Partia Socialiste tërhiqet nga padia e bërë në Kolegjin Zgjedhor për një vendim të KQZ-së, që i hapte rrugë numë-rimit të fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar.Në mbledhjen e datës 18 maj, KQZ-ja, me katër vota pro, miratoi një vendim të ndërmjetëm, sipas të cilit pezullohej nxjerrja e rezultatit në Tiranë derisa të vlerësoheshin votat e hedhura gabim. Ky vendim u ankimua nga socialistët në Kolegj dhe pas hedhjes së shortit, u vendos që seanca të zhvillohej dje. Por aktit i mungonte pjesa urdhërore e tij dhe në vendin ku thuhej “KQZ vendosi” nuk kishte asgjë të shkruar, vetëm një vend të lënë bosh. Gjatë parashtrimit të pretendimeve, avokati i PS-së, Eno Bushi, i kërkoi trupit të gjyqtarëve të bashkonin padinë me një kërkesë tjetër që PS e kishte depozituar po dje, ku kërkohej shpallja e pavlefshme e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për votat e panumëruara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar të Tiranës. “Nga ana e PS-së është paraqitur një kërkesë-padi, e cila ka një vendim. Meqë PS ka paraqitur një tjetër kërkesë-padi pranë Kolegjit Zgjedhor dhe është regjistruar me objekt të njëjtë me këtë që është për shqyrtim dhe që ka të bëjë me vendimin e datës 23 maj të KQZ-së, ne kërkojmë bashkimin e këtyre dy çështjeve në bazë të nenit 57 dhe 330 të Kodit të Procedurës”, u shpreh avokati i PS-së në Kolegjin Zgjedhor, Eno Bushi. Pas këtij propozimi, relatorja e çështjes, Sashenka Jonuzi, u kërkoi përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe palës së interesuar, Partisë Demokratike, të shpreheshin për këtë rast. Duke iu referuar objektit të padisë që ka të bëjë me aktin që i hapi rrugë numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar, përfaqësuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Pasko, u shpreh se për këtë rast nuk ka një vendim nga KQZ-ja. “Nuk ka një vendim të datës 18.05.2011, sipas këtij që paraqitet në padinë e Partisë Socialiste”, u shpreh përfaqësuesja e KQZ-së. Në të njëjtën linjë ishte edhe përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, i cili theksoi se, siç shikohet edhe nga objekt padia, vendimi, i cili goditet, nuk ka një numër, çka tregon se nuk ka një të tillë. “Ne tani po vihemi në dijeni të kësaj kërkesë-padie në Kolegjin Zgjedhor. Ne kërkojmë të na vihet në dispozicion vendimi i datës 18 maj, që ta dimë për çfarë kemi ardhur. Ne kemi marrë kërkesë-padinë dhe jo dokument tjetër”, u shpreh Ivi Kaso i PD-së. Pas dëgjimit të të tria palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendim dhe pas pesë minutash u kthye sërish në sallën e gjyqit, ku vendosi të rrëzojë propozimin e PS-së për bashkimin e këtyre dy çështjeve. “Kolegji Zgjedhor, pasi u konsultua, vendosi të mos e pranojë kërkesën e bashkimit të të dyja çështjeve për shkak se nuk janë kryer procedurat e parashikuara për hedhjen e shortit, mbledhjen e Kolegjit, relatorit, nuk është njoftuar për përmbajtjen pala e paditur”, tha Sashenka Jonuzi. Pasi dëgjoi argumentimin e gjyqtares, përfaqësuesi i PS-së deklaroi tërheqjen e kërkesë-padisë. “Në këto rrethana, Partia Socialiste, meqenëse kërkesa e paraqitur sot është më e plotë në objekt dhe në argumente, heq dorë nga kërkesa që është në shqyrtim”, tha Eno Bushi.
Padia e re
Gjatë ditës së djeshme, pak para nisjes së seancës gjyqësore, PS depozitoi një tjetër padi në Kolegjin Zgjedhor, që ka të bëjë me vendimin e datës 23 maj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votat e hedhura në kutinë e gabuar. “Kërkojmë konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit të KQZ-së Nr. 709, datë 23.05.2011 ‘Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për kryetarin, Këshillin e Bashkisë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë të datës 8 maj 2011′”, thuhet në objektin e padisë së PS-së.
Padia e PS shqyrtohet më 3 qershor
Pas protokollit të kërkesë-padisë së Partisë Socialiste, është vendosur që ajo të shqyrtohet më 3 qershor, të enjten e ardhshme, në orën 10:00. Relatori i kësaj çështjeje do të jetë gjyqtari Tom Ndreca, ndërsa në përbërje të trupit gjykues do të jenë edhe Entela Prifti, Sashenka Jonuzaj, Astrit Kalaja dhe Petraq Dhimitri. Kjo është kërkesa e tretë e socialistëve në Kolegjin Zgjedhor, ku e para nuk u shqyrtua dhe e dyta u tërhoq vetë nga pala paditëse.
Avokati i PS: Padia e re, më e plotë
“Nuk ishte një lëvizje taktike kjo e jona. Ne i kërkuam që ta bashkëngjitnim me këtë aktpadi që ishte sot për shqyrtim. Duke qenë se nga ana e trupit gjykues nuk u çmua që ajo padi të bashkohet dhe në kushtet që ne kemi një padi edhe më të plotë që është për shqyrtim, vendosëm që më mirë të ishte edhe kjo e sotmja brenda gjykimit që do të zhvillohet në seancën e ardhshme”, tha avokati i PS-së në Kolegj, Eno Bushi.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











