Nga BESNIK DIZDARI 
1.
…Ia kërkoi Kosova e tij. Them Kosova e tij, sepse e tij ajo ka qenë përherë. Gjithçka u bë e mundur falë Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, i cili donte të përuronte botimin e katërt të librit të tij “Shqipëria e vërtetë NËNA KOSOVË”, pikërisht në 80-vjetorin e botimit për herë të parë të kësaj kryevepre më 1943.
Ky botim i tashëm është padyshim më eleganti, më moderni që mund të jetë bërë ndonjëherë. Është botim i Fondacionit “Alsar”, me president zotni Mehdi Gurra, fondacion që me botimet e tij të larmishme e të nivelit shumë të lartë, tashmâ është shndërruar edhe në një shtëpi botuese unikale në Shqipëri. Promovimi i Prishtinës në sallën e Institutit të Albanologjisë u kryesua prej drejtuesit të Institutit të Albanologjisë të Kosovës, zotni Hysni Matoshi në praninë edhe të zotnive Mehdi Gurra dhe djalit të dr. Samimit, ing. Genc Samimi. Ishte tejet emocionuese fjala e botuesit Mehdi Gurra, i cili ndërmjet të tjerave tha:
“… Promovimi ka një përkim interesant, sepse gjendemi bash në kohën me kryefjalë sërish Kosovën, në një moment delikat të saj, kur së tepërmi vlejnë pjekuria e maturia, aq të nevojshme dhe të kërkuara nga çdokush dhe për çdokënd. Në këtë kuptim e krejt vetiu, botimi anastatik për Kosovën, i autorit Vasfi Samim Visoka, të ndjerit të ikur nga kjo jetë prej një kohe mjaft të gjatë, fiton një simbolikë të caktuar në kuadrin e ngjarjeve aktuale. Është fat për Botimet “ALSAR” nxjerrja e veprës në çastin më të përshtatshëm, të etur për atë dashuri të pastër për këto troje që përcillet si jo më mirë në të. “Shqipëria e vërtetë NËNA KOSOVË”, shkruar nga dora e një ashiku si një simfoni prozaike, çau murin e heshtjes së krijuar prej dekadave nga botimi i parë dhe mbërriti në duar çmuesish të ndjenjave të sinqerta. Sepse bartëse të ndjenjave të tilla të pastra janë faqet e dedikimit të ndjerë e mahnitës për “gjysmën e trupit të mëmëdheut”.
Autori i këtushëm natyrisht, që kurrë nuk mund ta harrojë një ditë pranvere të vitit 1970 ose 1971, diku aty, pranë Pazarit të Ri, në hyrje të sheshit të tij, te shoh dr. Samimin fare pranë. Ai vuri buzën në gaz, ndaloi, mu afrua dhe më përgëzoj për shkrimet që botoja në gazetën “Bashkimi”, gazetar i së cilës isha. Kësisoj, qysh atë ditë për fat, ndonëse në ndryshim të dukshëm moshe, jam bërë mik me dr. Samimin, ndaj të cilit natyrisht, ndjehesha si nxënësi ndaj profesorit të madh. Bisedat tona kanë qenë të përhershme, të gjata: gazetaria, sporti, e kaluara e tij në Shqipëri, dhe jashtë, fillimet, e sotmja…
Dr. Samimi, kishte mbetur me gjithë burgosjen, nëpërkëmbjen e tij, i gjithmonshmi: njeriu i lirë brenda shpirtit të tij kalorësiak. Besonte dhe ëndërronte sidomos te brezi i ri, prej të cilit qe rrethuar gjithmonë dhe do të rrethohej deri në ditën e ndarjes së tij nga jeta më 1981 në moshën 76-vjeçare, që për të gjithë ne që ia njihnim shpirtin rinor, ajo ishte një lamtumirë e parakohshme.
