
Unë nuk po sugjeroja dhe ju kërkoj ndjesë nëse jam keqkuptuar, se thjesht duhet të kishte një rrotacion sepse duhet të ndodhë rrotacioni, sepse qartësisht kjo është jodemokratike. Kështu nuk funksionojnë demokracisë, përndryshe përse duhet të ketë zgjedhje? Mund të thuhet në 2013-n është radha e socialistëve, në 2017-n e PD-së, jo. Nëse ngjyra e preferuar është blu apo e kuqe, ti duhet të besosh që do të ketë integritet të mjaftueshëm në sistem që do të bëjë të mundur rrotacionin. Kam shumë miq si republikanë dhe demokratë, dhe unë jam një demokrat. Përpiqem të votoj për Partinë Demokratike dhe ndonjëherë mendoj që do ta kisha problem nëse demokratët do të ishin gjithmonë në pushtet. Por ka diçka brenda meje që nëse do të jesh në pushtet shumë gjatë do të fillosh t’i marrësh gjërat për të mirëqena, mund të bëhesh pak dembel. Nuk është gjë e keqe të kesh rrotacion, por pala tjetër duhet ta meritojë.
Ish-ambasadori Uidhers, në një intervistë deklaroi pragdështimin e sistemit politik, Shqipëria drejt një modeli rus, ukrainas, hungarez. Keni një koment?
I kam dëgjuar me shumë vëmendje komentet e tij. E di që Xhon ka një dashuri të madhe për këtë vend dhe për popullin. Nuk jam dakord që ka hapa pas këtu. Mendoj që do të ishte e drejtë të thuhej që përparimi është ngadalësuar në mënyrë dramatike dhe në disa raste qëndron në amulli. Nëse prirjet janë për përparim, nuk është situatë e mirë që përparimi të ngadalësohet ose të qëndrojë në amulli. Është koha që e shkuara të mos përdoret më si justifikim për mungesën e përparimit të vendit.
Bahri Shaqiri, kreu i SHISH, është bashkëpunëtor i SHBA, a duhet të qëndrojë?
Bashkëpunimi ynë me Bahri Shaqirin është i shkëlqyer. SHISH për mua është standardi i artë, niveli i bashkëpunimit është i jashtëzakonshëm. Nëse atij do t’i ofrohej një mandat tjetër, kjo do të mirëpritej përzemërsisht dhe ngrohtësisht nga SHBA.
Por duket se kryeprokurorja Ina Rama është në muajt e fundit të detyrës së saj. Si duhet të zgjidhet prokurori i ardhshëm, kjo gjithmonë në varësi të Presidentit, me konkurs, konsensus, apo sipas Kushtetutës?
Presidenti i ri ka një rol kyç në zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm. Mendoj që është e rëndësishme që rregullat dhe procedurat të ndiqen. Nëse je në opozitë apo në maxhorancë, të mbajturit e rregullave nuk është gjithmonë qëllimi fillestar, por themeli i çdo demokracie është zbatimi i rregullave, sepse shteti ligjor humbet kuptimin. Gjithsecili duhet të ruajë dhe ndjekë të njëjtat rregulla. Mendoj që prokurori duhet të zgjidhet në përputhje me rregullat që kuptohen nga të gjithë.
Meta-Prifti, çështje e mbyllur, apo e hapur?
Është përshtypja ime që shumë shqiptarë janë të lodhur nga e gjithë çështja “Meta-Prifti”. Kam përshtypjen që njerëzit duhet të vazhdojnë përpara, t’i harrojnë këto videot.

© Panorama.al

Te lidhura