“Nga afër, askush nuk është normal”. Logoja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sëmundjet mendore nuk është lojë fjalësh. Statistikat tregojnë përparime të shpejta të këtyre sëmundjeve, aq sa një në katër njerëz do të preket prej tyre. Psikiatrja Arjana Rreli tregon rastet me të cilat përballet përditë, shqetësimet më të shpeshta dhe mënyrat e parandalimit.
Që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë pak ditë më parë nxori statistikat se një në katër persona është i prekur nga një çrregullim mendor, midis ‘normalëve’ kjo u kthye në një batutë. Por, po t’i shtonin këtij lajmi shqetësues edhe logon e OBSH-së, me siguri që do të mendoheshim dy herë përpara se të qeshnim mes miqsh. “Nga afër, askush nuk është normal”. Kjo ka qenë motoja lidhur me shqetësimet mendore. Po të kalosh një paradite në Poliklinikën numër 3, ku është edhe Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor, në pritje të një takimi me psikiatrin, problemet me të cilat hasesh janë nga më të pamendueshmet. Nga ato që mund të dëgjohen edhe pas shpine, te tavolina ngjitur në kafene, por që pakkush ua vë veshin. “Më duket sikur nuk më do njeri, të gjithë më shajnë. Kam një si bllokim në frymëmarrje, ndihem shumë vetëm. Kam ndenjur gjashtë muaj në shtëpi pa dalë, edhe lek nuk kisha. Provova të shkoj edhe në Angli, po më keq shkuan gjërat, u ktheva prapë”. Rrëfimet gati nervoze, me zë të dëgjueshëm edhe pas dere të djalit që po i rrëfehej psikiatres, Arjana Rreli, për të ishin nga më të zakonshmet. “Sa të tilla ka përditë, nuk mund ta imagjinoni radhën dhe zhurmën që bëhet në dhomën e pritjes”. Dhe të mendosh që në dhomën e pritjes, djali që tani po zbrazej i tëri, përveç një padurimi normal që të shkakton rëndom pritja në radhë, nuk të linte asnjë dyshim tjetër. Thua se kishte ardhur për t’i kërkuar doktoreshës ndonjë qetësues që e ëma të merrte për gjumë më të qetë. Kaq mund të mendonte një sy i pastërvitur, sepse diagnoza më pas ishte fare e qartë: çrregullime të ankthit. Ato nga të cilat preken më së shumti njerëzit e ditëve të sotme, e streseve të sotme.
Kam dëgjuar shpesh të thuhet kohët e fundit që për pak vite sëmundjet mendore do lënë pas në listë të gjitha sëmundjet e tjera.
Është e vërtetë, duke nisur që nga ankthi, shqetësimet më të shpeshta e deri te skizofrenia, në 2020-n këto do të kryesojnë listën, do të lënë pas edhe sëmundjet kardiovaskulare që sot janë në vend të parë.
Cilat janë shqetësimet më të shpeshta që ngrenë pacientët kur drejtohen te ju?
Çrregullimet e ankthit janë ato më të shpeshtat, çrregullimet e humorit. Ato të të menduarit nuk janë aq të shpeshta, edhe sepse nuk para drejtohen te ne, merret spitali me ta, pasi situata është më e rënduar.
Për çfarë ankohen konkretisht?
Ankohen se kanë një boshllëk në gjoks ose në stomak, u duket sikur dikush i kap prej fyti. Paragjykimet për këto lloj sëmundjesh i bëjnë pacientët edhe të shkojnë në mjekun e gabuar. Shkojnë më mirë të vizitohen nga stomaku apo nga zemra, sesa të vijnë te ne. Zakonisht këta njerëz kanë djersitje të pëllëmbëve të duarve, kanë ndjesi ekstreme të temperaturës së trupit, herë kanë shumë ftohtë e herë shumë nxehtë, kanë çrregullime të gjumit, frikëra të ndryshme të pajustifikuara.
A është zbehur frika, a ka ndryshuar mentaliteti i njerëzve për t’u drejtuar te psikiatri?
Ka një ndryshim fare të vogël, përgjithësisht mentaliteti është po ai. Në këto raste, mjeku i familjes mund të bëjë një punë të mirë, nëse gjen mënyrën e duhur për ta drejtuar pacientin te psikiatri, pa ia vënë në dukje problemin. Mjeku i familjes pa dyshim që e kupton gjendjen, por mund ta paraqesë situatën më lehtë, duke gjetur edhe gjuhën e duhur për ta drejtuar. Zëmë një rast, mjeku mund të thotë njoh një doktoreshë Arjana apo një tjetër, shko takoje një herë, më kanë thënë është e mirë. Pra, mënyrat janë.
Çfarë bëni me pacientët që refuzojnë kategorikisht të vijnë?… Ata për të cilët janë familjarët që ju drejtohen.
Të shtunën, ne e kemi lënë si ditën që shkojmë nëpër shtëpi. Psikiatri, bashkë me ekipin e punës, shkon në familje ku problemi është pa dyshim më i avancuar dhe përpiqet të bindë pacientin t’i nënshtrohet kurës. E gjithë kjo për ta shpëtuar nga shtrimi në spital. Nëse edhe pas kësaj kemi prapë refuzim, atëherë merret spitali.
Në fakt vazhdojnë të refuzojnë?
Shumicën e rasteve po. Insistimi ynë nuk vlen për asgjë. Duhet të ndërhyjnë forcërisht për t’i shtruar.
Kam dëgjuar që ka raste kur psikiatri shkon te pacienti nëpërmjet një personi të tretë apo familjarëve dhe këta të fundit nuk e kanë vënë në dijeni pacientin.
Ka ndodhur, por kjo nuk është mënyra e duhur dhe nuk është korrekte, sepse në fund, pasi t’i ke biseduar si rastësisht me pacientin, familjari të kërkon recetë, gjë që nuk duhet të jepet në kafene. Për këtë është gjithë ekipi i punës, që parashikon të gjitha fazat e konsulencës, këshillimit, pa mbërritur te psikiatri.
Deri në ç’masë është i kapërcyeshëm trajtimi i këtyre sëmundjeve?
Së pari, sa më shpejt të vijnë, aq më e lehtë është. Janë pa diskutim të shërueshme. Pas kurës së parë, mund të qëllojë të përsëritet e të kurohet sërish deri në zhdukje.
A ka ndikim një psikiatër nga shqetësimet e pafunda që dëgjon përditë, për kaq shumë vite si në rastin tuaj?
E para gjë që mjekja mëson në shkollë, është të krijojë barriera, në mënyrë që të mos prekemi nga shqetësimet e pacientëve. Në botë bëhen programe speciale për këtë gjë, por ne jemi mjaftuar edhe me atë që na është ofruar. Por është e rëndësishme edhe që gjërat e tua të shkojnë mirë. Vajzat e mia më kanë mbushur në çdo gjë, daljet jashtë rutinës dhe argëtimet që përpiqemi t’i dhurojmë vetes janë të rëndësishme kur bën këtë punë. Pra, duhet gjetur mënyra që të kompensohesh dhe të mendosh pozitivisht. Gjithashtu është shumë i rëndësishëm pasioni për këtë punë, nëse nuk e ke, është e kotë që një mjek ta vazhdojë këtë rrugë, vetëm sa do t’i shtonte ngarkesa vetes.
Nuk i kishit menduar këto kur zgjodhët psikiatrinë si specialitet?
Së pari, nuk do kisha zgjedhur fare mjekësinë, pa mbërritur te specialiteti. I isha kushtuar vizatimit teknik në shkollë, më pëlqente të qëndisja, të ishte çdo gjë në rregull. Por meqë familja Rreli kishte shumë inxhinierë, babai më kërkoi t’i futesha mjekësisë. I duhej fisit një mjeke! Atij nuk mund t’ia prishja dot, kështu që iu futa mjekësisë. Që në fakultet më goditi psikiatria. Gjithkush afeksionohet me diçka më shumë se me të tjerat. Kështu, edhe pse për kohën psikiatria hynte në të kërkuarat e dorës së dytë; E zgjodha, me gjithë përpjekjet që bënë familjarë të ndryshëm për preferenca të ndryshme, sipas hallit që kish gjithsecili. Mandej, pas specializimit katërvjeçar në shkollë, vitet që im shoq ishte konsull në Romë e që më duhej ta ndiqja, më shërbyen për të bërë specializime të mëtejshme, të një forme krejt tjerët në universitetin “La Sapienza”. Më ka pëlqyer gjithnjë të mbroj qeniet e dobëta, prandaj e zgjodha. Edhe për kafshët për shembull kam shumë dashuri.
Nga duart ma do mendja që keni mace në shtëpi…
Po, kam, por i dua të gjitha, edhe milingonat.
Së fundi, a keni ju ‘receta’ që njerëzit të mos mbërrijnë deri te medikamentet, pa jua hequr vlerën. Një lloj parandalimi në mënyrën e jetesës për shembull?
Aktiviteti fizik është njësoj i rëndësishëm, si të shkruhej në recetë. E di që njerëzit mund të jenë lodhur me predikimet që u bëhen, por është vërtet shumë i rëndësishëm. Pastaj, mosabuzimi me kafen, cigaren dhe pijet alkoolike,janë të domosdoshme. Ndër të tjera, do thosha për disa njerëz që nuk dinë të thonë asnjëherë jo, duhet të mësojnë ta bëjnë për veten e tyre. Duke qenë se marrin mbi vete shumë gjëra, bëhen të ankthshëm. Të mos marrin qetësues me mendjen e tyre, por të drejtohen te specialistë. Vetëmjekimi është i gabuar, sikundër është alkooli që duket se të heq problemet. Problemet aty janë, ai përkundrazi, pak më vonë t’i shton.
ANI JAUPAJ











