Amnistia, shembujt si do përfitohet

May 8, 2011 | 12:03

Amnistia e pjesshme fiskale, e cila në thelb do të ketë legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor, pritet që shumë shpejt të hyjë në fuqi.Nga kjo amnisti, ashtu sikurse është lakuar nga Ministria e Financave, në qendër për përfitimet është vendosur qytetari. Për individët, amnistia parashikon falje, rivlerësim të pasurive të paluajtshme, por edhe legalizim të parave me kuota të favorshme. Gazeta boton sot një numër shembujsh për mënyrën se si duhet kuptuar amnistia dhe si është realisht përfitimi i qytetarit dhe biznesit, ilustruar me shifra konkrete. Konkretisht, një individ mund t’i legalizojnë paratë e tij duke paguar vetëm 3 për qind të shumës së legalizuar. Por, në këtë pikë ka edhe një kusht, që kapitali i legalizuar nuk duhet të nxirret jashtë vendit në më pak se dy vjet, në të kundërt, mbahen penalitete që rëndohen sa më herët të jetë koha e transferimit. Lidhur me pasuritë e paluajtshme dhe rivlerësimin, qytetarët mund të paguajnë një për qind të diferencës mes vlerës së deklaruar dhe vlerës reale sot. Një përfitim i madh u është rezervuar edhe atyre që deri në fund të vitit 2010 kanë importuar një makinë dhe nuk e kanë zhdoganuar atë. Me ligjin e amnistisë, atyre u mundësohet që ta zhdoganojnë makinën duke paguar vetëm 50 për qind të principalit. Njëkohësisht me këtë u falen edhe gjobat apo kamatëvonesat. Për individët, një falje “bujare” e qeverisë është edhe borxhi 380 milionë USD i borxhit të faturave të papaguara të dritave, si dhe faturat e papaguara të ujit, të cilat u përfshinë edhe ato në këtë ligj. Biznesi në këtë ligj përfiton nga falja e një pjese të borxhit doganor dhe tatimor, i cili zerohet vetëm nëse paguhet një përqindje e caktuar e principalit për dy vitet e fundit të detyrimeve, 2009 dhe 2010. Po kështu, tani biznesi do të mund të rivlerësojë pasuritë e paluajtshme me vlerën reale dhe makineritë, ku do t’i njihet edhe amortizimi. Përqindja e tarifës për rivlerësimin e makinerive nga 6 për qind, që u caktua fillimisht, u ul në 3 për qind, për shkak të kundërshtimeve nga biznesi.

40 miliardë
lekë është vlera që qeveria po i fal biznesit dhe qytetarit si taksa dhe borxhe të papaguara për: taksat lokale, fatura të papaguara energjie dhe uji, borxh doganor dhe tatimor dhe gjithë kategoritë që përfshin ligji.

35 për qind
Deri në këtë masë llogaritet që të jetë niveli i ekonomisë informale në vendin tonë, e cila, përmes amnistisë
fiskale, do të formalizohet dhe mendohet të sjellë rreth 3.5 miliardë lekë të ardhura.

Ligji hyn ne fuqi me 18 maj

I dekretuar nga Presidenti dhe botuar më pas në Fletoren Zyrtare të datës 3 maj 2011, ligji “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit doganor dhe tatimor” hyn në fuqi më datë 18 maj. Pas kësaj do të fillojë zbatimi i tij dhe individët dhe bizneset e interesuara, për të përfituar, duhet të veprojnë.

