Kamza në festë, Vllaznia pritet si një finale

Sep 16, 2011 | 12:19

Kamza u ka dhënë fund përgatitjeve dhe është gati për të pritur sot në shtëpi Vllazninë, takim ky i vlefshëm për javën e dytë të kampionatit. Interesimi për këtë përballje ka qenë i madh nga ana e kamzalinjve, pasi do të luajnë ndeshjen e parë historike në fushën e tyre, në elitën e futbollit shqiptar. Kështu, dita e sotme do të kthehet në ditë feste për Kamzën. Drejtuesit e klubit kanë programuar të zhvillojnë një koncert festiv para fillimit të takimit, ndërkohë kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, jo vetëm që do të jetë i pranishëm në stadium, por do të mbajë dhe një fjalim për t’i uruar skuadrës kryeqytetase rrugë të mbarë në përfaqësimin e saj në Superiore. Ndërkohë që gjatë kësaj jave, nga ana e trajnerit Ernest Gjoka është kryer një stërvitje e fortë me grupin, i cili përveç një problemi të mesfushorit Artan Karapici, duket i plotë. Nga ana e teknikut i është mëshuar përveç aplikimit të skemave taktike që do të përdorë sot ndaj shkodranëve, edhe anës psikologjike. Humbja me Flamurtarin, sipas teknikut, nuk duhet të influencojë ndaj kuqebluve, ndërsa është kërkuar një përqendrim më i madh për 90 minutat e sotme.

Josa
“Do të jetë një përballje jo e lehtë, madje, do të thosha që është një sfidë e vështirë, pasi do luajmë përballë një skuadre që ka kualitete në gjirin e vet dhe për më tepër do kërkojë më të mirën në shtëpi, në këtë takim premierë të këtij sezoni. Megjithatë, ne do të shkojmë në Kamzë, për të kërkuar më të mirën dhe sigurisht për të marrë maksimumin e mundshëm ndaj debutuesve të Superiores. Gjatë kësaj jave, kemi punuar për të rikuperuar sa më shumë nga mangësitë e vërejtura në ndeshjen e parë”, është shprehur tekniku i Vllaznisë, Josa.

SUPERIORE/ JAVA 2
Sot, ora 16:00

Kamza-Vllaznia
Laçi-Bylis
Nesër, ora 16:00
Kastrioti-Tirana
Shkumbini-Apolonia
Pogradeci-Tomori
Sot, ora 18:00
Teuta-Flamurtari
Pasnesër, ora 19:00
Dinamo-Skënderbeu

© Panorama.al

Te lidhura