Anëtarit të KLP i nxorën SMS-të me përmbajte erotike, reagon institucioni: Shkeljet disiplinore, kompetencë e ILD dhe GJK! Po e verifikojmë

Mar 24, 2026 | 15:20

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar pas publikimit në një emision investigativ të disa mesazheve telefonike me përmbajtje erotike, që i atribuohen njërit prej anëtarëve të këtij institucioni, në komunikim me një denoncuese.

KLP-600x341Gjithashtu, KLP sqaron se ankesa e qytetares është përcjellë për shqyrtim pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përputhje me procedurat ligjore.

Reagimi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndjekur me shqetësim përmbajtjen e transmetuar gjatë emisionit investigativ “Stop”, ditën e hënë, datë 23.03.2026. Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.

Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.

Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.

© Panorama.al

Te lidhura