Abuzimi me pronat, sekuestro 41555 metrave katrorë plazh në Kavajë

Jan 23, 2012 | 11:03
Plazhi i Spillesë në Kavajë

Tirane – Një sipërfaqe prej 41555 m2 tokë është sekuestruar në mënyrë preventive nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë, në kuadër të hetimit që po zhvillohet ndaj gjashtë ish-zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit të Pronave të Tiranës, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”. Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, në datën 11 janar 2012, Gjykata ka vendosur sekuestro preventive mbi dy sipërfaqe toke, konkretisht: 1-Pasuria me Nr. 284/3, vol. 13, faqe 23, me sipërfaqe 29670 m2 dhe 2- Pasuria me Nr. 284/4, vol. 13, faqe 24, me sipërfaqe 11885 m2. Gjykata ka vendosur sekuestro edhe ndaj pronave aktuale te krijuara si rrjedhojë e veprimeve të mëvonshme te kryera mbi këto pasuri. Sipas burimeve nga Prokuroria, fjala është për sipërfaqet e truallit në bregdet, të cilat në mënyrë abuzive i janë kthyer familjes Jenisheri. Për këtë skandal Prokuroria urdhëroi arrestimin e gjashtë personave, nga të cilët pesë ranë në pranga me akuzën se kanë spostuar pronën që duhej t’i kthehej familjes Jenisheri. Të arrestuarit për këtë çështje janë shtetasit Bledar Dervishaj, ish-drejtor i AKKP, Tiranë, Ali Aliaj, ish-përgjegjës juridik në AKKP, Tiranë, Dhimitër Papa, ish-topograf në AKKP, Tiranë, Merita Gjinali, ish-topografe në AKKP, Tiranë dhe Niazi Ademi, topograf i licencuar, punonjës Ujësjellësi, Durrës. Një shtetas i gjashtë është shpallur në kërkim nga Policia me akuzën e bashkëpunimit me pesë të arrestuarit. Sipas Prokurorisë, ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet duke zhvendosur pronën që i takonte familjes Jenisheri. Kështu, sipas ligjit, familjes në fjalë i takonte kthim dhe kompensim në tokë-arë, por në fakt ka ndodhur krejt ndryshe. Sipas Prokurorisë, në vitin 2008 e më vonë, pesë të arrestuarit kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer e njohur familjes Jenisheri 41555 m2 tokë ranore në bregdetin e Kavajës. Prokur-oria pohon se kjo procedurë ka qenë e paligjshme, pasi është kthyer një tokë shumë herë më e kushtueshme nga sa u takonte përfituesve dhe, po ashtu, është ndryshuar edhe lloji i tokës që do të kthehej, nga tokë-arë në tokë ranore. Interesi dyshohet se ka qenë shitja e sipërfaqes së plazhit nga dy gratë e familjes Jenisheri që kanë trashëguar pronën. Ato mësohet se kishin bërë një parakontratë për ta shitur sipërfaqen e plazhit me 137 lekë për metër katror. Për këtë shkak, Prokuroria krahas hetimit për falsifikimin e dokumenteve dhe parregullsitë e tjera, ka vendosur sekuestro preventive mbi pronën e kthyer në mënyrë që ajo të mos tjetërsohet, derisa hetimi i kësaj çështjeje të përfundojë me zbardhjen e aferës.                             tr.so

© Panorama.al

Te lidhura