Aksioni kundër Call-Center te kullat e Tiranës, GJKKO jep masat për 8 të akuzuarit! Ja çfarë u vendos dhe EMRAT

Jan 19, 2026 | 17:48

Gjykata e Posaçme ka dhënë sot masat arrest me burg për aksionin ndaj Call-Center-ave, për 6 personat e dyshuar që akuzohen për mashtrimin e qytetarëve të huaj, duke i zhvatur shuma të konsiderueshme nëpërmjet pretendimeve për aksione në bursa.

spak kullat

Kurse për 2 nga të dyshuarit e tjerë, GJKKO ka caktuar burg me afat 20 ditor.

Aksioni u krye gjatë fundjavës nga ana e SPAK, pas hetimeve të kryera në bashkëpunim dhe me ndihmë të partnerëve të huaj.

Kontrollet u zhvilluan në dy prej kullave shumëkatëshe në qendër të Tiranës, ku bëhej aktiviteti. Në kërkim për rastin u shpallën edhe tre vëllezër nga Tropoja si organizatorë të skemës.

Masat e GJKKO-së:

-Remir Gjoligaj- arrest me burg

-Endri Gjata- arrest me burg

-David Qerimi- arrest me burg

-Elis Merkaj- arrest me burg

-Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë

-Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditë

-Hysen Xhepexhiu- arrest me burg

-Klaudio Kaçupi – arrest me burg

Si funksiononte skema e mashtrimit, operacioni i SPAK, detajet dhe organizatorët

SPAK dha detaje lidhur me operacionin e SPAK të kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilët goditën një grup që mashtronin qytetarët e BE-së përmes Call Centerave dhe u zhvatën miliona euro.

Janë 10 persona të dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme 3 vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro” me objekt Call Center, Telemarketing.

operacioni call centera

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova materiale, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe sot me marrjen në pyetje të personave të lidhur me çështjen. Mes personave të arrestuar është edhe një shtetas italian.

Aksioni nisi mbrëmjen e së premtes ( 16 janar) dhe përfshiu kontrollin e 6 kateve të një kulle luksoze pranë rrugës “Myslym Shyri”. Hetimet, të kryera në bashkëpunim me autoritetet italiane, përfshinë sekuestrimin e portofoleve me kriptomonedha.

Operacioni nisi pas denoncimeve të bëra në emisionin italian “Le Iene”, ku gazetari Luigi Pelazza zbuloi ekzistencën e një sistemi të organizuar që mashtronte dhe vidhte miliona euro nga mijëra viktima nëpërmjet Call Center-ave që vepronin edhe në Shqipëri.

Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që premtonin fitime të lehta dhe platformave dixhitale që simuluan investime false. Operatorët kërkonin një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksionet e Finivest, duke e prezantuar më pas një shumë prej 50 mijë eurosh në llogarinë virtuale të viktimës.

Kur qytetarët tentonin të tërhiqnin paratë, u kërkohej të kryenin transferta të reja, duke i bërë të humbnin shumën reale. Hetuesit identifikuan nivelet më të larta të organizatës dhe personat përgjegjës për rekrutimin e stafit në Call Center-at shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura