Aktivisti Arben Kola: Policia të këtë kujdes, ju me dhunë qytetarët do reagojnë me dhunë! Disa efektivë janë patronazhistë të thekur

Jun 30, 2026 | 19:41

Aktivisti Arben Kola reagoi pas protestës së zhvilluar pranë Parlamentit, duke paralajmëruar se pas dhunës së ushtuar nga policia ndaj qytetarëve, këta të fundit nga sot do reagojnë njësoj si ata.

Ai paralajmëroi efektivët se duhet të ketë kujdes, sepse askush nuk mban përgjegjësi, qytetarët janë të pavarur.

“Ju me dhunë, ata me dhunë. Kush e provokon popullin nga sot e mbrapa, do të njihet me gjuhën që ata marrin vesh“, tha ai.

Më tej, Kola i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen para se populli t’i marrë zvarrë dhe t’i hedhë me të vërtetë në koshin që ata sollën para Parlamentit.

Aktivisti Arben Kola: Policia të këtë kujdes, ju me dhunë qytetarët do reagojnë me dhunë! Disa efektivë janë patronazhistë të thekur

Arben Kola: Sot parlamenti bëri autogol. Edhe një herë dëshmuan se janë për dhunimin e popullit shqiptar, nuk janë për protesta paqësore. Këta kërkojnë dhunë. Shqiptarët janë përgjigjur me paqe, tani e mbrapa shqiptarët të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi për asnjë.

Se sot atyre u hyri tmerri kur panë koshin e mbeturinave, dhe në atë kosh kandidati i parë ishte Taulant Palla, Balla, si e ka. Tao Plehra. Ballukja, që është kandidate për burg, kryemafiozi Edi Rama, dhe i zuri tmerri. Dhe çfarë ndodhi? Ndërkohë që protestuesit po përdornin mjetet më paqësore në botë, që njihen në çdo lloj demokracie, vezët, që janë një simbolikë shumë paqësore, domatet. Dhe bajgat janë paqësore, për këta bajga të parlamentit.

Mos harroni çfarë ndodhi para pak vitesh në Capitol Hill, ku populli u fut dhe askush nuk u vra, sepse është demokraci, institucionet janë të popullit, të sovranit, jo të këtyre që na i kanë peng. Tashmë çdo ditë e më shumë po dëshmohet se këta duan stilin nepalez. Prandaj, Edi Rama, jep dorëheqje, më mirë para se populli t’ju marrë zvarrë dhe t’ju hedhë me të vërtetë në koshin që sollëm para parlamentit.

Por shqiptarët janë të gatshëm t’ua bëjnë edhe si në Nepal, t’ju ndjekin nëpër lumenj, grupe, kudo të jeni. T’ju marrin çdo pasuri dhe t’ju përzënë edhe nga Shqipëria. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë shqiptarëve, të bashkohen dhe të mos kenë teori që jo kjo, jo ajo; le të bashkohen për një qëllim, rrëzimin e kësaj qeverie sa më parë. Arrestimin e çdo deputeti apo politikani që ka vjedhur popullin shqiptar, qoftë i pozitës apo opozitës.

Opozitën e kemi ftuar të jetë pjesë, po pa ata të korruptuarit. Ne nuk jemi kundër partive. Saliu të dalë të japë dorëheqjen bashkë me Mulin, me Albanën dhe të tjerë, dhe menjëherë populli shqiptar do ta rrëzojë Edi Ramën. Lëreni atë parti rinisë. Brenda PD-së dhe PS-së ka plot të rinj që mund të udhëheqin më mirë se Edi Rama dhe Sali Berisha. Rama në burg, Berisha në burg.

Edhe sot e kishim një qytetar të tërhequr zvarrë. Ne i kemi dhënë shans policisë, jemi duke protestuar edhe për ta, për familjet e tyre. Ne jemi edhe për kolegët e tyre që janë vrarë në krye të detyrës. Shohim që elementë të caktuar brenda policisë janë patronazhistë të thekur, servilë të thekur. Tani e mbrapa policia duhet të ketë kujdes, sepse askush nuk mban përgjegjësi, qytetarët janë të pavarur. Ju me dhunë, ata me dhunë. Kush e provokon popullin nga sot e mbrapa, do të njihet me gjuhën që ata marrin vesh.

© Panorama.al

Te lidhura