Akti i ekspertimit: Një shashkë shkaktoi shpërthimin te çadra e PS

May 5, 2011 | 11:05
Policia në çadrën elektorale të PS pas shpërthimit

TIRANE – Ekspertët kriminalistë, ata të xhenios dhe specialistët antieksploziv, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë përfunduar aktin e ekspertimit për shpërthimin që ndodhi tri ditë më parë pranë çadrës elektorale të PS-së në Tiranë. Specialistët kanë arritur në përfundimin që shpërthimi është shkaktuar nga një shashkë, duke hedhur poshtë kështu dyshimet për lëndë eksplozive. Pas verifikimit të provave që u morën në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se shpërthimi i datës 2 maj 2011 ka qenë, sipas terminologjisë së ekspertëve, një “shpërthim i lehtë”. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës u shprehën se shpërthimi është shkaktuar nga plasja e një shashke, fuqia e së cilës është shtuar nga shpërthimi i gazit që mund të ketë pasur bombola e petrogazit, plus barutin e fishekzjarrit dhe gazin shpërthyes brenda kazanit, që në disa raste e çlirojnë mbeturinat e ndryshme. “Në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë ka mbërritur akti i ekspertimit të Njësisë Speciale Antieksploziv, mbi ngjarjen e datës 2 maj 2011, ku rreth orës 21:20, te lulishtja e ‘Vëllezërve Frashëri’, dhe konkretisht në një kontejner plehrash, ka pasur një shpërthim. Në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë, grupi i posaçëm hetimor, ekspertë xhenierë, ekspertë të Njësisë Speciale Antiekspoliziv, të cilët kryen veprimet e para hetimore dhe procedurale duke mbledhur dhe administruar provat. Në përfundim, specialistët antiekspoliziv, me akt ekspertimi, kanë dalë me konkluzionin se shpërthimi është shkaktuar nga një shashkë”, deklaroi dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Konkluzionet e aktit të ekspertimit theksojnë se copat plastike të trupit të kazanit të plehrave kanë plagosur lehtë 29-vjeçarin Armando Dyrmishi, i cili në momentin e ngjarjes po kalonte rastësisht pranë kontejnerit të plehrave.

© Panorama.al

Te lidhura