Do të mbërrinim te vepra e bijve të tij, prof. dr. Ergjin Samimit të paharrueshëm dhe ing. Genc Samimit. Në të vërtetë, ndërmarrja e tyre unikale, më shumë se vepër ishte një kryevepër e tyre. Do të botonin një kollanë të gjithanshme të veprës së babait të tyre, dr. Vasfi Samim Visokës. Një ndërmarrje sa fisnike dhe detyruese, po aq kombëtare dhe atdhetare. Aq më tepër kur dihet se e shpërndarë në vite, e fshehur dhe e harruar me qëllim prej një Regjimi që kurrnjiherë nuk ia fali as atdhetarinë dhe as universalizmin e tij kulturor dhe shkencor, por as dhe oksidentalizmin e tij të pashembullt, gjithnjë në dobi të përparimit të Shqipërisë, dalja në dritë për herë të parë e veprës së dr. Samimit në plot 28 vëllime përbënte padyshim një ngjarje të jashtëzakonshme në jetën shqiptare.
Ai kishte lindur në Visokë të Fierit më 1905, po për vite të tana do të jetonte në Stamboll. Ndërkaq, për sportin shqiptar kur për herë të parë Shqipëria organizon Kampionatin e saj të parë Kombëtar sportiv, atë të atletikës së lehtë më 1929 dhe më 1930 atë të futbollit, me të dy këto themelime do të ketë fort punë dr. Vasfi Samim Visoka, portieri i Fenerbahçes së Stambollit i cili kthehej në Shqipëri mbas gati 15 vjetëve. Do t’i dilte për zot një veprimtarie gjigande. Edhe sportive, madje drejtpërsëdrejti në fushën sportive, dhe më fort në atë organizative e drejtuese. E, dr. Samimi që deri njeriu i nismës, drejtimit dhe realizimit të pranimit të Shqipërisë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë (IAAF).
Natyrisht blegtoria, veterinaria, zooteknia, problemet e ekonomisë kombëtare, të mbijetesës së Mbretërisë së re, ishin mbi gjithçka. dr. Bilal Golemi dhe dr. Vasfi Samimi krijojnë të parin laborator biologjik, ndërsa papritmas Dekreti Mbretëror, nr. 79, i 13 qershorit 1930 do ta çojë Doktorin 25- vjeçar në krye të Zyrës veterinare të Vlorës mbasi qysh me një shkresë të 5 shkurtit 1929 qe emëruar veteriner i Vlorës. Fati i Flamurtarit të Vlorës të gjente kështu edhe portierin e tij të futbollit. Dr. Samimi ka qenë kështu një ndër portierët e parë në futbollin shqiptar.
Kur më ka ftuar për vizitë në shtëpinë e tij nuk ka mbetur pa më pritur në dhomën e tij së cilës i merrej fryma prej librave, revistave, gazetave, dorëshkrimeve. Aty kam parë shumë. Jo vetëm blegtori, zootekni e veterinari. Sepse është dr. Vasfi Samimi ai i cili shkruan deri kritikë për vlerat e të famshmes “Hanko Halla” të Ali Asllanit! Ishte poliedriciteti i tij. Shkrimet e tij nuk numërohen me dhjetëra por me qindra e qindra. Ai themelon revista teknike e blegtorale, boton buletine e studime të panumërt. Ai është aty ku qëndron kultura si bazë: në shkencat bujqësore, në art, në sport, në sociologjinë shqiptare. Është veteriner, zooteknik, gazetar, shkrimtar, mendimtar i sporteve, kritik, kryeredaktor, por dhe kampion i Shqipërisë me SK Tiranën.
Kur do të përfundonte ndërtimi i Stadiumit Kombëtar, sot i shuar, ai e përcaktonte një “ëndërr si një film tërheqës që më kaloj nga koka dhe nga zemra.”, siç shkruan në këtë vit 1943. Stadiumi do të bëhej, por dr. Samimi kurrnjiherë nuk pati një vend nderi në te. Do të kërkonte një biletë dhe do të ngjiste shkallët e bardha të tij ashtu qetë qetë, me buzëqeshjen e lehtë të tij karakteristike i përzier me turmën. Dhe kurrnjiherë si njeri prej nxitësve më të parë të ndërtimit të këtij stadiumi dhe as ândrrimtari i pandreqshëm i realizimit të tij, apo parashikuesi i gjallërisë së pamat të kësaj arene që për ne do të bëhej gati mitike në morinë e ngjarjeve që të do shpaloste, të gëzueshme apo të trishtuara, fitimtare apo humbëse, politike apo apolitike, zhvilluese apo dështuese.
