“Aferat e Ballukut, të pandashme nga ato të Ramaduros”- Berisha denoncon nga Strasburgu: Kryeministri dhe Peleshi po bllokojnë kërkesën e SPAK për arrestimin e kryehajdutes

Jan 28, 2026 | 14:50

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar nga Strasburgu lojën e fundit politike dhe taktikën e mazhorancës për t’i dhënë sa më shumë “jetë” zv/kryeministres Belinda Balluku dhe për të mos kaluar në Këshillin e Imuniteteve kërkesën e SPAK-ut, që kërkon heqjen e imunitetit për skandalet abuzive me tenderimet.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi, se jo vetëm po e mbrojnë “kryehajduten Balluku”, por edhe po bllokojnë drejtësinë.

Reagimi u bë nëpërmjet një videomesazhi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ku ai po merr pjesë prej disa ditësh. Kreu i selisë blu deklaroi se bllokimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku është një akt antikushtetues dhe puçist i kryeministrit Edi Rama.

Berisha akuzoi Ramën se po përdor Parlamentin për të mbrojtur aferat e tij dhe të bashkëpunëtorëve, duke e cilësuar atë “padrinon e narkoshtetit dhe të sistemit kleptokratik” në Shqipëri.

Lideri demokrat theksoi se ky vendim është një thirrje për reagim qytetar dhe se shqiptarët kanë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe të qytetarëve të lirë në Europë kundër regjimit kriminal.

Fjala e plotë e Sali Berishës:

“Këtu, nga salla e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, antikushtetues të Ramaduros dhe veglave të tij, Peleshit të parlamentit, të cilët në një vendim jashtë çdo lloji dhe kushtetute bllokoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për arrestimin e kryehajdutes së vendit, Lubi Ballukut, vetëm e vetëm se aferat e saj janë të pandashme me aferat e Ramaduros.

Me këtë akt, Edi Rama fakton para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ai është padrinoja, jo vetëm i narkoshtetit por dhe i sistemit kleptokratik që ka vendosur në Shqipëri.

Me këtë akt, ai u thotë shqiptarëve se ne ju kemi vjedhur dhe do të vazhdojmë t’ju vjedhim.

Por ky vendim është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë, revoltën, zemërimin e tyre, të ngrihen në revoltë dhe zemërim për të larguar një minutë e më parë këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, nga pushteti.

Shqiptarët në këtë betejë kanë me vete, kanë mbështetje, kanë aleatë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe mbarë qytetarët e lirë në Europë dhe në botë, të cilët shohin tashmë qartë tek narkodiktatori i Tiranës një kopje siameze të Noriegës apo Maduros së Venezuelës”.

© Panorama.al

Te lidhura