
Ambasadori amerikan paralajmëron për reagimet e politikës
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, paralajmëroi dje politikën shqiptare në lidhje me reagimin ndaj dokumenteve në WikiLeaks. Sipas tij, nëse ndokush përdor përshkrime si “spiun” apo “informator” ndaj disa personave, atëherë po sillen si në kohën e diktaturës. Ai paralajmëroi se njerëz të tillë nuk do të jenë në krye të vendit. “Ju e dini qëndrimin tonë zyrtar që ne nuk komentojmë në lidhje me gjërat që kanë dalë në WikiLeaks. Të gjitha këto çështje që kanë dalë kanë qenë të debatueshme dhe në SHBA janë të ndëshkueshme me ligj, pasi bëhet fjalë për botim të paautorizuar të dokumenteve apo çështje të supozuara. Por, janë botuar shumë gjëra dhe njerëzit do të formojnë mendimin e tyre në lidhje me ato që janë botuar. Nga pikëpamja ime, njerëzit duhet të formojnë mendimin e tyre dhe unë nuk kam ndonjë problem me këtë. Por kam diçka që kam parë në media, që më ka bërë të mos ndihem mirë dy ditët e fundit. Janë disa përshkrime apo komente që i kanë emërtuar njerëzit si spiunë apo informatorë. Njerëzve që flasin në këtë mënyrë, që mendojnë kështu dhe veprojë në këtë mënyrë, duhet t’u them që jam shumë i zhgënjyer sepse kisha menduar se ditët e ish-Sigurimit i kishim lënë pas. Por unë nuk shqetësohem që disa njerëz do të vepronin apo silleshin si në kohën e Sigurimit. Këta njerëz e kanë kthyer kokën pas në histori dhe nuk do të jenë personat që do ta drejtojnë këtë vend. Nëse kanë një besim të plotë gjatë periudhës sime këtu, është që të gjithë njerëzit në këtë vend duan që vendi i tyre të ecë para. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë aty dhe do t’i mbështesin”, tha Arvizu.
Arvizu flet pas Kuvendit
“Maxhoranca të bëjë sa më shumë kompromis”
Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, ndoqi nga afër mbledhjen e parë të Parlamentit në këtë sesion të ri. Në përfundim të punimeve të Kuvendit ai foli për mediat, ku vuri theksin te bashkëpunimi mes forcave politike. “Gjëja tjetër që doja të përmendja është diçka që ia kam përmendur edhe më parë Kryeministrit: ndonëse maxhoranca ka më shumë karrige në Parlament, duke
parë në mënyrë paradoksale, duke parë ndarjen se si ka ndodhur në nivel kombëtar, është e rëndësishme për ata që janë në pushtet të bëjnë sa më shumë kompromise që të jetë e mundur. Sikundër edhe opozita duhet të bëjë punën e saj. Duke parë situatën aktuale, është shumë e nevojshme që maxhoranca të japë sa më shumë të mundet në lidhje me kompromisin”, tha Arvizu.