2.
Por… “Nëna Kosovë” – “Krimi” i dr. Samimit”! Libri panegjirik i një atdhetari të shquar për Kosovën, poezia e shpirtit të tij. Që do të dënohej pamëshirë, vetëm dy vjet më mbas.
Shkruan dr. Samimi:
“… Kam shkuar pesë herë në Kosovë. I jam bërë pesë herë dashnor. Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrit njeriut, atmosfera e saj është mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saja të shenjta valon një fuqi magjiplote. Në Kosovë, për të parën herë njeriu, e ndjen veten të hyjë në tempullin kombëtar. Aty një qetësi e këndshme, një besim i sigurt dhe një vetëmohim i ëmbël ia pushton zemrën, trurin dhe shpirtin çdo udhëtarit. Aty për të parën herë besoni vetveten! Me një nderim të amshuar, ngjitemi në altarin e atdheut, me një nevojë të brendshme për të falur rreth kombit, racës, historisë dhe dëshmorëve.
Kjo prozë poetike, ky himn atdhetar për Kosovën janë shkruar nga Dr. Vasfi Samim Visoka plot 80 vjet më parë, më 1943. Dhe papritmas vërejmë se po në këtë 80-vjetor të botimit të librit të tij “Shqipëria e vërtetë – NËNA KOSOVË”, pikërisht Kosova e fton të mbërrijë Prishtinën e saj, përmes këtij “udhëtimi” të tij, metaforik, siç po më duket e përshtatshme për të përcaktuar.
Kam shkruar që nëse do të kompozohej një simfoni për Pavarësinë e Kosovës do të duhej që aktori i madh i Kosovës të ngjitej në një kohë me dirigjentin e orkestrës dhe nën shoqërimin e muzikës simfonike të një rilindjeje qiellore të pjesës tjetër të kombit shqiptar, nga zëri i tij i fuqishëm të ushtojnë këto vargje (se vargje janë) të dr. Vasfi Samim Visokës:
“… Në këtë tempull të atdheut rrezet zbresin nga dielli, xixëllimet bien nga yjet, flokët e argjendta derdhen nga hëna… Fletët këputen nga degat, gugurojnë ujërat nga burime të kaltra dhe këndojnë bilbilat në hije të freskëta. E gjithë Natyra flet me ju. Fitoni besimin, jetën, lumturinë e idealin e lirisë! Bukuria e Kosovës është bukuria e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës…”.
Por, pa mbërritur mirë 15 dhjetori i 1944, Vasfi Samim Visoka arrestohet! Krimi? Libri “Nëna Kosovë” dhe një shkrim përmes të cilit ai kishte kërkuar më 1944 atë që ëndërrohet ende edhe sot, bashkim.
Profetike fjalët e tij në gjyq:
“Zoti prokuror, ke vënë gjyzlykë të zeza, hapni dritaret e zemrës të shihni dritën e diellit… Unë librin ‘Nëna Kosovë’ e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë e përmbajtjes së saj e kam shkruar si shqiptar dhe ka një stil human”.
