
Apolonia mund Dinamon në Fier me rezultatin 2-0, ndërsa Flamurtari ka fituar me shumë vështirësi (2-1) ndaj debutuesve të Kamzës në fushën asnjanëse të Gjirokastrës.Dy ndeshjet e djeshme të javës së parë të Superiores kanë dhuruar dy fitore shtëpiake. Në fakt, ajo e Flamurtarit quhet e tillë vetëm për faktin se vlonjatët konsideroheshin skuadra pritëse, por fakt është se takimi u luajt në Gjirokastër, pasi stadiumi i Vlorës është i dënuar që nga incidentet e javës së fundit të sezonit të kaluar, në takimin Flamurtari-Skënderbeu. Gjithsesi për kronikë, vlonjatët e drejtuar tashmë nga Edmond Lutaj arritën të fitonin 2-1 falë golave të Veliut dhe Begajt, edhe pse duhet thënë se debutuesit nga Kamza zhvilluan një takim mjaft të bukur. Madje mund edhe të kishin dalë edhe me pikë nga fusha e Luftëtarit të Gjirokastrës. Ndërkaq, disa kilometra më tej, në Fier, Apolonia e drejtuar nga Stavri Nica mundi pa shumë probleme Dinamon, skuadër kjo që u ribë nga e para vetëm disa ditë para fillimit të sezonit të ri. I riu i talentuar, Renaldo Rama dhe Julian Gërxho shënuan dy golat për vendësit, ndërsa duhet thënë se Dinamo luajti për më shumë se 30 minuta me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq (dy të verdhë) të mesfushorit Asion Daja. Java e parë e Superiores do të mbyllet sot, dy ndeshjet e fundit, ku Pogradeci do presë Kastriotin, ndërsa Tirana do të luajë në “Qemal Stafa” ndaj Teutës së Durrësit. Takimet priten me interes, pasi ekipet kanë pësuar shumë ndryshime gjatë merkatos së verës.
Sina shpërfill Teutën: S’e diskutojmë fitoren!
Kapiteni Elvis Sina, në një deklaratë të dhënë për mediat, karikon skuadrën pak orë para startit. Mbrojtësi me përvojë, nuk e vë në dyshim fitoren me Teutën, jo se nënvlerëson kundërshtarin, por beson te Tirana e tij. “Nuk e diskutojmë në asnjë moment fitoren me Teutën, ndonëse durrsakët kanë treguar që kanë një ekip simpatik dhe mund të të hapë punë. Megjithatë ne, pavarësisht gjithçkaje, mbetemi Tirana dhe pretendentët kryesorë. Nuk na interesojnë kundërshtarët, nëse fitojnë apo humbasin, ajo që ne duhet të bëjmë është që të marrim çdo sfidë një e nga një dhe të sigurojmë titullin kampion, aq shumë të dëshiruar. Jemi të etur për një trofe, ndaj këtë sezon e kemi prenotuar ne!”, shprehu shkurtimisht Sina.
Superiore/ Java 1
Të shtunën
Bylis-Shkumbini 5-2
Dimo 10′ (p), 90′, Abazaj 46′, Uashington 67′, Korreshi 68’/ Dervishi 14′ (p), A.Magani 86′
Vllaznia-Laçi 3-1
Sukaj 63′, 80′, 92’/ Ermullaj 44′
Skënderbeu-Tomori 0-0
Dje
Apolonia-Dinamo 2-0
Rama 8′, Gërxho 61′
Flamurtari-Kamza 2-1
Veliu 41′, Begaj 89’/ E.Tafaj 50′
Sot
Kastrioti-Pogradeci 16:00
Tirana-Teuta 18:00
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Bylis 1 1 0 0 3
2. Vllaznia 1 1 0 0 3
3. Apolonia 1 1 0 0 3
4. Flamurtari 1 1 0 0 3
5. Skënderbeu 1 0 1 0 1 6. Tomori 1 0 1 0 1
7. Kastrioti 0 0 0 0 0
8. Pogradeci 0 0 0 0 0 9. Teuta 0 0 0 0 0
10. Tirana 0 0 0 0 0
11. Kamza 1 0 0 1 0
12. Dinamo 1 0 0 1 0
13. Laçi 1 0 0 1 0
14. Shkumbini 1 0 0 1 0
Leonard Karaj
© Panorama.al











