Amendamenti i PE, aktivisti: Dolëm për Zvërnecin, por në këtë shesh kërkohet dorëheqja e kryeministrit! Rama në burg, Berisha në burg! Drejtësia t’i hetojë

Jun 17, 2026 | 19:47

Një prej protestuesve, Edison Likaj, ka deklaruar në tubimin e sotëm se diskutimet e zhvilluara në Parlamentin Europian për amendamentin e ligjit për zonat e mbrojtura, përbëjnë një fitore të rëndësishme për qytetarët që prej 18 ditësh protestojnë kundër projekteve në Zvërnec dhe zona të tjera të mbrojtura.

Sipas tij, ky zhvillim nuk duhet parë si një rastësi, por si rezultat i reagimit qytetar që ka vijuar prej javësh.

“Dhe kjo nuk është një fitore e vogël, nuk është rastësi, as dhuratë që na vjen neve. Kjo është ajo kërkesë që kemi bërë prej ditës së parë dhe arritëm fitore”, tha ai, ndërsa shtoi se  “Ne këtu, më të vërtetë, kemi dalë për atë ligj, për Zvërnecin, për Rrjollin në ditët e para, por prej ditësh duhet t’i themi të gjithë botës që në këtë shesh kërkohet dorëheqja e kryeministrit. “Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!”.

Në fund të fjalës së tij, Edison Likaj përsëriti thirrjen drejtuar institucioneve të drejtësisë për hetimin e kryeministrit dhe kreut të PD-së, ndërsa turma thirri njëzëri: “Rama në burg, Berisha në burg”.

 

Protestuesi: Faleminderit që keni ardhur përsëri sot për t’i treguar këtij pushteti që ne nuk do të ndalemi. O ne, o ti!

Sot ka ndodhur një ngjarje e madhe që lidhet me protestën. Në Parlamentin Europian është folur qartë se ligji për zonat e mbrojtura duhet të amendohet, duhet të kthehet mbrapsht.

Dhe kjo nuk është një fitore e vogël, nuk është rastësi, as dhuratë që na vjen neve. Kjo është ajo kërkesë që kemi bërë prej ditës së parë dhe arritëm fitore.

Ama ne e dimë që nuk mjaftohemi dhe nuk kënaqemi me kaq. Ne këtu, më të vërtetë, kemi dalë për atë ligj, për Zvërnecin, për Rrjollin në ditët e para, por prej ditësh duhet t’i themi të gjithë botës që në këtë shesh kërkohet dorëheqja e kryeministrit. “Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!”

Prandaj, kjo fitore le të jetë vetëm hapi i parë drejt fitores së madhe dhe jo fitore në vetvete. Ne do të jemi këtu derisa ata që e kanë katandisur vendin në këtë pikë të përfundojnë prapa hekurave.

Përsëri, si përditë, u kërkojmë organeve të drejtësisë hetim për kryeministrin. Rama në burg, Berisha në burg. Siç e thamë edhe në fillim ne jemi këtu më të vendosur se më parë, ne do të qëndrojmë, nuk dorëzohemi. Ai do iki.

© Panorama.al

Te lidhura