Nëse do të veçonim një pyetje, nga 1001 pse-të që mund t’i kishit drejtuar Arbana Osmanit, mund të ishte për prezantuesin e njohur Adi Krasta. Janë komentuar shpesh në shtyp si emrat e diskutuar, kur është fjala për spektakle që kërkojnë audiencë në “Top Channel”. Dhe Arbana Osmani, e cila po përgatitet të shfaqet në ekran me show-n më të ri, kësaj here me protagonistë fëmijë, e jep përgjigjen e saj në këtë intervistë. Sezoni i ri në “Top Channel” i moderatores së njohur dhe gjithçka për veten e marrëdhëniet me të tjerët i zbulon ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, shoqëruar me një set special fotografish të realizuara në Nju Jork.
Tashmë po përgatitesh për një format të ri në “TCH” “NJË MIJË E NJË PSE” OSE “CHI HA INCASTRATO PETER PAN”, patentë e “Endemol”. Kësaj here, “pse-të’ drejtuar një personazhi të ftuar në studio apo dhe ndaj teje vijnë nga fëmijët. Si e përfytyron këtë eksperiencë të re?
Është një sfidë e re, krejt ndryshe nga programet që unë kam prezantuar deri tani. Përpiqem të mos përfytyroj shumë, pasi e marr me mend që do të ketë befasi të vazhdueshme. Kam përshtypjen që do të jetë një përvojë e paparashikueshme, sepse elementi kryesor i saj është i tillë. Në qendër të programit do të jenë fëmijët, ndërsa vetë programi, më shumë se për fëmijët, është për të rriturit. Është një projekt që kërkon shumë energji, përkushtim, por edhe durim. Mjeshtrat e televizionit amerikan thonë që programet me fëmijë janë programet më të vështira për t’u menaxhuar, nga ana tjetër, ndiej se do të jetë një spektakël i jashtëzakonshëm, që do të na bëjë të gjithëve ta shohim jetën, të përditshmen tonë, dhe personazhet që na rrethojnë, në një mënyrë krejt origjinale, me anë të syrit të fëmijëve. Do të jetë një program për të gjithë familjen, mezi pres që të fillojë.
U fol që moderimi i këtij show të këndshëm, të cilin jemi mësuar ta shohim në “Canale 5”, po diskutohej midis emrit tënd dhe Adi Krastës. Ishte në ambicien tënde ky format?
Unë nuk i di diskutimet, nuk e di çfarë është folur… Mbase ju dini shumë më tepër se “të zotët e punës”. Para disa ditësh kam lexuar një titull gazete, të cilin e cilësoj absurd, sikur unë dhe Adi ishim në një garë… Thellë-thellë, uroj të jetë ndonjëherë kështu, por e vetmja garë ku unë dhe Adi besoj të jemi, është se kush mund të gatuajë më mirë pulën me jufka apo pudingun anglez… Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, “Po, ky format ishte në ambicien time”. Drejtuesit e televizionit prej kohësh ma kanë bërë të ditur se kërkojnë më shumë se 3 muaj në vit prezencën time në ekran, por nuk kishim gjetur formulën e duhur. Në përfundimin e edicionit të kaluar, më pyeten se cilin program do të kisha dashur të drejtoja. Përgjigjja nuk më erdhi menjëherë. Nuk e kisha të qartë se çfarë programi tjetër do kisha dashur të moderoja, ama dija se çfarë programi televiziv më pëlqente të shikoja, dhe ndër të paktët programe që ndjek në TV-të italiane është “Chi ha incastrato Peter Pan”. Dhe thashë, ai është programi që më pëlqen, që shoh më me dëshirë. Disa muaj më vonë, më thanë që patenta ishte blerë dhe se në tetor do të jemi në transmetim me formatin në shqip. U gëzova pa masë, pasi jo vetëm është një sukses i sprovuar në vende të ndryshme të botës (në Shtetet e Bashkuara “Kids say” është zhvilluar që në vitet ‘50), por edhe pasi është një program krejt ndryshe nga “Big Brother”, ku unë mund të shfaqem në një dimension tjetër.
Si do ta komentoje këtë konkurrencë (nëse do të cilësohej kështu) me Adi Krastën, për të drejtuar një program?
Adi Krasta, në llojin e tij, nuk ka konkurrent. Dhe për shumë kohë, besoj nuk do të ketë. Unë kam qenë një fanse e zjarrtë e tij që në fëmijërinë time. Kur unë isha fëmijë, nuk adhuroja Wings-at, por Adi Krastën, nuk ndiqja “Bang Bangun”, por “12 vallëzime pa një të shtunë…” Nuk e di nëse Adi ka dashur të drejtojë këtë program apo se çfarë ka ndodhur. Nuk është puna ime dhe nuk më pëlqen të përzihem në punët e askujt. Personalisht, mendoj që nëse Adi do të kishte qenë prezantues i “1001 Pse”, do të kishte shkëlqyer, sepse ka treguar më shumë se një herë se me fëmijët di të jetë brilant, por nëse janë zgjedhje që i bëjnë të tjerë, duhen pranuar dhe respektuar. Mua, ashtu siç besoj shumë edhe shikuesve, me vjen keq që do ta shoh pak në ekran, vetëm një herë në javë, por edhe në këtë rast, nëse është zgjedhje e tij, e përsëris, duhet respektuar.
Ndërkohë që sa përmendet ky program, emri që të vjen në mendje është Paolo Bonolis. Jo më kot e bëj këtë pyetje, pasi shpesh publiku shqiptar bën krahasimin. Në këtë rast preferon t’i ngjasosh Bonolis-it në prezantim apo kërkon ta sfidosh si prezantuese femër që je?
Po, po, i kam hapur sfidë Bonolis-it dhe Mediasetit, po na monitoron vetëm ne të dy aktualisht. Si jemi me njëri-tjetrin, cili po bën më shumë share… Tani, unë vërtet kam një lloj vetëvlerësimi, por ju lutem… po flasim për njerëz, të cilët kanë ndryshuar mënyrën e të bërit televizion… Nuk dua, as pretendoj, as nuk do të përpiqem t’i ngjaj Bonolis-it, pasi është e pamundur. Ashtu siç nuk kam dashur, nuk jam përpjekur t’i ngjaj Alessia Marcuzz-it, me gjithë krahasimet e skeptikëve. Unë i di limitet e mia. Ashtu siç di dhe përparësitë. Pretendoj thjesht të bëj mirë punën time, të zbavit publikun që më ndjek dhe të respektoj zgjedhjen e atyre që më ndjekin, pa sfiduar askënd.
Të ka ndodhur të komunikosh me fëmijë, sipas mendimit tënd është më vështirë të kuptohesh me të vegjlit apo me të rriturit?
Fatmirësisht më ka ndodhur të kuptohem lehtë me të dyja palët.
Je një fanse e fëmijëve në jetë, i do, i pëlqen, dhe tashmë që e dimë që je celebruar, e dëshiron një fëmijë tëndin, dhe kur e ke bërë plan?
Nuk kam qenë dhe nuk jam natyrë shumë e dashur, e ngjitur, shprehëse ndaj fëmijëve. Nuk jam nga ato që bërtasin “Vdeeeeeksha unë për ty, sa bebe e bukur!” kur shohin një fëmijë të huaj në rrugë. U kam dhënë vëmendjen që kanë kërkuar. Përgjithësisht, më pëlqen t’i trajtoj si të rritur, jo si fëmijë, dua të komunikoj me ta si shokë dhe ka funksionuar. Më dhurojnë një lumturi të pamasë fëmijët që më njohin nga ekrani, nga “Big Brother”, e, kudo të jem, pa lajmëruar më vijnë e më përqafojnë…
Rikthehemi te spektakli, kur do të jetë puntata e parë, si do të bëhet përzgjedhja e fëmijëve dhe, a mund të zbulohen emrat e personazheve të njohur, që do të bëhen pjesë e show-t dhe detaje të tjera?