BB: Kujdes me amnistinë

Amnistinë fiskale në vetvete e kanë shoqëruar një sërë pikëpyetjesh të ngritura nga institucione dhe palë të ndryshme. Banka Botërore, përmes përfaqësueses së saj në Shqipëri, Ksenyia Lvovsky, u shpreh se duhet pasur kujdes nga amnistia, pasi nuk duhet të krijohet një moral i gabuar fiskal për individët dhe bizneset që mund të nxiten të mos i paguajnë detyrimet. “E rëndësishme është që si procesi i zbatimit, edhe ai i përjashtimeve nga amnistia, të bëhen në mënyrë transparente, të paanshme dhe të pavarur. Është e rëndësishme që amnistia të bëhet në mënyrë të tillë që të eliminohet rreziku moral”, u shpreh atëherë Lvovsky. Por, nëse BB shprehu rezerva të pjesshme, FMN-ja anonte më shumë për “jo” për amnistinë fiskale.

Shembujt si përfitohet nga amnistia

Paratë
Individi ose biznesi, një shumë të hollash, të cilat nuk janë tatuar më parë dhe kanë si burim (për individin: një punë të dytë, të ardhura nga emigracioni; për biznesin: mospagimin e taksave apo mosdeklarimin e saktë të të ardhurave etj.), për t’i legalizuar këto para duhet që të paraqesë një formular aplikimi për depozitim të shumës së disponuar në një numër llogarie bankare (për bizneset duhet edhe numri i NIPT-it). Aplikimi plotësohet në dy kopje. Me derdhjen e shumës në bankë, ajo tatohet 3 për qind si tatim në burim dhe banka më pas e transferon në llogarinë e Thesarit të Ministrisë së Financave.
– Shembulli
Një individ ose një biznes që ka 10 milionë lekë të mbledhura për një X periudhë nga puna e tij e dytë. Këto para do të tatohen 3 për qind për t’u legalizuar.
3% i 10 milionëve = 300 mijë lekë
10 milionë – 300 mijë lekë = 9 milionë e 700 mijë lekë
9.7 milionë lekë tashmë janë të legalizuara dhe të deklaruara në llogarinë bankare dhe individi nuk do të ketë më asnjë detyrim tatimor për të paguar lidhur me këtë shumë.
Pronat
Individ
Në rast se një individ disponon një apartament, të cilën e ka deklaruar të blerë me një vlerë X, sot vlera e kësaj prone është disa herë më e lartë dhe individi mund të bëjë një rivlerësim të saj, të paguajë tarifën 1 për qind të diferencës dhe ta legalizojë pronën me vlerën reale.
Shembull
1. Një X individ ka blerë apartament të deklaruar me vlerën 20 milionë lekë në vitin 1999. Sot vlera reale e është 80 milionë lekë. Individit, për ta legalizuar, do t’i duhet që të paguajë një për qind të diferencës mes dy vlerave.
80 milionë vlera reale – 20 milionë vlera e deklaruar = 60 milionë lekë. 1% për qind është tarifa e legalizimit e vendosur në ligj.
1% e 60 milionëve është = 600 mijë lekë. Pra, individit i njihet apartamenti në vlerën reale vetëm me 600 mijë lekë të paguar.
Biznes
2. Për biznesin, tarifa për pasuritë e paluajtshme është 3%.
Nëse i referohemi shembullit të mësipërm dhe në vend të apartamentit po marrim zyra, atëherë biznesi do të paguante 3 për qind të 60 milionë lekëve = 1 milion e 800 mijë lekë.
Asete
Makineritë apo pajisjet
Në rast se një biznes ka blerë një makineri dhe nuk ka deklaruar vlerën reale të saj, mund ta bëjë këtë kundrejt pagesës së tarifës 3 për qind, pas rivlerësimit të makinerisë, përfshirë këtu dhe amortizimin.
Shembull
Një biznes ka blerë një linjë të përpunimit të qumështit në vitin 2006. Vlera reale me të cilën u ble kjo linjë është 2 milionë euro, por vlera në të cilën është deklaruar kjo blerje rezulton të jetë 500 mijë euro. Me ligjin për amnistinë, biznesi mund të deklarojë vlerën reale të makinerive apo linjës së prodhimit dhe tarifa me të cilën do të tatohet është 5 për qind e vlerës aktuale të makinerisë. Kështu, nga 2 milionë euro do të zbriten 500 mijë euro = 1.5 milionë euro. Do të përfshihet në përllogaritje edhe amortizimi i linjës në 6 vite (2011-2005 = 6 vjet), e cila do t’i zbritet diferencës së parë prej 1.5 milionë eurosh.
Amortizimi në gjashtë mund të vlerësohet në nivelin 200 mijë euro.
1.5 milionë euro – 200 mijë euro = 1.3 milionë euro.
Biznesit do t’i duhet të paguajë 5 për qind të 1.3 milionë eurove për të legalizuar këtë kapital.
3% e 1.3 milionë eurove = 65 mijë euro.
Për t’i kthyer në lekë eurot: 65 mijë euro x 138 lekë = 89 milionë lekë. Kjo do të jetë shuma që do t’i duhet të paguajë biznesi për të legalizuar linjën e prodhimit.
Falja e detyrimit tatimor
Nëse një biznes ka detyrime të papaguara për vitin 2009 dhe për këtë arsye ka edhe gjoba, atij i falet ky borxh nëse paguan 30 për qind të principalit të detyrimit.
Shembull
Një biznes nuk ka paguar gjatë vitit 2009 TAP dhe për këtë është gjobitur. Vlera pa gjoba që qytetari ka është, le të themi, një milion lekë. Bashkë me gjobat, vlera e detyrimit shkon 2.2 milionë lekë. Atëherë ky detyrim i falet qytetarit nëse paguan 30 për qind të principalit, që në rastin tonë është një milion lekë. 30% e 1 milion lekëve = 300 mijë lekë. Qytetari duhet të paguajë 300 mijë lekë në mënyrë që t’i falet vlera 2.2 milionë lekë si detyrim tatimor i papaguar gjatë vitit 2009.
Viti 2010
Nëse një biznes nuk ka paguar TAP gjatë vitit 2010 dhe administrata doganore ka vendosur gjobat përkatëse për mosrespektim të ligjit, atëherë qytetarit i falet ky detyrim vetëm nëse paguan 50 për qind të principalit.
Shembull
Kështu, nëse vlera fillestare e taksave që duhet të paguante biznesi përgjatë një viti për TAP është 1 milion dhe vlera e gjobave 1.2 milionë, atëherë vlera totale e detyrimit është 2.2 milionë lekë. Biznesit i falet detyrimi nëse paguan 50 për qind të një milion lekëve. Pra, 50% e një milionëshit është 500 mijë lekë. Biznesi, në mënyrë që t’i falet detyrimi 2.2 milionë për vitin 2010, duhet të paguajë 500 mijë lekë.
Zhdoganimi i makinave
Të gjithë ata që kanë importuar një makinë deri në dhjetor të vitit 2010 dhe nuk kanë paguar detyrimet doganore, mund ta zhdoganojnë tani makinën vetëm duke paguar 50 për qind të këtij detyrimi.
Shembull
Taksa e një makine në vend llogaritet sipas formulës së përcaktuar nga Ministria e Financave. Në këtë formulë përfshihet cilindrata, koeficienti fiks për çdo vit përdorimi, si dhe taksa fikse për llojin e karburantit. Nëse marrim si shembull importimin e një automjeti me cilindratë 2500 cm3, e prodhuar në vitin 2005 dhe që punon me naftë, përllogaritja e taksës do të ishte: 2500 cm3 x 6 (vite që nga prodhimi 2011-2005) x 0.5 koeficienti fiks për çdo vit përdorimi, x 25 taksa fikse për llojin e karburantit, taksa që duhet të paguhet në fund është 187,500 lekë. 50 për qind e 1 milion e 875 mijë lekëve është 930 mijë e 750 lekë. Kaq do të jetë edhe shuma që do të paguhet për të zhdoganuar makinën. Së bashku me 50 për qind të principalit të falur falen edhe gjobat që mund të jenë marrë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura