Alida Duka: Jeta ime në Gjermani mes këngës, pianos dhe menaxhimit të teatrit

Jan 28, 2012 | 13:46

Këngëtarja e re, Alida Duka, së shpejti pritet që të befasojë me surprizat të cilat është duke i përgatitur për këtë vit. Ne kontaktuam këngëtaren për të mësuar se çfarë është duke punuar dhe si po ecën jeta e saj në Gjermani, dhe ja çfarë mësuam nga ajo. ‘’Plani i parë që dua të realizoj këtë fillim viti është kënga ‘’Let me be the one’’ për MTV, e cila edhe pak ditë është në përfundim, si edhe balada ‘’S’të fal’’, të cilën dua ta sjell në fund të muajit në televizionet shqiptare’’, thekson këngëtarja për planet në muzikë, duke thënë se pas këtyre këngëve ajo do të shfaqet dhe me një duet, për të cilin nuk dëshiron të zbulojë detaje. ‘’Më tej do të paraqitem ose me bashkëpunim, për të cilin nuk kam vendosuar ende se me kë, sepse kam pasur shumë oferta, ndaj nuk mund t’ju them akoma saktësisht’’, tregon Alida. Ne e pyetëm gjithashtu edhe për disa gjëra të tjera rreth jetës së saj në Gjermani. ‘’Këtu kam mbi 13 vite dhe jetën e kam ndërtuar tashmë dhe e kam të vështirë të kthehem, nuk është ende momenti’’, thotë këngëtarja, e cila jeton dhe punon në Hannover. ‘’Këtu punoj në studion Five në Hannover me Ulli-Hamman dhe Moe Phonix, më pëlqen të punoj me ta, sepse në radhë të parë janë shumë korrektë dhe të përpiktë, gjë që është shumë kryesore për mua’’. Kurse gjatë gjithë javës Alida është dhe pedagoge e pianos për fëmijë dhe njëkohësisht menaxhon një teatër atje. ‘’Gjatë javës jap mësime private pianoje për fëmijë, si edhe njëkohësisht jam menaxhere e kulturës për teatrin ‘’Niemmeland’’ në Hannover, kurse fundjavat ngelen për realizimin e këngëve, klipeve ose koncerteve’’, përfundon rrëfimin këngëtarja simpatike.                                                                                                                    bl. re

© Panorama.al

Te lidhura