Po kush donte të shihte dritën e diellit? Ishte gjyqi i famshëm i armiqve të popullit. Në krye të trupit gjykues ishin emrat e vetë udhëheqësve shqiptarë. Ndërsa emrat e “armiqve” ishin histori e pafund: Fejzi Alizoti, Aqif Përmeti, Terenc Toçi, Bahri Omari, Kol Tromara, Xhevat Korça, Ibrahim Biçakçiu, Koço Kota, Gjergj Bubani, Mihal Zallari, Zenal Prodani, Vasfi Samimi, Dik Cami, Teufik Mborja, Lazër Radi, Rrok Gera, Mihal Sherko, Manush Peshkëpia, Jakov Milaj, Ihsan Libohova, Emin Toro…
Tre vjet burg edhe për dr. Samimin! Vuan 1.5 vjet dhe vazhdon me kusht në fermën e Sukthit e të Xhafzotajt. Ia kanë nevojën, por kurrë nuk ia japin atë që i takon. Bashkëthemelon Zootekninë e Shkodrës, është specialist, por nxiton plot pasion të shkojë e të punojë me krahë te ndërtimi i Stadiumit të Shkodrës dhe për ironi të fatit të shpallet dy herë sulmues. Gjendet në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës e prej tij mbërrin gjenetikë, praktika blegtorale, tekste mësimore, manuale, gati 30 tituj. Shkrimet gati mbërrijnë njëmijshin! Dhe gjithçka përmes një lufte e një modestie deri në sublim. Luftë prej pushtetit, luftë prej kolegëve të paaftë, madje edhluftë prej atyre që e quanin anti-Lisennko! Dhe Vasfi Samimi me çantën e tij të vjetër prej lëkure, të mbushur me libra. tek zbriste përditë nga Kamza dhe i drejtohej shtëpisë së tij me hapin e tij të ngadalshëm rrugës së Pazarit të Ri, shpesh i shoqëruar nga të rinj, studentë e miq, nxënës e njerëz të etur për dije. I heshtur në mjedisin e tij intim thotë: “Më duan njerëzit e thjeshtë, me ata flas shtruar dhe ata më dëgjojnë me interes të madh”.
Kurse te disa të tjerë shfaqej ai që quhej krimi i tij: libri “Nëna Kosovë”. Gjithë jetën i munduar prej një vepre të jashtëzakonshme atdhetare! Paradoksi më i madh!
3.
Autori i këtushëm është me fat. Ma ka dhënë me dorën e tij një kopje të rrallë të librit “Nëna Kosovë”, asokohe kur ky veprim përbënte jo pak rrezik. Kur ia kam kthyer librin kemi biseduar gjatë. Ai dëgjonte. Kishte një aftësi origjinale për të të dëgjuar, madje dhe për të kundërshtuar gjithnjë përmes buzëqeshjes së tij që blatonte veç miqësi. Kështu, me një qetësi olimpike edhe kur dikush i tregonte se si një disertacion i tij ish përdorur si plagjiaturë prej një tjetri, edhe se si dikush bëri të tijin një studim sportiv a diçka tjetër. Vetëm “Nëna Kosovë” nuk prekej prej askujt, sepse ajo ishte “corpus delictum” e askush nuk guxonte t’i afrohej. Ndërsa ai ia jepte një miku të tij. Kësisoj, ndonëse në Bibliotekën Kombëtare e kishte zënë pluhuri në fondin e librave të ndaluar, “Nëna Kosovë” prapëseprapë kishte gjetur mënyrën për t’u lexuar, qoftë dhe në pak njerëz…
Mbas luftës, mbas burgimit, dr. Vasfi Samimi mbeti pedagogu dhe shkencëtari i blegtorisë, gjithnjë në rreshtin e parë të punëtorëve më të mëdhenj të kësaj fushe. Jo i presidiumeve të sallave dhe as i tribunës qendrore të Stadiumit Kombëtar për ndërtimin e të cilit kishte propozuar qysh në fillim të viteve ’30. “Nëna Kosovë” i shfaqej gjithnjë si pengesa e madhe herë me të butë e herë me të egër, herë në skenë e herë në prapaskenë dhe gjithnjë për t’i kujtuar se deri ku ai e kishte cakun.
Dhe ndërkaq:
“Një lëndinë e gjelbër që mbulon varrin e tij s’ka dyshim se është një copë nga stadiumi, nga tapeti i gjelbër i stadiumit tonë kombëtar dhe besojmë se kjo është dhurata më e mirë për të ndjerin prof. Anton Mazrreku”, ka lënë të shkruar dr. Samimi në ditën e lamtumirës së bashkëthemeluesit tjetër në sportin kombëtar”. Natyrisht pa mundur ta botojë diku, por gjithnjë duke i mbajtur fort edhe këto mendime zemre brenda afshit të atdhetarisë së tij.
Ky ishte dr. Samimi, i cili i dhënë po kaq edhe mbas artit dramatik, më befasonte kur do të më jepte të lexoja reportazhet e tij për takimet me Aleksander Moisiun botuar në shtypin shqiptar të viteve ’40. Kishte vazhduar kurset e natës në Berlin në shkollën teatrale të Maks Reinhardit! Asgjë nuk mbaron këtu: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Evlia Çelebiu, publicistika, arti, kultura kombëtare, shkencat teknike, edukimi i brezave, mëkëmbja e bujkut, kalorësia, letërsia – sot për fat të gjitha këto në monografi e studime, tashmâ në 28 vëllimet e veprës së tij universale.
