Aktori Xhelal Tafaj: “Më hoqën nga puna me djalin e gruan për 8 majin”

Sep 24, 2011 | 12:38
Aktori Xhelal Tafaj

DURRES – Dy aktorë të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Xhelal dhe Marvin Tafaj, përkatësisht babë e bir, janë pushuar pak ditë më parë nga puna me kërkesë të drejtuesve të Bashkisë së Durrësit dhe pikërisht të nënkryetarit të këtij institucioni, Adrian Çela. Në një komunikatë për mediat, aktori i njohur, Xhelal Tafaj, me një karrierë artistike 35-vjeçare, tha se zyrtarisht nuk ka asnjë motivacion për largimin e tyre nga puna, por nga kontaktet me drejtuesit e Bashkisë së Durrësit, ndërprerja e njëanshme e kontratës së punës lidhet me qëndrimin e tij dhe të djalit të tij në zgjedhjet vendore të 8 majit. “Sipas drejtuesve të Bashkisë, Vangjush Dako dhe Adrian Çela, unë dhe djali im kemi pasur konflikte me mbështetësit dhe komisionerët e majtë. Ku, sipas informacioneve që iu kanë ardhur nga militantë hiena, im bir paska grisur flamurët e Partisë Socialiste dhe ka rrahur komisionerët e saj. Ndërsa më vonë paska folur keq për nënkryetarin e Bashkisë, Adrian Çela”, tha Tafaj, i cili kontribuon që prej 35 vjetësh në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Xhelal Tafaj, që nga viti 1976, kur ka nisur punën si aktor, ka interpretuar mbi 60 role në teatër dhe shumë të tjera në kinema. Për kontributin e tij në skenë, një vit më parë ai u nderua nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Ndërkaq, Marvin Tafaj, që prej tre vjetësh aktor në trupën e Durrësit, ka marrë pjesë në të gjitha premierat e përgatitura në teatër, i cili varet nga Bashkia e qytetit. Pas shkarkimit të Xhelal dhe Marvin Tafajt, një tjetër shkarkim nga puna ka ardhur në familjen e artistëve. Bashkëshortja e Xhelal Tafajt, pikërisht Sejrije Tafaj, e cila punonte në Klubin e Sporteve, u shkarkua nga detyra pa asnjë motivacion. Përballë kësaj situate ku të tre pjesëtarët e familjes Tafaj janë shkarkuar nga detyra nga institucionet ku punonin, të cilat ishin në varësi të Bashkisë së Durrësit, aktori durrsak Xhelal Tafaj tha se së bashku me djalin e tij aktor, edhe ai i pushuar nga puna, do t’i drejtohet Gjyqësorit për të vënë në vend të drejtën e tyre.                                                      l.m

© Panorama.al

Te lidhura