POGRADEC/ VLORE- Në pranga dy të rinj në Pogradec dhe në Vlorë për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura. Një 16-vjeçare denoncon për përdhunim ish të dashurin e saj, duke e vënë atë në ndjekje penale me akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”. Burime të policisë së Pogradecit bënë të ditur se arrestuan mbrëmjen e së dielës 22-vjeçarin Denis Latifllari, nga fshati Vërdovë i këtij rrethi. Policia bëri të ditur se 16- vjeçarja me inicialet I.K., banuese në Lagjen Nr. 1 të qytetit të Pogradecit, ka denoncuar se pas njohjes me të riun ai e ka detyruar të kryejë marrëdhënie jashtë dëshirës së saj. “Jam njohur disa muaj më parë me këtë person dhe ai më detyroi të kryeja marrëdhënie në një hotel të Pogradecit”, është shprehur në polici adoleshentja. Mbi këtë dëshmi, policia e Pogradecit ka kryer fillimisht shoqërimin e 22-vjeçarit Latifllari dhe më pas ka vendosur arrestimin e tij në flagrancë. Ndërkaq, policia e Vlorës arrestoi 28-vjeçarin Ervis Alushi, nga Selenica. Policia bëri të ditur se ndalimi i këtij shtetasi është bërë për shkak se dyshohet që para dy muajsh ka kryer marrëdhënie me dhunë me një të mitur. Ndaj të riut, gjykata e rrethit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”. g.a/p.n











