“A e do Shabanin për burrë moj nane?”- Satira e Gjekmarkajt për zgjedhjen e Avokatit të Popullit: Natën vonë erdhi Babua, si kryekrushku në dasmën e Shabës! Vargjet e Dilos; S’pyesim për Erik From, kemi Zeqinenë tonë

Dec 14, 2025 | 17:15

Nënkryetari i Parlamentit, njëkohësisht deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, ka shkruar satirën e radhës për seancën e të enjtes në Kuvend, duke e përqendruar penën e tij tek zhvillimet për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokati i Popullit, ku opozitës iu desh të linte sallën në shenjë proteste.

endri shabani edi rama agron gjekmarkaj

Ligjvënësi i PD i ka kushtuar vëmendje ironike edhe çështjes së Projektligjeve për Tatimet dhe Buxhetin 2026, që mazhoranca i kaloi me shumicë votash dhe duke mos pranuar asnjë nga propozimet e PD.

Gjithashtu momenti kur kryeministri Edi Rama shkon në Parlament, apo “thumbimet” ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe deputetëve socialistë.

Gjekmarkaj i ka kushtuar edhe një poezi zhvillimeve në Kuvend.

Shkrimi i plotë i nënkryetarit të Kuvendit:

Nga Agron Gjekmarkaj

“Andrallat dhe të fshetat e së enjtes rikthejnë “Kroniken” të dielen.

Nuk po u besoja syve tek pashë Grupin tonë parlamentar tek lante me lot një portret mbi tavolinë dhe diçka mërmëritej  përvajshëm si akejtë mbi Patroklin !

Afrohem në majë të gishtave gjithë ankth, si të gjithë ata që duan të shtyjnë marrjen e një lajmi të keq sa më gjatë!

Ç’të shoh ?! Një fotografi e Gaz Bardhit ! Mos ?! Ç’i ka ndodhur evlasë, vikata ?! Albana vazhdonte “Mbahu PD mos ki frikë se  ke Gazin në Amerikë, në senat e në kongres shkoi qafiri, serbes serbes, në Shtëpi të bardhë e mbajti  hapin Babos  me i ndalë vrapin”!

Elda Hoti e mbante për krahu. Flamur Hoxha mblidhte lotët e të pranishmeve mbi një lotore si ajo e Neronit, pikë- pikë! Jorushi rrinte gati me një broke ujë mos ndokush zalisej!

Mora frymë i lehtësuar sepse asnjë gjëmë nuk kishte në mes!

Negociatat e mia për të zëvendësuar deputetin trazovaç e zhurmëmadh  në anë të korridorit, i cili refuzon të identifikohet me emër, por që “xhixhin”, qenin e tij e thërret djalë dhe me gjymton të menduarit e shëndetshëm me Brunilda Çakerrin ose tek e fundit me Buçkon apo të zymtin Tërmet , nuk po kanë sukses!  Ju drejtova njërit prej tre buajve të parlamentarizmit, Taos!

“Nuk të ndihmoj dot tha , o byrazer! Brunilda druaj mos te shpërqendron, tha dhe “Kronika” behet shumë lirike, humbet tharmin kritik.

Ne thamë shyqyr qe iku Etilda e ti prapë me kësi dënglash!

Termeja ta ka bërë benë dhe sa herë ti kujtohen pikëllimet dhe brëngat qe i ke shkaktuar Tezes,  duke i vënë në dukje putirin, veshjet kombëtare kur ia valles oshenare në Berlin para Babos së mufatur, bezdie si të ishte një sorkalle adoloshente nuk do te mbahet, të kopanis! Nuk ta bëj dot këtë.”

Ndërsa Buçkon ia kemi lënë si pritë Ogit ndaj Zeniqesë! E pe sot, sa iku Buçkoja në yzyrhane, i shkoi aty dhe i bënte pyetje që të prishin gjakun, a është Tao gjeni apo korife, sikur do të më fuste në hasmeri me Babon!

Po Ogi çi tha ! Ajo beri sikur s’e kuptoi dhe i tha se për gjera delikate kopetent është Ervin Hoxha!

Zeniqeja shkoi dhe ul ne mes të Linditës e Ervinit, duke ua ndarë respektin me nikoqirlëk, nën shikimin e shushatur të Ulësisë, i cili bashkë me të ka krijuar një duet mendimi!

Hataja ndodhi kur Kryezevendës Lideri ynë  Flamuri, qe Zoti ia bëftë ditët një mijë i tha Taos “injorant”!

Aty Tao nuk mbajti ! Mazhoranca u tendos e gjitha për të mbrojtur erzin intelektual të tij !! U kalua Rubikoni, u kalua Rubikoni, etika u shemb, fyerja mori dhenë, çirrte faqet e hante thonjët me dhëmbë, Erjon Malaj i PS, shpagim- shpagim ulëriste !

Po kur Kryezëvëndes Lideri na bëri një leksion  etimologjik që fjala “injorant” nuk është fyerje, por padije për një çështje të caktuar, gjakrat u ulën!!!

Erald Kapri, si një bej topolak, por pa fesin e kuq mbi krye, me një cullufe në qosh që i nget mendimin e pakëz i skuqur nga emocionet dhe shëndeja birinxhi, mban fjalime të mira nacionalizme e konservatorizme! Qerratai, tani që është bërë një prej etërve të kombit, rri gjithë nursësllëk.

Klodi nga lart ia mori këngës “A e do Shabanin për burrë, moj nane?”!

Ne nga poshtë i thonim “Nuk e duam Shabanin, mbajeni për vete”!

Toni bënte shartet e martesës mes Shabës dhe Qeverisë, duke u futur ne gojë nga një llokum!

Ndërkohë, një ministër me mjekër fliste ëmbël me Tezen dhe te dy dukeshin si dy motrani e shoqeni. Me të pasë lezet shpirti me i kqyrë!

Gonxhja, që hajër mos bëftë që i zuri vendin Margaritit, që mall e brengë na ka shkaktuar, kishte hedhur një velenxë mbi supe dhe dremiste si kalë në haur.

Mamica kishte zbritur nga qielli, në faqe ënde i kishin mbetur shenjat e Rutte Kodoshit, që e shoftë damllaja e shoftë se desh na la pa të, e mbyti me të puthura! Neve këtej na afron vetëm qoshen e kokës! Nuk lëshoi llaf as zë, me sy lypte një duhan, por Nallbaja nuk qe as t’ja jepte, as t’ja ndizte!

Pas fjalimit tim plot me referenca e citime, u çua tribuni e poeti popullor Dilo Nasufi dhe lexoi një vjershë përmalluese, fryt mendimesh të pjekura mjaltë!

Flet Levendi për buxhetin

Dhe na qesendis Hyqmetin

Qe zdërhallet për miletin

Dhe çudit tërë Dovletin.

 

Nga mëngjesi gjer në darkë

Mejtoni për oligarkë

Ktu na thoni gjepura

S’bëhet stan me lepura.

 

S’pyesim ne për Erik From

Se kemi Zeniqenë tonë

I zgjedh fjalët me lezet

Lum kush e ka kismet.

 

As ai Albert Kamyja

S’na bën fajde te Partia

Asaj pune mos i hyni

Se ne ktu na zën leximi.

 

Babon kemi dhe “Kurbanin”

Ai na e ka gjetur zamanin!

 

Komiku Aristofan

Desh t’hynte në sallë, në qosh

Po zaptijet nuk e lanë

Se u dukesh kokëbosh!

 

I thane mos na beje hile

Se ktu është Sara Mile

Rënkonte komiku  me përgjerim

Jam këtu për Mamicën, pa te s’ka amëshim!

 

Meqë ra fjala, buxheti

As na prish, as na ndreq

Kush u zgjua, ra prapë fjeti

Njeri shton, tjetri heq

 

Salla shpërtheu ne duartrokitje! Kostaqi, i ulur në llozhën ku Genci Gjonçaj nuk linte të ulej njëri pa u kthyer i uruari,  vështronte si Sokrat i vuajtur dhe mejtonte Ç’të bëjmë më tej me këta të paudhë?! Genci vetë  hante fara lule dielli në llozhën e vet, me shpresën që ndokujt do t’i dukej i rëndësishëm.

Blendi Klosit i humbisnin llafet si dhitë në mal!

Damua kishte lyer flokët me një bojë të prarur që i shkonin me xhaketën dhe buzëqeshte gjithë kohës si firaun lozonjar!

Enno Bozdi, si keleust, ishte personi që jepte komandat dhe mbante ritmin e rremtarëve, shpesh me zë të lartë, “pro”- “kundër” dhe Ivi Kaso e admironte për timbrin dhe vendosmërinë!

Në darkë nga e vona erdhi Babua si gjever ose kryekrushk për dasmën e Shabës! Na kqyrte me mall e ne po ashtu!

 Kiduina pllaquriste duart me gëzim- erdhi- erdhi- erdhi. Ishte hera e parë që e shihte nga afër.

Qe mos të shpërthenin të qara, ikëm nga salla! Nikua, i menduar, nga lart, na qortonte me sy dhe dukej sikur thoshte “Po pse more, ju plaçin sytë, pse do kalojnë muaj e muaj derisa ta shihni prapë do ju dergjë malli”! Jo, jo, pa merak, i thamë, do shkojmë të piqemi me 22 dhjetor te Kryeministria!”.

© Panorama.al

Te lidhura