
TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur dje kompromisin e arritur në Parlament dy ditë më parë për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe votimin e dy kodeve me shumicë të cilësuar. Në një deklaratë për shtyp të Ambasadës thuhet se “Ambasada e SHBA mirëpret hapat fillestarë të Kuvendit drejt trajtimit të reformave kritike të rekomanduara nga BE dhe OSBE, veçanërisht ngritjen e një Komisioni ad-hoc për Reformën Zgjedhore si dhe miratimin e dy ligjeve që kërkonin një shumicë të cilësuar. Nxisim të gjithë udhëheqësit politikë që të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ruajtur këtë hov pozitiv”. Një ditë më parë, lidhur me kompromisin e forcave politike, reagoi edhe komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, i cili tha se “inkurajoj fuqishëm maxhorancën qeverisëse dhe opozitën që të ndërtojnë mbi këto zhvillime pozitive, duke rivendosur dhe ruajtur tërësisht dialogun konstruktiv politik, për të mundësuar funksionimin e duhur të institucioneve kyçe demokratike, sidomos të Parlamentit, dhe të arrijnë rezultate të një reforme zgjedhore konsensuale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHRit dhe të Komisionit të Venecias. E gjithë kjo duhet të rezultojë në krijimin e një momenti të ri për reformat e integrimit europian”.











