Apeli i dytë i Topit: Të mbyllet sa më shpejt numërimi i votave

May 13, 2011 | 10:02

Presidenti Bamir Topi ka bërë thirrje dje për të mbyllur sa më shpejt procesin e numërimit të votave. Deklaratën, kreu i shtetit e bëri gjatë një takimi me drejtoren e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Europës, Klaudia Luçiani, e cila shoqërohej nga shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Marko Lajdeker, me rastin e marrjes së detyrës në vendin tonë. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, “Presidenti Topi përshkroi ecurinë e zgjedhjeve vendore të 8 majit, veçanërisht të situatës paszgjedhore, si dhe u ndal në rëndësinë e përmbylljes sa më shpejt dhe sipas standardeve demokratike, korrekte e transparente të procesit të numërimit të votave”. Duke nënvizuar rëndësinë e funksionit të Këshillit të Europës, ku Shqipëria është anëtare që nga vitit 1995, Topi e siguroi Lajdeker për mbështetjen e institucionit të Presidentit në përmbushjen me sukses të misionit të tij në vendin tonë, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për çështje parësore për zhvillimin dhe progresin e mëtejshëm demokratik të Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare. “Luçiani e siguroi kreun e shtetit se Këshilli i Europës dhe veçanërisht zoti Lajdeker, së bashku me stafin që ai do të drejtojë, do të punojnë pa u kursyer në drejtim të konsolidimit të demokracisë, të përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor elektoral, bashkëpunimit transparent, profesional dhe efektiv me institucionet shqiptare në kuadër të përmbushjes së standardeve të duhura integruese për në Bashkimin Europian”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

© Panorama.al

Te lidhura