Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë të jenë pjesë e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.Të martën e ardhshme, në tryezën e parë zyrtare të partive opozitare, ata do t’i paraqesin kryetarit socialist Edi Rama propozimet e tyre me shkrim lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa rreshtojnë disa prioritete. Nisur dhe nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por dhe të kreut të këtij Misioni, Xhonatan Stonstrit, reforma zgjedhore duhet të përfshijë si partitë parlamentare, ashtu dhe ato jashtë Parlamentit. Aleatët e PS-së e shohin këtë pikë shumë të rëndësishme, pasi siç shprehen ata, reforma aktuale e hartuar dhe miratuar nga dy partitë kryesore, PD-PS, vetëm dëmtoi demokracinë dhe zgjedhjet në Shqipëri. “Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të mos jetë bipartizan, sepse produkti do të jetë i njëjtë me atë të 2008-s. Duhet të jetë një komision me parti parlamentare dhe joparlamentare, me partitë kryesore sipas rezultatit të fundit zgjedhor. Nuk do të pranojmë që të përfaqësohemi në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore nga Partia Socialiste. Kërkojmë të jemi pjesë e këtij komisioni dhe me të drejtë vote”, u shpreh Paskal Milo.
Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh se “të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta dhe flasin për një prezencë të të gjitha partive parlamentare, dhe jo në reformën zgjedhore”. “Nuk duhet të jetë bipartizan, sepse ka dhënë rezultate shumë negative për demokracinë në Shqipëri”, u shpreh Ndoka. Sipas kreut të PSV 91, Petro Koçi, “duhet të gjendet një formulë që të kapërcejë nivelin dypartiak të bërjes së reformës zgjedhore në Komisionin Parlamentar për Reformën”.
Sistemi
Paskal Milo, Nard Ndoka dhe Petro Koçi kërkojnë ndryshim të sistemit aktual zgjedhor. “Ne si PDS do të propozojmë sistem proporcional kombëtar ose korrektim të sistemit proporcional rajonal, pasi sistemi i zgjedhur nga PD dhe PS vetëm i dëmtoi partitë e tjera dhe vetë zgjedhjet në vend”, u shpreh kreu i PDS-së, Paskal Milo për gazetën “Panorama”. Ndërsa kreu demokristian, Nard Ndoka, propozon një sistem proporcional rajonal me zona më të mëdha zgjedhore, për t’i dhënë një peshë specifike të barabartë votës së qytetarëve në të gjithë vendin. “Ne jemi për sistem proporcional rajonal jo me 12 qarqe, por me 6 qarqe të mëdha. Skema e 12 qarqeve për ne është antikushtetuese, sepse nuk krijon barazinë e votës së çdo qytetari nga njëri qark në tjetrin, por kemi dhe diskriminim të partive nga ky sistem, ku mijëra vota mbeten të pallogaritura. Mund të krijohet një model me 6 zona që të jenë të barabarta, si peshë specifike e votës”, u shpreh Ndoka. Për Petro Koçin, kërkohet kthim në sistemin maxhoritar duke e bashkuar votën e partisë me kandidatin, ose korrektim të proporcionalit rajonal.
KQZ
Aleatët e PS-së kërkojnë një administrim ndryshe të votës përmes komisioneve zgjedhore rajonale, por dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për kreun e PDS-së, Milo, “përbërja e komisioneve zgjedhore duhet të jetë jobipartizane dhe jopolitike, që nga KQZ-ja e deri te komisionet më të ulëta. Milo këmbëngul në propozimin e tij të hershëm për një votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme. Edhe aleati tjetër i PS, Nard Ndoka, kërkon administrim jopolitik të zgjedhjeve, ndërsa shprehet se numërimi i votave duhet të bëhet në çdo qendër votimi. “Administrimi i zgjedhjet të bëhet jo me përfaqësues partiakë, por me gjykatës, punonjës civilë, duke parë dhe modele të tjera. Duhet të çlirohen nga zgjedhjet nga përfaqësuesit partiakë”, u shpreh Ndoka, ndërsa propozon se në votim duhet të identifikohet çdo zgjedhës në mënyrë elektronike, përmes kartës së identitetit. Kreu i PSV 91, Petro Koçi, kërkon më shumë vëzhgues partiakë në qendra e votimit dhe komisionet zgjedhore. “Në administrimin e votës kërkohet më shumë pjesëmarrje e partive në sistemin e vëzhgimit. Në komisionet zgjedhore, ose të rritet numri i partive që marrin pjesë në to, ose të gjendet një formulë që komisionet të jenë jopolitike, por gjithnjë me vëzhgues të të gjitha partive në garë”, u shpreh Koçi.
ARISTIR LUMEZI











