Aleatët: Përmirësim sistemit, numërim elektronik

Nov 21, 2011 | 12:41

TIRANË- Duke theksuar se sistemi aktual zgjedhor cenon hapur barazinë e votës, partitë e vogla kërkojnë nga dy të mëdhatë barazi ligjore mes subjekteve, rregullim të sistemit zgjedhor aktual që garanton barazinë e votës ne përputhje me kushtetutën dhe standardet.

Me këtë deklaratë kanë dalë sot krerët e partive të vogla të opozitës dhe mazhorancës mbledhur në të parën tryezë për reformën zgjedhore, që pritet të pasohet nga një tjetër tashmë në nivel ekspertësh.

Në mbyllje të mbledhjes, Paskal Milo lexoi për mediat deklaratën e përbashkët me të cilën këto parti i drejtohen PD-së dhe PS-së, si kusht për realizimin e reformës zgjedhore.

“Sistemi aktual i zbatuar formalisht cenon hapur barazinë e votës mes qarqeve, koalicioneve duke e deformuar atë. Për këtë mjafton fakti që 230 mijë vota të partive tona në 2009 janë përkthyer në vetëm 7 mandate. Jemi të mendimit se sistemi spanjoll është i përmirësueshëm për të rifituar natyrën e tij të proporcionalitetit pa deformime”- tha Milo.

Sipas tij partitë kërkojnë përmirësimin e sistemit mes korrektimit kombëtar pa pragje eliminuese dhe deformuese, që mundëson që cdo parti të marr mandatet që i takojnë sipas votave, ulur numrin e zonave zgjedhore dhe përmirësimin e procesit të administrimit mes strukturave gjithëpërfshirëse.

“Partitë bien dakord të kërkojnë edhe numërimin elektronik të votave, lista të hapura. Partitë  do konsultohen në vazhdimësi për cështje të tjera të reformës për të koordinuar qëndrimet e mëtejshme. Partitë ranë dakord që nga kjo tavolinë të nisë puna për një tryezë tjetër ajo e ekspertëve për të detajuar mendimet që atje ku mundemi të përfaqësohemi dhe të flasim me një zë të vetëm”- tha Milo.

Kërkesat e partive të vogla
.    Korrektim kombëtar i sistemit zgjedhor

.    Pjesëmarrje të partive të vogla në administrimin e zgjedhjeve

.    Votim elektronik dhe numërim elektronik i votave

.    Transparencë të financimeve të partive politike në zgjedhje

.    Rregullim të hapësirave televizive për partitë e vogla në fushatat zgjedhore

© Panorama.al

Te lidhura