
Surpriza më e bukur në Edicionin e 18-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group është stenda e Albafilm, ish-Kinostudios “Shqipëria e Re. Në një mbrëmje të veçantë të organizuar nga Albafilm, me praninë e shumë personaliteteve të njohur artistikë të filmit shqiptar, Drejtori i këtij institucioni Fatmir Musai i shoqëruar nga Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group Luan Muhametaj prezantoi idenë e ngritjes së Muzeut të Filmit. Me një emocion të veçantë, drejtori Musai u shpreh se e ndjeja si detyrim që në momentin që u emërova në ketë detyrë të kontribuoja në ndërtimin e Muzeut të Filmit në mënyrë që të ruajmë objektet e çmuara dhe vlerat artistike të prodhuara në vite, por edhe që t’i përcjellim brezave të ardhshëm këto vlera të jashtëzakonshme historike të pëpërsëritshme.
Më pas, përshëndëti Presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group duke theksuar në fjalën e tij se, si një nga njerëzit e dalë nga këto studio, e kam për nder që të kontribuoj në ngritjen e këtij Muzeu, por edhe t’i dorëzoj në ëmër të biznesit të pranishëm në ketë Panair medaljen “Shqiponja e Artë” Drejtorit të Albafilm z.Fatmir Musai. Aktorët më të njohur në skenat e filmave shqiptarë më të famshëm, armët, makinat e vjetra apo pajtonët e vendosur në ketë stendë janë tashmë të prekshme nga të gjithë. Një hapësirë të madhe i ka kushtuar Klik Ekspo Group në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës kompanisë shtetërore Albafilm, ku dhjetra objekte krejt të veçnta dhe të papara ndonjëherë janë në ekspozim. Kështu, kamerat e vjetra, prodhuar para dhjetra dekadave, bobina që mbajnë regjistrime origjinale, veshje të personazheve më të famshme të filmave shqiptarë tashmë të memorizuar nga të gjithë, makina të vjetra dhe shumë objektë të tjera janë ekspozuar nga Albafilm.
Drejtori i Albafilm z.Fatmir Musai jep detajet e realizimit të kësaj nisme, e cila do të konkretizohet gjatë vitit të ardhshëm. “Jam i mbushur plot me ide, imagjinatë e fantazi dhe e shoh të mbaruar e të celebruar Muzeun e Filmit Shqiptar. Ua them sinqerisht, shqetësimi im është që të arrij kohën, pra të jem koherent, dhe të mos ndjehem i turperuar me të. E konsideroj një sfidë personale e intelektuale ngritjen e Muzeut të Filmit. Sa herë që ngjis e zbres shkallët e ish-Kinostudios, sot Albafilm, sa herë që jam brenda hapësirave të saj, i rrethuar nga ai arsenal i tërë materiali artifaktesh, ndjehem i “turpëruar” për vonesën me Muzeun e Filmit, ndaj mërmëris me vete: “prisni, prisni dhe pak. Durim, jemi në rrugë të mbare dhe do t’ja arrijmë qëllimit”, thotë drejtori i Albafilm, Fatmir Musai.
Në ambientet e ish Kinostudios, Shqipëria e Re, ku dhe gjendet aktualisht Albafilm, ndodhen qindra materiale të cilat po degradonin nga koha dhe keq mbajtja, por tashmë drejtori Musai thotë se, gjithçka është shpëtuar, riparuar dhe janë vendosur në vende të ku nuk cënohen nga asnjë rrezik. “Puna e kineastëve dhe e gjithë trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re” si filmat, kronikat, dokumentarët, muzika e tyre të fiksuar në celuloid, ekziston ende. Pra, e gjithë trashegimia e kinostudios “Shqipëria e Re”, si pjese e parë e projektit të Albafilmit për regjistrimin, katalogizimin dhe inventarizimin e plotë fizik të të gjithë filmave, muzikës, rekuizitës dhe objekteve të kinostudios, mbas një pune profesionale, është arshivuar, kataloguar, dhe skeduar. Pra, ekziston dhe është në shërbim të çdokujt që ka nevoje për to. Hapja e Muzeut të Kinostudios në ambjentet e korpusit qëndror duke e rinovuar ndërtesën, që vetem si arkitekture është vlerë ne vete, do të jetë një vlerësim për punën e vështire gjatë diktaturës, si edhe një rrugëtim në historinë e Artit të Shtatë”, thotë Fatmir Musai, duke shtuar më tej se, “në të gjithë ambientet e Kinostudios do të bëhet një ekspozim dinjitoz i të gjithë korifejve të filmit shqiptar, regjisorëve, aktorëve, operatorëve, skenografëve, shoqëruar me objekte fizike si: skenografi, veshje të aktorëve, mizaskena, kamera, ndiçues e plot detaje të tjera që përdoreshin për realizimin e filmit. Po ashtu, do të flitet edhe për vështirësitë e kineastëve gjatë punës në diktaturë dhe për mjetet e vjeteruara që përdoreshin gjatë filmit.”
Ideja
Muzeu i Filmit bazohet në arkivat dhe në trashgiminë e pasur të ish Kinostudios “Shqipëria e Re”. Sot Albafilm ndodhet në të njejtën ndërtesë historike e dinjitoze të Korpusit Qëndror, një akitekturë që, është muze më vete. Hyrja, biblioteka, garderoba, shëtitja kreative në historinë e Artit të Shtatë, nga salla në sallë! Të gjitha këto dhe shumë të tjera do të mund të shihen dhe preken, duke e futur vizitorin në realitete të dokumentuara e të prekshme. Muzeu i Filmit, i pari i këtij IIoji në Shqipëri, do të ketë një përmbajtje sa artistike aq edhe shkencore.
Historik
Më 10 korrik 1952 u përurua Kinostudio “Shqipëria e Re” vepër e Planit të Parë 5-vjeçar për zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës. Kinostudio mori përsipër të gjitha funksionet e një kinematografie të centralizuar kombëtare si në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave ashtu edhe në ruajtjen e dokumentacionit filmik. Nga Kinostudio varej administrativisht gjithë rrjeti kinematografik i vendit dhe krijoi një bazë embrionale teknike për xhirimin e filmave në mënyrë më të organizuar. Me ngritjen e Kinostudios u shkri Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike Shqiptare (N.SH.K.SH.). Drejtori i parë i Kinostudios “Shqipëria e Re” ishte Nesti Zoto. Pranë Kinostudios u ndërtua edhe një Filmotekë ku grumbulloheshin, ruheshin e mirëmbaheshin gjithë fondi filmik i trashëguar nga Ndërmarrja Shtetëore Kinematografike dhe u vendos rregull që aty të ruheshin edhe origjinalet dhe kopjet positive të prodhimeve shqiptare. Duke filluar që nga viti 1955 Kinostudio Shqipëria e Re filloi prodhimin e rregullt të kinoditarëve i cili shkoi në rritje nga viti në vit. Në vitin 1955 u realizuan 14 kinoditarë si dhe 5 filma dokumentarë dhe kronikalë.