Më 1943, dr. Vasfi Samimi emërohet sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Popullore. Është ky vit fatthënë kur ai boton kryeveprën e tij atdhetare “Shqipëria e vërtetë – NËNA KOSOVË”, që në Shqipëri u bë e mundur të ribotohet vetëm me përmbysjen e komunizmit. Dhe:
“… Marshoni me hapa vigane drejt Kosovës, sepse aty iu pret burimi i gjakut tuaj, trashëgimi kombëtar, flamuri kombëtar”.
“… Njerëzit e shëndoshë gjithmonë janë në gjendje të punojnë e njerëzit që punojnë krijojnë dhe njerëzit që krijojnë fitojnë të drejtën e jetës”.
“… Kjo është Kosova jonë, gjysma e trupit të mëmëdheut”.
“… Padrejtësia gjithnjë është destinuar që të marrë fund, Çdo popull për të metat e tija shoqërore, ekonomike e kulturore duhet të udhëhiqet prej bijve të tij idealistë e intelektualë”.
E pra, ku janë bijtë e tij idealistë e intelektualë të ndershëm? Sa aktuale këto rreshta të “Nëna Kosovë”…
Dhe si një herë tjetër, prapë më duhet të këmbëngul se ende Shqipëria pak e njeh Kosovën. Jo si shtet, se dihet është e para që e ka njohur. Nuk e njeh Kosovën, sepse di pak për Kosovën. Dhe kujton se për te është koha e diplomacisë mendjemadhe, diplomaci thjesht për t’u dukur, pra. Kështu, përveç të tjerave ngaqë ata nuk e njohin Kosovën. E aq më pak të kenë lexuar librin “Shqipëria e vërtetë – NËNA KOSOVË” të dr. Samimit.
Vërtet! Do të kisha pasur dëshirë të madhe sot që të kishte mundësi që dikush t’i merrte në provim, sidomos njerëzit e politikës së sotme shqiptare, me kryeministër e ministër, me analistë e gazetarë, me botues e televizionistë, për të kuptuar e mësuar më mirë se sa ata e njohin Kosovën. E them këtë se me çka dëgjohet, shihet e lexohet, përveç të trajtesave e të një servilizmi të çuditshëm qeveritar, spikasin edhe mangësitë e padituritë e mëdha të tyre në njohjen dhe dituritë për Kosovën. Pavarësisht nga që e përmendin tash e parë me një megalomani e ndërhyrje po megalomane. Iu mungon më thelbësorja: atdhedashuria. Ndonëse nuk iu mungojnë asnjëherë buzëqeshjet, shtrëngimet e duarve e rrahjet e shpatullave, qoftë me joshqiptarin, edhe pse ky nuk e do aspak Kosovën. Madje e urren. Do t’i dënojë historia. Ajo që edhe mbas 80 vjetëve di të nderojë, ashtu siç nderoi Prishtina “Udhëtimin” e dr. Samimit për te “Nëna Kosovë”.
Prishtina dhe Instituti i Albanologjisë i saj, ku ndërsa Shqipëria hesht, Kosova promovon në 80-vjetorin e botimit të parë, tash të ribotuar aq hijshëm nga “ALSAR”, të librit “Shqipëria e vërtetë – NËNA KOSOVË”. Për të mbërritur edhe një herë në këtë grishje të dr. Samimit, me të cilën përmbyll studimin e tij profesor Hamit Boriçi:
“Zëri i atdheut thotë: O njeri, çohu, shkundu!… Hapi sytë dhe shpirtin kundrejt realiteteve të sotme, dritave të shekullit të fundit dhe qytetërimit evropian”!
Është e shkruar 80 vjet më parë te “Nëna Kosovë” nga dr. Vasfi Samim Visoka. Mbetet ende në fuqi edhe për shqiptarë të sotëm…
© Panorama.al











