Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, foli sot pas mbledhjes së këshillit të Ministrave (19 mars), ku u morën disa vendime të rëndësishme.
Ai shpjegoi edhe ecurinë në disa fusha kritike dhe projekte të deklaruara nga Qeveria, sikurse Paketa e Maleve, për të cilën u shpreh se po ecën me ritme të larta.
“Po ecën me ritme të shpejta, në disa bashki është gati të vijohet me procedurat për trajtimin e kërkesave”, tha ai mes të tjerash.
Ministri iu përgjigj edhe disa pyetjeve të gazetarëve, kryesisht në lidhje me Komisionin e Reformës Territoriale, ecurinë e saj, problematikat dhe zgjidhja e mundshme.
Demo deklaroi se “mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje e për të çuar përpara reformat”.
“Komisioni i posaçëm është mbledhur edhe gjatë kësaj jave, në javën tjetër do të nisin edhe takimet dhe të ftuarit e parë komision mes të cilëve do të jem dhe unë. Komisioni e ka gjithë kohën para për të bërë punën. Jam besimplotë që komisioni do të ecë përpara dhe ka mjaftueshëm argumente që palët të adresojnë”, tha ministri.
Ai theksoi se mazhoranca ofron zgjidhje për t’i çuar para reformat dhe që të përfshihen palët.
“Jemi të hapur që të jetë një reformë që përfshin të gjitha palët. Besoj që mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje e për të çuar përpara reformat. Por jemi si mazhorancë shumë të hapur që të jetë një reformë që përfshin të gjitha palët”, tha ai.
© Panorama.al












