“Abuzimet me ‘Tigrin 1’ dhe ‘Tigrin 3’”- Afera e termocentraleve, Gazment Bardhi çon në SPAK Belinda Ballukun: Hetim të shpejtë, mori 80 milionë euro

Mar 1, 2025 | 8:26

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi dje se ka depozituar në SPAK kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut.

balluku ne spak belinda balluku spak inceneratori i tiranes deshmia e ballukut  (9)

Ai akuzon ministren e Energjisë se ka shpërdoruar një shumë prej 80 milionë euro me aferën e termocentraleve lëvizëse “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Sipas tij, për termocentralet lëvizëse u paguan paratë, por nuk prodhuan asnjëherë energji, duke theksuar se për këtë aferë ka dorëzuar një mal me dokumente në SPAK.

Një ditë pasi publikoi një foto ku tha se ka dorëzuar në SPAK 11.3 kg prova për zv.kryeministren Belinda Balluku, kreu i grupit të PD-së në një deklaratë për mediat njoftoi se e ka kallëzuar për dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Duke e quajtur një skemë si ajo e inceneratorëve, Bardhi tha se dy TEC-et lundruese nuk janë vendosur ende në punë dhe kjo, sipas tij, tregon se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike. Bardhi akuzoi se kompania për dy TEC-et ishte paracaktuar nga Balluku. Për këtë thotë se ka dokumente që e provojnë.

“Kompania fituese ‘Excelarate Energy’, në regjistrat zyrtarë amerikanë, ka referuar që në janar se ishte njoftuar nga shteti shqiptar për shpalljen fituese. Pra, ndërkohë që tenderi në Shqipëri ishte ende i hapur formalisht, kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse amerikane se e kishte fituar atë. Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Belinda Balluku, e shpalli fituesin në mars 2022. Dokumentet zyrtare provojnë se fituesi i paracaktuar i bleu anijet në Bangladesh në prill 2021. Kjo do të thotë se as gjatë shpalljes së ofertës në janar 2022, as në ditën e firmosjes së kontratës në prill 2022, kompania e regjistruar në parajsë fiskale në Delauer, nuk dispononte mjete të prodhimit të energjisë, një nga kushtet kryesore për të qenë pjesëmarrës në garë”,  deklaroi Bardhi.

Ai përmendi se qeveria shpalli emergjencën energjetike në tetor 2021, pa asnjë njoftim zyrtar për mungesa energjie. Bardhi pretendon se emergjenca u krijua artificialisht për të justifikuar procedurat e dyshimta të prokurimit.

Më pas ai shtoi se: “Mjafton vetëm pak vullnet nga SPAK dhe disa specialistë me integritet që t’u provojnë shqiptarëve se Belinda Balluku e ka keqpërdorur postin publik dhe ka djegur jo për interes të shqiptarëve të paktën 80 milionë euro”.

Më herët Bardhi ka paditur Ballukun në SPAK për abuzime miliona euroshe me shitblerjen e energjisë elektrike, impiantin fotovoltaik dhe tunelin e Llogorasë. Edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit për “Çështjet sociale dhe tregun e punës”, denoncoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, që sipas tij për të vjedhur, ka ndarë 13 km e fundit të Unazës së Madhe në 14 kontrata.

“Sesi është vjedhur me rrugët, unë do ju jap vetëm një shembull, që është unik në planet, Unazën e Madhe të Tiranës. 13 km e fundit, në mënyrë që të vidhej, jo në çdo km, po në çdo 900 metër, u nda në 14 lote, 14 kontrata. A ka njerëz të tillë të pangopur, të shpërfytyruar, që vërsulen në pasuritë publike në këtë mënyrë?”, pyet ai, teksa tha se, “përveç tunelit të Llogarasë, asnjë rrugë tjetër e filluar dhe e mbaruar me buxhet në këto vite nuk ekziston”, – deklaroi Berisha.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura