Ahmed Januzi, sulmuesi i Kombëtares U-21 ka shënuar dje një gol spektakolar kundër gjigantëve ukrainas të Shahtjor Donjeckut. 21-vjeçari shqiptar ishte protagonist në ndeshjen që përfundoi me barazim 1-1. Skuadra e tij mori një pikë shumë të vlefshme. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Ahmed Januzi shënoi me kokë nga jashtë zonës së rreptësisë, duke barazuar shifrat. Skuadra e tij Vorskla Poltava, ishte ndëshkuar me gol që në minutën e 16-të dhe u desh një perlë e shqiptarit që të barazoheshin shifrat. Ky ishte goli i katërt sezonal i Januzit në radhët e Vorsklas dhe i 15-ti për të në radhët e ekipit ukrainas.
Lorik Cana – Unal Aisal është presidenti i ri i Gallatasarait dhe me shumë mundësi, zgjedhja e tij do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në të ardhmen e Lorik Canës. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka edhe tri vite kontratë me klubin e Stambollit dhe Aisal pati thënë disa ditë më parë se ndër të paktët futbollistë të huaj që ka dëshirë të mbajë në skuadër, është Lorik Cana. Aisal pati premtuar përpara zgjedhjeve të mbajtura dje, se do të rikthente në stolin e Gallatasarait, trajnerin e famshëm turk, Fatih Terim dhe se brenda vitit të parë si president, skuadra do të ishte në gjendje të fitonte një trofe. Sa i përket projektit të skuadrës, biznesmeni i njohur turk, pati pohuar se pjesa dërrmuese e futbollistëve të huaj që luajnë aktualisht te skuadra e Gallatasarait, do të largohen gjatë merkatos së verës. Megjithatë, ndër lojtarët që ai pati përmendur se do të qëndronin gjatë në Stamboll, ishte ai i Lorik Canës. Ky i fundit, prej kohësh është në bisedime me disa klube Perëndimore, por tani gjërat mund të marrin një rrjedhë krejtësisht tjetër për mesfushorin shqiptar.











