Aksident i rëndë detar në Gjirin e Ksamilit, përplaset një skaf i policisë kufitare me një mjet lundrues! Humb jetën 20-vjeçari (EMRI)

Jun 15, 2026 | 19:44

Aksident i rëndë detar ka ndodhur sot në Gjirin e Ksamilit. Një mjet lundrues është përplasur me skafin e policisë kufitare të Sarandës.

ambulance

Si pasojë e përplasjes një person ka humbur jetën, 20-vjeçari Albano Kreçi, banori i Ksamilit. Forca të shumta policie kanë mbërritur në Ksamil.

Ambulancat kanë sjellë deri tani dy persona në urgjencën e spitalit të Sarandës, njëri prej të cilëve, 20-vjeçari ka ndërruar jetë.

Kreçi dyshohet se ka qenë në drejtim të një mjeti lundrues motor deti, në formë automjeti. Është përplasur me mjetin lundrues skaf të policisë kufitare. Kreçi ka marrë dëmtime të rënda dhe ka ndërruar jete pavarësisht transportimit në spital me autoambulancë. Mjeti lundures i tij mësohet se është mbytur pas përplasjes.

Njoftimi i policisë:

Ksamil, Sarandë/Informacion paraprak

Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.

Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura