Amnistia, legalizohen 9.5 milionë USD

Jan 9, 2012 | 10:28

Paratë depozitohen në banka, dalin jashtë vendit 223 mijë USD.

Nga amnistia qyt-etarët kanë legalizuar 9.5 milionë USD. Bëhet fjalë për para që deri ditën që janë deklaruar kanë qenë të fshehura, të padeklaruara. Shifra e fundit e publikuar nga Ministria e Financave tregon se shteti nga taksimi i këtyre parave ka përfituar rreth 287 mijë USD. Sipas Financave, nga “Tatimi në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët janë arkëtuar 28.729 milionë lekë”. Tatimi në burim i legalizimit të parave është 3 për qind e shumës që deklaron qytetari. Me një llogari të thjeshtë del që qytetarët kanë deklaruar 957.633 milionë lekë, ose rreth 9.5 milionë USD. Këto para, sipas ligjit, tani janë “të pastruara”, pra edhe pse u janë shmangur detyrimeve të mëparshme, tani janë në banka dhe mund të përdoren lirshëm nga qytetarët. Ky ishte në fakt synimi kryesor i amnistisë, deklarimi i parave gri, që qytetarët në një mënyrë ose tjetër (përjashto ato kriminale) kishin fituar duke shmangur sistemin tatimor të deklarimit. Por, pas më shumë se gjysmë viti nga fillimi i amnistisë, shuma e deklaruar është vetëm 9.5 milionë euro. Sidoqoftë, po të shikosh tabelën e të ardhurave të financave, vihet re qartë një shtim i interesit nga qytetarët. Vetëm një muaj më parë, shifra e të ardhurave të Financave ishte 17.684 milionë lekë, ose e thënë më qartë, qytetarët kishin deklaruar 5.89 milionë USD. Shtimi vetëm për një muaj me 4 milionë USD, tregon qartë rritjen e interesit.
Paratë jashtë vendit
Ligji parashikon që paratë që legalizohen, pra që futen në bankë pasi kanë përfituar nga amnistia, mund të dalin edhe jashtë Shqipërisë. Pra, individi mund t’i transferojë ato në banka të tjera të botës. Për këtë, tarifa e amnistisë është 13 për qind e shumës që transferohet. Financat tregojnë se kanë përfituar si tatim, nga transferimi jashtë i parave, 2.9 milionë lekë. Pra, nga amnistia janë larguar nga vendi 22.3 milionë lekë, ose rreth 223 mijë USD. Një shumë modeste kjo në krahasim me paratë që janë legalizuar.
Biznesi
Biznesi është dështimi i amnistisë. Të paktën deri tani, pasi muajin e fundit kërkesat e larta detyruan qeverinë të shtojë edhe me 90 ditë afatin e deklarimit. Shifrat e financave tregojnë se nga rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme nga individët janë mbledhur 629.9 milionë lekë. Bëhet fjalë për rivlerësimin e çmimit të shtëpive dhe pronave. Taksa në këtë rast është 1 për qind. Kjo do të thotë se individët kanë rivlerësuar pasuritë e tyre në një vlerë prej 62.9 milionë USD. Ndërsa biznesi është akoma në shifra tepër të ulëta. Shifrat e financave tregojnë se nga taksimi 3 për qind, për rivlerësimin e pasurisë së personave juridikë, janë mbledhur 2.1 milionë lekë, ose 21 mijë USD. Kjo përkthehet me rreth 700 mijë USD prona të legalizuara, të rivlerësuara nga biznesi. Në fund të këtij procesi, tabela e Financave tregon se nga amnistia qeveria ka përfituar 663.7 milionë lekë të ardhura, ose rreth 6.6 milionë USD. I vetmi optimizëm është që bizneset dhe individët, të paktën muajin e fundit kanë treguar në rritje të interesit për amnistinë. Shtyrja e afatit edhe për tre muaj është prova e fundit e suksesit të provës më të madhe fiskale të këtyre 20 viteve të fundit.

Arkëtimet e Financave
.    “Tatim në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët (tarifa, 3 për qind e shumës)”
U arkëtuan        28.729.255 lekë

.    “Tatim nga rivlerësimi i pasurisë së personave juridikë (tarifa, 3 për qind e shumës)”
U arkëtuan        2.123.058 lekë

.     “Tatim nga rivlerësimi i pasurisë së individëve (tarifa, 1 për qind e shumës)”
U arkëtuan     629.971.123 lekë

.    “Penalitete kur kapitali i legalizuar e i depozituar transferohet jashtë shtetit (tarifa, 13 për qind e shumës)”
U arkëtuan     2.969.555 lekë

Totali i arkëtimeve, 663.792.992 milionë lekë

DEKLARIMI: Qytetarët duhet të legalizojnë kapitalin dhe pastaj ta deklarojnë
Shtyrja e amnistisë zgjat afatin edhe për deklarimin e të ardhurave

Ligji për amnistinë fiskale u shty me tre muaj nga qeveria, me argumentin e rritjes së interesit nga biznesi për të përfituar. Më herët, ky komunitet kishte shprehur interes për ta shtyrë afatin dhe për të bërë disa ndryshime të kërkuara në ligj, në kuadër të rritjes së garancisë dhe sigurisë për efektet që do të kishte më vonë vetëdeklarimi. Por, paralelisht me ndryshimin e  afatit të amnistisë, është vendosur që të shtyhet afati i deklarimit në ligjin për deklarimin individual të të ardhurave. Afati i dorëzimit të formularit të deklarimit nga 30 prilli tashmë, me disa ndryshime të bëra nga Financat, është shtyrë më 1 shtator. Të dy ligjet, si ai për legalizimin e kapitalit, ashtu edhe ai i deklarimit të të ardhurave shihen nga Ministria e Financave si të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo, në pikëpamjen që qytetarëve dhe bizneseve u lihet kohë e mjaftueshme për të legalizuar atë kapital që e kanë ende të palegalizuar deri në përfundim të amnistisë. Më pas, ata bëjnë deklarim të saktë të të ardhurave të tyre, duke i klasifikuar këto të ardhura si të krijuara para hyrjes në fuqi të ligjit.
Në ndryshimin që i është bërë ligjit për deklarimin e të ardhurave, përfshihet edhe rritja e tavanit të deklarimit të detyrueshëm, i cili në ligj ishte 200 mijë lekë, ndërsa tani kjo vlerë është rritur në 2 milionë. Nga ana e Ministrisë së Financave kjo është bërë për të pasur një numër më të kufizuar deklaruesish, të cilët do të mund të menaxhohen në mënyrë më efektive. Më pas, deklarimi i detyruar do të shtrihet në mënyrë graduale në një tavan më të ulët se 2 milionë lekë. Deri më 1 shtator, çdo qytetar duhet të ketë plotësuar deklarimin e tij individual të të ardhurave, ndërkohë që amnistia si proces mbyllet në muajin mars të këtij viti.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura