Më shumë se 35 shkolla dhe kopshte në Australi dhe Zelandën e Re janë mbyllur pas një paralajmërimi për asbest në rërën e fëmijëve.
Kjo përfshin 15 shkolla dhe shtatë kopshte që u mbyllën plotësisht në rajonin e Canberrës, kryeqytetin australian, ndërsa gjashtë të tjera u mbyllën pjesërisht si masë paraprake, raporton BBC. Ka gjithashtu raportime për mbylljen e një shkolle në Queensland.
Në Zelandën e Re, Departamenti i Arsimit njoftoi të premten se pesë kopshte dhe dy shkolla do të mbyllen përkohësisht.
Të mërkurën, Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC) lëshoi një njoftim për tërheqjen e produkteve të bojës që gjenden të përmbajnë gjurmë të asbestit tremolit (substancë tepër e dëmshme për shëndetin).
Autoritetet australiane thonë se çlirimi i fibrave të asbestit nga rëra është “i pamundur” nëse nuk “i nënshtrohet përpunimit mekanik” siç është thërrmimi ose pluhurëzimi.
Fibrat e asbestit janë të njohura prej dekadash për shkaktimin e sëmundjeve serioze të mushkërive dhe madje edhe të kancerit.
Nga ana e saj, Ministria e Biznesit, Inovacionit dhe Punësimit e Zelandës së Re u bëri thirrje qytetarëve të ndalojnë përdorimin e rërës dhe të sigurojnë asgjësimin e saj të sigurt nga profesionistë të autorizuar.
Importi ose eksporti i asbestit ose produkteve që përmbajnë asbest është i ndaluar nga ligji australian dhe ai i Zelandës së Re. Produktet e rërës në fjalë importohen nga Kina dhe janë shitur në të gjithë Australinë midis viteve 2020 dhe 2025 nga rrjetet e dyqaneve të artikujve të ndryshëm, kryesisht bojëra dhe mjete për fëmijët.
© Panorama.al












