Alarmi, biletat në treg të zi

Sep 1, 2011 | 12:41

Vjen Franca, ndaj edhe interesimi për të pasur një biletë për në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” është rritur ndejshëm. Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në treg bileta me çmime të kripura, në krahasim me përballje të tjera, përsëri nuk ka munguar fluksi i kërkesave për të parë live në shkallët e stadiumit “gjelat” e Loran Blank, në mbrëmjen e së premtes. Por, ajo që ka shqetësuar së tepërmi ditën e djeshme zyrtarët e FSHF-së, ka qenë fakti se në rrugët dhe sheshet përreth stadiumit janë vërejtur persona të paautorizuar që shisnin bileta me çmime më të larta nga çmimi real. Kjo gjë ka bërë që federata të kërkojë ndihmën e policisë, duke i bërë njëkohësisht thirrje edhe tifozëve që të blejnë biletat për këtë takim vetëm në pikat e autorizuara. Ndërkaq, shitja e biletave si fillim ka nisur online (në faqen www.blinibileta.com) dhe nga dita e djeshme ka nisur edhe në terren. Përveçse në Tiranë, FSHF ka lajmëruar se bileta do të ketë edhe në pika të ndryshme në Kamzë, Shkodër, Durrës, Vlorë, si dhe në dy qytetet e Kosovës, Prishtinë dhe Prizren. Ndërkaq, një pjesë e mirë e biletave, kryesisht ato të tribunës A dhe B, të cilat janë edhe më të shtrenjtat, kanë përfunduar në ministri dhe drejtori të ndryshme në kryeqytet, kjo edhe si një lloj ftese e federatës përkundrejt drejtuesve të këtyre institucioneve. Çmimet zyrtare të biletave për këtë ndeshje janë: Tribuna A – 10 mijë lekë, 7 mijë dhe 5 mijë lekë (të rinj). Tribuna D2 – 3 mijë lekë (të rinj), tribuna D1/D3 – 2 mijë lekë (të rinj) dhe tribuna C/E – 500 lekë (të rinj).

© Panorama.al

Te lidhura