Në tetor jemi në ekran. Është një sipërmarrje gjigante, me qindra persona staf dhe investime kolosale në burime njerëzore e financiare. Aktualisht, po zhvillohen audicionet për zgjedhjen e fëmijëve, që do të marrin pjesë në program dhe kërkesat kanë qenë të panumërta. Prindërit janë vërtet këmbëngulës në lidhje me protagonizmin e fëmijëve. ”1001 pse” do të zgjasë 12 javë dhe do të jetë në transmetim çdo të shtunë. Personazhet e njohur do të jenë ata ndaj të cilëve fëmijët kanë më shumë kureshtje. Nuk ju them dot emra konkretë, se do të shuaja kuriozitetin… Por, nëse kërkoni më shumë informacion për audicionet, ju lutem vizitoni faqen www.top-channel.tv
Ndërkohë, siç është folur deri tani, do të vazhdosh të prezantosh “Big Brother 5”. E ke ende për zemër këtë spektakël, do të kishe hequr dorë lehtë dhe për ç’arsye?
Përkushtimi dhe dëshira ime për të drejtuar këtë program, besoj reflektohet edhe në ekran. “Big Brother” është një program televiziv shumëdimensional, në qendër të të cilit janë marrëdhëniet njerëzore. Jam me fat që drejtoj një program me kaq shumë emocion. Parësore në punën time është që, përveçse të zbavis publikun, ta shijoj, të kënaqem edhe vetë… Nuk punoj dot nën stres, nën presion dhe pa i kuptuar mekanizmat. Përpos kësaj, unë jam me fat që punoj mes profesionistësh siç janë të gjithë ata që përfshihen në këtë projekt, ku në qendër janë njerëz të thjeshtë, rrjedha e jetës të të cilëve merr një drejtim krejt tjetër, falë programit. Me kalimin e viteve, kam kuptuar që nuk heq dot dorë lehtë, sado që herë pas herë një mendim i tillë më vjen në mendje… Siç duket, nuk është ende momenti. Ose, siç një konkurrent i “Big Brother” do të thoshte “Kam akoma shumë për të dhënë” (qesh).
Si vazhdon marrëdhënia jote me banorët e “BB”, të ka ndodhur t’i bësh miq disa prej tyre, po “armiq” mes tyre mendon se ke?
Armiq, joooooo. Miq, gjithashtu. Raporti im me ta nuk është një raport miqësie. Është diçka krejt tjetër. Më i thellë ndoshta. Më kanë rrëfyer gjëra që nuk ua kanë rrëfyer miqve, kemi folur për shumëçka krejt çiltërsisht, kemi ndarë sekrete. Ngase ndjekim stile të ndryshme jetese, përveç ambienteve të punës, nuk na ndodh të takohemi shumë shpesh, ama sa herë që shihemi, me të gjithë, pa përjashtim, nga edicioni i parë deri tek i fundit, takohemi me një përqafim dhe ngrohtësi krejt të veçantë, një mirënjohje reciproke për emocionet e bukura që kemi ndarë bashkë.
Të dyja programet kanë pjesë të bukur “show-n real”. Në rastin e “BB”, ideja është të krijohet sa me shumë ankth dhe kuriozitet, në këtë rast si do veprosh për të menaxhuar emocionet e fëmijëve?
Nuk e kam idenë. Aktualisht po takohem me psikologët dhe autorët për të marrë të gjitha direktivat e mundshme, por jam e sigurt që gjithçka do të vijë spontanisht. Një gjë është e sigurt. Në programet që kam drejtuar deri tani, qoftë në “Big Brother”, por edhe në “Top Fest”, “Pasdite” etj., nuk kam qenë unë protagoniste dhe rrallëherë jam përfshirë emocionalisht. Këtu besoj do të jetë një atmosferë krejt tjetër. Do të jem me shumë Arbana e jetës së përditshme, Arbana që njohin miqtë…
Nga ana tjeter, ti këtë vit ke qenë autore e “Rewind”, “Top Fest” dhe programit që filloi mbrëmë “Me miqtë e mi”…
Po, “Me miqtë e mi” është një cikël programesh që ka në qendër një artist të njohur të muzikës shqiptare, i cili në rolin e të zotit të shtëpisë, pasi është ai që moderon mbrëmjen e tij, tregon rrugëtimin e tij muzikor, së bashku me miqtë e tij më të mirë artistë. Natyrisht që përbërësi kryesor është muzika, këndohet live me një orkestër shumë simpatike, më të vogël në numër nga ato që jemi mësuar të shohim në programe të tjera muzikore në “Top Channel”. Pas emisionit të Rovena Dilos, që ishte në transmetim mbrëmë, në atë të radhës do të jenë Xuxi, Vëllezerit korçarë, Sajmir Braho etj.
