Buka do të tregtohet jo më me qese plastmasi, por me ambalazh letre.Pos kësaj, do të shoqërohet me etiketë. Këtë kusht pritet t’u vërë shumë shpejt prodhuesve Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit. Sipas krerëve të tij, kjo masë duhet marrë për shkak të ndotësve kimikë që mund të kenë plastikat, që përgjithësisht përfitohen nga riciklimi. “Ne do të këmbëngulim hap pas hapi dhe do të kërkojmë që buka të bëhet me etiketë. Bizneset të bëjnë kërkesë dhe të pranojnë etiketën për bukën apo produktet e tjera që vijnë nga furrat. Gjithashtu, do të vazhdojmë me kontrollin e kushteve të higjienës ku prodhohet ajo”, theksojnë specialistët. Aktualisht kanë nisur kontrollet në të gjitha subjektet e Tiranës. Në 225 furra janë konstatuar shkelje lidhur me kushtet e higjienës. “Në thuajse të gjitha janë vërejtur mangësi qoftë për mbrojtjen nga brejtësit, apo edhe insekte të tjera, por në tërësi me pastërtinë e mjedisit ku prodhohen produktet”, kanë pohuar burime nga AKU. Në kontrollet e këtij Autoriteti janë përfshirë edhe fabrikat e miellit, ku deri tani është ndëshkuar me gjobë vetëm njëra prej tyre. Pak muaj më parë, vetë ky institucion ngriti edhe problemin madhor të mashtrimeve me bukën e zezë. Një pjesë e mirë e furrave, për të përfituar këtë produkt, i shtojnë ngjyrues miellit të bardhë të një cilësie të dobët. Subjekt kontrolli kanë gjithashtu ngjyruesit që futen në vend. “Përsa u përket adiviteve të ndryshme, autoritetet sqarojnë se janë penguar në doganë sasi aditivesh, të cilat nuk i përkasin listës së miratuar nga BE”, thonë specialistët e AKU. Ndonëse ka një listë të konservantëve që lejohen të përdoren, tejkalimi i masës mund të shkaktojë probleme serioze. “Mund të ketë shtesa që shtojnë jetëgjatësinë e produktit, ngjyrën. Ka ardhur momenti që prodhuesi duhet t’i deklarojë që ne të shohim nëse këto produkte janë të lejuara ose jo. Çdo gjë që shtohet jashtë masave të caktuara është e dëmshme”, janë shprehur specialistët. Ata pranojnë se problematike paraqitet situata edhe për mishin, vajin, produkte këto ku është zbuluar përdorimi i ngjyruesve tej normës. “Çdo produkt i ambalazhuar ka përbërës konservantësh, por problemi është te masa, te cilësia e këtyre konservantëve e përbërja e tyre”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, po kryhen analizat nëpër fabrikat e mëdha në të gjithë vendin. “U bëjmë apel konsumatorëve të bëjnë kujdes dhe të shohin mirë etiketat e përmbajtjes së produkteve që blejnë. Sidomos tani që po afron vera, duhet t’u kushtojnë vëmendje kushteve të tregtimit. Të jenë ata vetë të parët që të mos blejnë ushqime që kanë qëndruar për orë të tëra në diell, siç ndodh në jo pak raste”, thonë drejtuesit e Autoritetit.
Pijet freskuese e mishi, me konservantë
Edhe te pijet freskuese, pa diskutim që ngjyruesit nuk mungojnë, por ka raste që janë tej masës së lejuar. Këtyre produkteve u shtohen edhe konservantë për të trashur lëngjet e ka raste edhe ngjyrues që përmbajnë kimikate. Specialistët bëjnë apel për më shumë kujdes nga konsumatorët. Kryesisht ngjyruesit i hidhen mishit të grirë, që në fakt është dhjamë i ngrirë. Konservantë të tjerë i shtohen mishit që përdoret për sallamet në mënyrë që të ruhet, apo për t’i dhënë shije tjetër. Këta përbërës rrezikojnë ndjeshëm shëndetin e qytetarëve, të cilët paguajnë për produkte aspak cilësore.
250 furra janë
kontrolluar në kryeqytet, prej të cilave, në pjesën më të madhe janë hasur probleme me higjienën. Mungon dezinfektimi për minjtë dhe furrtaret
20 mije tonë produkte
janë asgjësuar pak muaj më parë nga Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit. Kjo strukturë e re ka në fokus sigurinë ushqimore
Mielli i bardhë kthehet në bukë të zezë
Miell i lirë, i bardhë dhe i një cilësie të dobët. Prodhuesit i shtojnë ngjyrues dhe qytetarëve u serviret një bukë e zezë, shpesh edhe dietike. Shqetësimi është ngritur më parë nga shoqatat e mbrojtjes së konsumatorëve, ndërsa tani, vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se abuzohet me sasinë e majasë dhe ngjyruesit. AKU i fton konsumatorët të denoncojnë rastet e tilla kur kanë dyshime se buka, ushqimi bazë i tryezave tona, ka përbërës jocilësore, apo në disa raste edhe të dëmshëm për organizmin. Edhe Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit muaj më parë ka tërhequr vëmendjen e strukturave përgjegjëse për këtë problem që na prek të gjithëve.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











