Aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se janë përballur me kërcënime dhe presione të shumta për të hequr dorë nga protesta kundër qeverisë së Edi Ramës dhe se madje i kanë intimiduar edhe nëpërmjet familjarëve të tyre.
Në një intervistë për News24, aktivisti deklaroi se pavarësisht intimidimeve, ata nuk do të largohen nga sheshi deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Në këto ditë proteste, kemi marrë kërcënime, presione të panumërta si në shesh, si nëpër mesazhe, telefonata e kudo. Edhe në derë të shtëpisë. Thonë tërhiquni. Pse thoni Rama në burg, Berisha në burg. U përpoqën të na intimidojnë edhe nëpërmjet familjarëve. Ne nuk tërhiqemi. Do të jemi në atë shesh deri në dorëheqjen e kryeministrit.”, tha ai.
Ai u ndal edhe te përplasjet gjatë protestës përpara Kuvendit në seancën e së ënjtjes të kaluar, ku protestuesit u përballën me dhunën policore si dhe me spraj lotsjellës.
“Kam filmuar policët që bënë atë sulm ndaj protestuesve të ulur. Na kanë vënë përpara, na kanë marrë zvarrë. Na është hedhur spraj lotsjellës. Unë për 30 minuta nuk hapja dot sytë, frymëmarrja ishte e rënduar. Për 30 minuta nuk kemi parë. Ne jemi sulmuar nga policia. Ishte një protestë paqësore.“, shtoi ai.
© Panorama.al












