
KUKES- Ktheheshin nga plazhi në bregdetin e Durrësit, aksidentohen dy familje kosovare, duke shënuar një bilanc të rëndë me dy të vdekur dhe shtatë të plagosur.
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00, kur mjetet që kishin të dyja drejtim Kosovën u përfshinë në aksident 800 m pasi kishin dalë nga Tuneli i Kalimashit. Agim Kurti, 54 vjeç,
drejtues i njërës prej autoveturave dhe vajza e tij, Urata Kurti, 9 vjeçe,
nga Mitrovica humbën jetën. Ndërkohë që mbetën të plagosur gruaja
e tij, Naxhije Kurti, 50 vjeçe dhe djali, Man Kurti, 28 vjeç. Të plagosur
mbetën edhe drejtuesi tjetër i mjetit, Rasim Istogu, nga Istogu i Kosovës,
gruaja e tij dhe tre fëmijët.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Kukësit, por më rëndë paraqitet gjendja e 50-vjeçares Kurti. Sipas Policisë, sapo kanë dalë nga tuneli, dy makinat kanë qenë në të njëjtin drejtim për në Kosovë dhe me shpejtësi të madhe. Mjeti “Opel”, me targa 02770BB, që drejtohej nga viktima, ka goditur në tentativë për të parakaluar autoveturën “Wolksvagen”, me targa 91312CR, e cila përfundoi anës rrugës, duke u përplasur me shkëmbinjtë. Por, përplasja më fatale ka qenë e mjeti “Opel”, që është përplasur me trafikndarësen e më pas ka devijuar duke përfunduar te shkëmbi në anë të rrugës. Për pasojë, drejtuesi dhe 9-vjeçarja kanë gjetur vdekjen e menjëhershme.
Burime të Policisë bënë të ditur se mjeti “Opel” ka qenë me shpejtësi gjatë gjithë rrugës. Drejtuesi i saj është ndaluar nga Policia Rrugore diku në afërsi të Milotit dhe i është vënë një gjobë për shpejtësi tej normave të lejuara. Por, gjoba e vendosur nuk e ka evituar dot tragjedinë. Një orë më pas një tjetër aksident ka ndodhur në rrugën e Kombit, ku mbetën të plagosur një çift kosovarësh. J.H
© Panorama.al











