ACR: S’mbetemi peng, të hënën nis puna

Sep 9, 2011 | 11:32
Minatorët e Bulqizës, gjatë protestës së djeshme

Tjetër përplasje e fortë mes minatorëve të Bulqizës dhe kompanisë koncesionare ACR.Firma e huaj deklaron se të hënën do të bëhet apeli i punëtorëve që do të paraqiten në vendet e tyre të punës, ndërsa komisioni i grevës kërcënon me tjetër grevë urie nëse ACR do të ndërmarrë hapa që bien ndesh me interesat e 700 minatorëve të Bulqizës. Nëse paradite minatorët protestuan paqësisht para zyrave të ACR-së dhe në sheshin kryesor të qytetit, duke kërkuar plotësimin e të gjitha kushteve, mes tyre largimin e drejtorit të minierës Medat Zogu dhe minatorët të paguhen për ditët e grevës, dje pasdite ka mbërritur tjetër njoftim nga ACR.
ACR: Konsumuam bisedat, të hënën nis puna
Në një deklaratë të saj ACR njofton se ditën e hënë, me datë 12 shtator, ora 7:00, do të fillojë puna në minierën e Bulqizës. “ACR nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të biznesit të një grupi të vogël njerëzish të udhëhequr nga Kol Nikolla. ACR përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta. Për të mirën e përbashkët të kompanisë dhe minatorëve të Bulqizës ACR pranoi të ulej në bisedime edhe me drejtuesit e sindikatës, të cilët janë krijuesit e kësaj situate të vështirë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ACR-së, asnjë marrëveshje nuk është realizuar me krerët e sindikatave. Ashtu siç dyshohej, lidershipi i sindikatave ka treguar edhe njëherë mosdashjen e paarsyeshme për zgjidhjen e situatës. Në këto kushte ACR ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave, pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurierësh është konsumuar”, thuhet në deklaratën e radhës të kompanisë austriake ACR. Pas ftesës për t’u kthyer në vendet e tyre të punës, ACR kërcënon se minatorët që nuk do të paraqiten pranë administratës së minierës për të nënshkruar marrëveshjen individuale të punës, do të konsiderohen si punëtorë që nuk dëshirojnë të punojnë me këtë kompani. Më tej në deklaratë thuhet: “Personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë për kompaninë ACR duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e ACR në Bulqizë, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale. Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me modifikimet e mëposhtme: “Paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme, e drejta për t’u informuar për planet e investimeve në minierë”. Edhe në këtë deklaratë ACR ripremton dhënien e pagës së 13-të për minatorët e Bulqizës.
Nikollaj: Asnjë minator nuk do të hyjë në galeri
Vetëm pak minuta pas deklaratës mediatike të ACR-së ka reaguar Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj. Sipas tij, ACR nuk duhet të bëjë as më shumë dhe as më pak, por duhet të zbatojë ligjin e shtetit shqiptar. “ACR të respektojë ligjin dhe të mos përhapë informacione të rreme për publikun”, theksoi mbrëmë Nikollaj. Ai tha se kompania me njoftime të tilla dezinformuese po e çon situatën në pikën e fillimit. “Nuk mund të përcaktojë ajo krerët e sindikatës. Këtë ia kemi bërë të ditur ACR-së dhjetëra herë. Ia rikujtojmë përsëri. Ne jemi legjitim, të zgjedhur me votën e lirë të punëtorëve të Shqipërisë. Nuk tërhiqemi nga kauza jonë se do një firmë fantazmë”, nënvizoi Nikollaj. Ai shtoi se mbrëmë ka kontaktuar me komisionin e grevës dhe këshillin sindikal të minatorëve dhe ka marrë garanci të plota se asnjë minator nuk do të futet në minierë. “ACR e di fort mirë se një grevë nis me ligj dhe përfundon po në këtë mënyrë. Nuk ka minator që do të dalë kundër interesave të 700 minatorëve. Por, nëse dikush do ta bëjë një gjë të tillë do të paditet bashkë me firmën e huaj, pasi kështu shkelin ligjin duke tentuar të prishin një grevë të ligjshme”, tha kreu sindikalist. “Të garantohet kryerja e investimeve nga kompania ACR. Duhet të kryhen investime në nivelin 16 deri në 20 dhe të sigurohen të gjitha vendet e punës pastaj të rifillohet nga puna”, tha Nikollaj në prononcimin e tij. Ai pohoi se të hënën minatorët do të rinisin protestën e tyre në hyrje të galerisë, ndërkohë që të martën presin interpelancën e Kuvendit të Shqipërisë për minierën e Bulqizës.

2 muaj
kanë kaluar nga nisja e protestave masive në minierën e Bulqizës, duke paralizuar çdo aktivitet për nxjerrjen e kromit nga galeritë e nëntokës

Koleci e Përkoxha: Tentohet blerja e minatorëve

Presidenti i Konfederatës të Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, dhe kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, kanë qenë dje paradite në krye të minatorëve protestues para zyrave të ACR-së dhe në sheshin “Minatori”, para zyrave të Bashkisë Bulqizë. Ata janë shprehur se firma e huaj duhet të paguajë ditët e grevës, nga 4 korriku i këtij viti dhe deri ditën kur minatorët të bien dakord për të rinisur punën. Ata thanë se nuk do të pranojnë që të nisë puna në minierë pa larguar më parë drejtorin e kësaj miniere, Medat Zogu. Ndërkaq, ajo që tërhoqi vëmendjen është akuza e Kolecit e Perkoxhës se “emisarë” të ACR-së nga Uzinat e Ferrokromit Burrel e Elbasan, të paguar të ACR, kanë tentuar të mashtrojnë minatorët që ata të nisin punën ditën e hënë. Sipas tyre, këta persona tashmë të identifikuar kanë tentuar t’u japin para disa minatorëve, duke dashur t’i bindin për të lënë grevën e për të hyrë në galeri.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura