
Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, tha dje se procesi i integrimit nuk është marrë seriozisht nga politika shqiptare. “Mendimi im pasi kam ndjekur Shqipërinë për tre vjet tashmë, mund të them se Shqipëria nuk është duke e konsideruar integrimin seriozisht. Mund të them se shikoj një hap përpara, dy hapa mbrapa. Ndonjëherë edhe hapa anash, që shpesh merren si një hap prapa. Kërkoj ndjesë që jam kaq i hapur dhe i drejtpërdrejtë, pasi mendoj se shqiptarët duhet të dinë dhe të mësojnë si është gjendja e punëve”, u shpreh ambasadori danez në Tiranë, Jensen, gjatë një interviste televizive në Top Channel. I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë në politikëbërjen që do të çojë në realizimin e reformave integruese, ambasadori Jensen tha se: “Do të preferoja mos t’i hyja diskutimit se kush duhet fajësuar. Mesazhi kryesor duhet të jetë se çfarë nevojitet të ndryshojë është politika dhe gjithçka që e rrethon, apo mënyra se si politika ndërtohet në Shqipëri. Kjo mënyrë nuk është në përputhje me atë që BE-ja i kërkon Shqipërisë në lidhje me integrimin. Nga ana tjetër, mendoj se populli shqiptar punon shumë për të përmirësuar jetën e tyre dhe të familjeve. Këta janë ata që po punojnë për ecjen përpara të Shqipërisë drejt BE-së. Kjo nuk mjafton. Politikanët duhet të bëjnë punën e tyre. Por, fatkeqësisht, kjo gjë nuk është duke ndodhur dhe vërej se nuk ka ndodhur gjatë afro tre vjetëve që unë jam në Shqipëri. Dhe për sa kohë kjo nuk do të ndodhë, pasojat do të jenë evidente me mbyllje të derës për në BE. Por populli shqiptar nuk e meriton këtë, pasi ata janë europianë në zemrat e tyre”, u shpreh ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë.