E kujton fëmijërinë tënde? Si ka qenë, e bukur, e trishtueshme, i kujton dëshirat që ke pasur, i ke plotësuar tashmë ato, dhe për çfarë ke qenë kureshtare më shumë atëherë?
Fatkeqësisht, nuk kam një kujtesë të gjatë, kam vënë re që kujtoj gjithmonë më pak, ndoshta është faji i bombardimit me informacion që përpiqemi të marrim gjithë kohës për të mos mbetur prapa. Por, patjetër kam kujtime të bukura, të pashlyeshme. Deri në moshën 5-vjeçare kam jetuar në Peshkopi, e aty s’mbaj mend shumë. Ama, kujtoj kur shkoja në fshat (në Maqellarë) te gjyshërit. Adhuroja kafshët dhe vdisja të ikja me lopë me xhaxhain, me bukë me vete. Më pëlqen shumë natyra dhe mund të rrija gjithë ditën majë qershive të komshiut, se në bahçen e gjyshit nuk kishim qershi. Ama, kishim mollë, mana, rrush, thana, fruta të cilat sot e kësaj dite përpiqem t’i gjej nga fshatarët që i sjellin nga Dibra. Pastaj, 10 vjet kam jetuar në Burrel, një përvojë krejt tjetër, ku nisën miqësitë e para, simpatitë e para të sinqerta fëmijërore, dhe, natyrisht, dackat e mamit, sa herë nuk i merrnim mirë pluhurat shqiponjave… Dëshirat fëmijërore lidheshin me të ardhmen, më shume se një herë e kam përmendur se që fëmijë aspiroja të bëhesha një prezantuese e famshme, ndërsa sa i takon kureshtjes, po, isha kureshtare. Deri vonë kam dashur të di ç’biseda bënte mami me shoqet kur më përzinin nga kuzhina…
Si një gazetare në profesion, sa kureshtare je tashmë, dhe cila është pyetja që do t’ia kishe bërë një fëmijë 5 vjeç dhe prindërve të tyre?
Falë Zotit, kureshtja ka marrë forma të tjera (qesh). Fëmijët kam qejf t’i pyes për prindërit. Çfarë bëjnë prindërit në shtëpi, si i mësojnë, si sillen me njëri-tjetrin, më kuriozon shumë atmosfera që kanë në shtëpi. Ou, prit, s’paska ndryshuar dhe aq…(qesh). Sa për prindërit pastaj, jo, s’kam ndonjë kuriozitet, se ndodh që prindërit edhe gënjejnë shumë mbi fëmijët, kështu që më mirë e merr informacionin nga burimi i parë.
Ti vetë i trembesh më shumë pyetjes së një fëmije apo të një të rrituri, nëse do bëhej fjalë për një pyetje direkte në ekran?
Të një të rrituri. Pyetjet e një të rrituri dhe ato të një fëmije, për nga mënyra si ndërtohen, nga mënyra gramatikore, nuk kanë ndonjë ndryshim. Por është qëllimi që kanë ne vetvete, që bën ndryshimin. Një pyetje me spec, të rriturit kanë tendencën të ta bëjnë edhe me dashakeqësi, pa qenë fare kureshtarë, fëmijët kurrë, fëmijët pyesin nga kureshtja.
Nëse një nga fëmijët do të bënte tri pyetje: Sa paguhesh në televizion, a do të bëje një operacion plastik e çfarë s’të pëlqen në pamjen tënde, dhe a je penduar ndonjëherë për martesën, si do mund t’i përgjigjeshe? :)
Tani, kush i bën këto pyetje?! Se më duket ti nuk je fëmijë (qesh)?! Ka shumë mundësi që me pyetje të tilla të përballem vazhdimisht në emision dhe, nëse janë të sinqerta, ashtu siç besoj se do të jenë, do të marrin po ashtu përgjigje të sinqerta, siç e meritojnë… Prisni deri në tetor!
KLOTILDA HARKA











