“Aleks” është një emër i përhapur në Shqipëri. Ka shumë Aleksë. Por që prej një viti ka vetën një Aleks që u shkon ndër mend të gjithëve kur e dëgjojnë këtë emër. Aleks Nika, 36-vjeçari nga Lezha. Është ai që u godit me plumb në kokë në demonstratën e 21 janarit, rreth orës katër pasdite, në trotuarin e Kullave Binjake përballë Kryeministrisë dhe Kryeministrit Sali Berisha. Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë u bashkua me shokët e tij të përjetësisë, me Hekuranin, Ziverin dhe Faikun. Nuk do t’i harroj kurrë çastet kur u vranë këta njerëz, cijatjen e plumbave të Gardës dhe fytyrën tinëzare të vdekjes që doli nga strofulla kur demonstrata po shpërndahej, për të hedhur kufoma në oborrin e opozitës. Ata plumba, ajo masakër, ato jetë të humbura e ndanë më dysh kohën e Shqipërisë. Nuk e imagjinonim dot para kësaj date se në Shqipëri mund të vriten njerëz ngaqë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së tyre. Nuk e harroj çastin kur mora lajmin e kobshëm se ishte goditur për vdekje edhe Aleksi, djali i vetëm i Ndue Nikës, nga Grykë-Manatia e Lezhës. Gjatë rrugës për në spital pata kohë t’i mendoj përmasat e gjëmës në shtëpinë e tij. Sepse ishte i ri, sepse ishte djali i dy prindërve të vuajtur, por kryelartë, bashkëshorti i një malësoreje sojnike, babai i dy vajzave të vogla, vëllai i vetëm i katër motrave, sot gjithashtu krenaria e Lezhës dhe e gjithë Shqipërisë. Aleksi ishte shtylla e shtëpisë, një njeri i dalë, optimist, dikush që ka ngritur me mund dhe djersë shtëpinë e tij të re dhe biznesin e tij të vogël në vendlindje, që përpiqet për më mirë, që ëndërron për më mirë, që nuk pajtohet me të keqen. Ka mijëra e mijëra njerëz që marrin pjesë në protestat e opozitës ngaqë nuk kanë punë, nuk kanë para për të përballuar nevojat minimale të jetesës, nuk kanë bukë për fëmijët e tyre. Aleksi përfaqësonte një tip tjetër protestuesi, po aq të respektuar: protestuesin me vetëdije të ngritur që lufton para së gjithash për dinjitet në kuptimin më të gjerë të fjalës. I rreshtuar politikisht, por jo fanatik partiak. Përdorues i lirisë, ithtar i drejtësisë, dikush që nuk ia kërkon qeverisë atë që mund ta bëjë si individ dhe, nga ana tjetër, nuk tërhiqet si individ për atë që duhet t’ia kërkojë qeverisë ky ishte Aleksi. Në këto konture e shohim tipin opozitarit popullor, që Shqipëria vazhdon ta krijojë, që po vjen duke u shumuar, për t’u bërë me kalimin e kohës shtylla herkuliane e demokracisë në këtë vend. Patën thënë për të në ditën e katërt apo të pestë të dergjjes në koma, kur s’kishte mundësi të përgjigjej, se kishte ardhur në protestë sepse i kishin premtuar këtë dhe atë. Kjo është mendësia që ka kultivuar e kultivon qeveria e sotme e tavolinës dhe e kulisave: sipas saj, në këtë vend nuk ka njerëz të lirë, nuk ka motive të ndershme, por vetëm interesa të vogla dhe pazare. Nuk është e vërtetë, nuk do të jetë e vërtetë. Ekziston dhe do të ekzistojë “Protestuesi shqiptar” me “P” të madhe, ekziston kjo bashkësi e pararojës, garantja numër një e lirisë dhe e demokracisë në këtë vend. Katër u vranë një vit më parë. Është detyrimi i opozitës të kërkojë deri në fund drejtësi për Hekuranin, për Faikun, për Ziverin dhe për Aleksin. Dita kur ligji të thotë fjalën e vet solemne për fajtorët e masakrës së 21 janarit dhe besoj se kjo ditë është më afër se kurrë, do të jetë sërish dita që do të ndajë më dysh historinë e re të Shqipërisë. Por ajo që do të vijë më pas do të jetë demokraci, shtet ligjor, Shqipëri europiane. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! *Fjala e mbajtur dje në ceremoni
© Panorama.al












