Tek Dinamo, në prag të stërvitjes së djeshme, ka pasur alarm tek drejtuesit dhe futbollistët. Sipas sinjaleve që kanë ardhur në kampin dinamovit, të konfirmuara nga burime të sigurta pranë drejtuesve të bluve, Tirana është duke u përgatitur që të luajë të hënën me të rinjtë në Kavajë. Një premisë që lë hapur çdo dyshim se bardheblutë, duke kërkuar të ruajnë titullarët e tyre për finalen e Kupës me Dinamon, mund të tolerojnë ndaj Besës. Dhe jo një tolerim dosido, por të përgatitur për një fitore të thellë të Besës, në shifra marramendëse, 10-0. Nëse ndodh kështu dhe Dinamo mundet në Krujë, teksa në ndeshje direkte Besa me Dinamon janë në barazim, atëherë kavajasit edhe me golaverazh më të mirë se blutë janë në play -out dhe blutë zbresin menjëherë në Kategorinë e Parë, që do të ishte gjëja më e keqe në historinë 60-vjeçare të klubit blu. Megjithatë, dinamovitët janë duke u përpjekur që të gjithë këtë histori, e cila mund dhe të ketë baza, sepse Tiranën askush nuk mund ta ndalojë të ruajë titullarët përpara finales së Kupës dhe të aktivizojë të rinjtë ndaj Besës, të mos e transmetojë si presion te lojtarët. Ndonëse dhe ata tashmë e dinë. E sigurt është që gjashtë skuadra do të qëndrojnë të hënën pasdite me kufje në vesh për të marrë vesh se çfarë ndodh në fushat e tjera. Katër janë ndeshjet vendimtare që do të përcaktojnë se kush do të qëndrojë dhe kush do të luajë Play-out, e kush do të zbresë menjëherë. Në Durrës, në Krujë, në Kavajë, në Ballsh e në Elbasan luhet për fatet e të gjithë sezonit.
Italianet nuk japin arbitra jashte Tiranes
Drejtuesit e klubit të Dinamos ditë më parë i kërkuan FSHF-së gjyqtarë të huaj për ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Kastriotit, si dhe për ndeshjen për Kupë ndaj Tiranës. Dhe kërkesa e tyre nuk ra në vesh të shurdhër, pasi menjëherë krerët e FSHF-së i kërkuan Federatës Italiane një treshe gjyqtarësh. Mirëpo, drejtuesit e këtij institucioni janë shprehur se treshja e arbitrimit do të vijë në Shqipëri, vetëm në rast se përballjet do të zhvillohen në Tiranë. Kjo, pasi dy sezone më parë kur erdhën gjyqtarë të huaj në Shqipëri, për të arbitruar gjysmëfinalen e Kupës Shkumbini-Flamurtari u goditën më gurë.











