Shefi britanik i mbrojtjes i kërkoi NATO-s të zgjerojë gamën e objektivave të sulmeve ajrore në Libi mes shqetësimeve se konflikti mund të hyjë në rrugë pa krye. Gjenerali David Richards tha për gazetën “Sunday Telegraph” se ka rrezik që pas konfliktit, Gadafi të mbetet në pushtet, nëse NATO-ja nuk i shton sulmet. Ai tha se aktualisht NATO-ja nuk po sulmon objektet e infrastrukturës në Libi, prandaj duhet të shikojë mundësinë e shtimit të objektivave të saj dhe të intensifikojë veprimet ushtarake. Kufizimet e vëna nga anëtarët e NATO-s kërkojnë që forcat e saj të sulmojnë vetëm objektivat që përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj civilëve libianë. Zyrtarët libianë kanë akuzuar NATO-n se po shkel mandatin, duke ndërmarrë sulme me objektiv vrasjen e kolonelit Gadafi. Kryengritja në Libi kundër udhëheqësit Gadafi filloi në shkurt, ndërkohë që mbështetja nga NATO me sulme ajrore filloi në muajin mars.
Përpjekje për armëpushim
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Abdelilah al Chatib, do të provojë këtë të diel edhe njëherë që të arrijë një armëpushim në Libi. Ish-ministri i Jashtëm jordanez, njoftoi pas bisedimeve me kryeministrin grek, Giorgos Papandreou, në Athinë, se do të fluturojë për në Tripoli. Ky është udhëtimi i shtatë i Chatibit për në Libi, në përpjekje për arritjen e armëpushimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit. Greqia së shpejti do të dërgojë në Bengazi diplomatë, të cilët duhet të mbajnë lidhjet me rebelët. Ndërkohë, avionë të NATO-s sulmuan sërish objektiva në Tripoli. Televizioni libian njoftoi se është goditur sërish kompleksi ushtarak Bab al Asisija, në të cilin ndodhet edhe rezidenca e pushtetmbajtësit, Muammar al Gadafi.











