Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar Belinda Ballukun lidhur me menaxhimin e fondeve për infrastrukturën rrugore.
Sipas Këlliçit, gjatë dy viteve të fundit në dispozicion të ministrisë kanë qenë rreth 3.8 miliardë euro të destinuara për sektorin e rrugëve.
Ai e cilëson këtë shumë si rekord për një vend me përmasat e Shqipërisë, duke argumentuar se një investim i tillë do të duhej të kishte sjellë përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë.
Këlliçi përmend bllokimin e qarkullimit në juglindje të vendit për shkak të dëmtimeve në segmente rrugore, vonesat në zgjerimin e aksit Milot–Shkodër në veri, si dhe zvarritjen e punimeve në segmentin Tiranë–Kashar.
Sipas tij, trafiku i rënduar drejt Durrësit dhe radhët e gjata të automjeteve në hyrje-dalje të Elbasanit gjatë fundjavave janë tregues të mungesës së eficiencës në menaxhimin e investimeve.
“Korrupsioni është shkelësi më i madh i të drejtave që kanë shqiptarët për të pasur rrugë, shërbim shëndetësor, paga e pensione më të mira“, shkruan Këlliçi.
Postimi i Belind Këlliçit
3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë…!
Një fond rekord prej 3.8 miliardë euro ka pasur në dorë Belinda Balluku për rrugët vetëm në dy vitet e fundit. Një shumë e tillë, në një vend të vogël si i yni do të kishte sjellë revolucion në infrastrukturë.
Por çfarë ndodh në realitet? Sot kemi gjithë Juglindjen të bllokuar pa akses sepse rrugët kanë rënë. Gjithë Veriu ngec në rrugën e ngushtë Milot-Shkodër, zgjerimi atje nuk nisi kurrë. Disa kilometra nga Tirana në Kashar po bëhen 2 vite që nuk mbarojnë, dhe rruga për në Durrës kthehet në ferr.
Çdo fundjavë ka radhë kilometrike në dalje e në hyrje të Elbasanit, ku mbaron autostrada.
Ku shkuan vallë 3.8 miliardë euro të administruara nga Balluku për rrugët në këto 2 vitet e fundit?
Këto 3.8 miliardë euro janë pasuria, janë taksat dhe puna e shqiptarëve. Ato nuk janë lekët e Ramës dhe Ballukut.
Kuptohet, janë bërë të tyret nga hajdutëria. Sa herë futen duart e vidhen fondet, njerëzit duhet ta dinë se atyre u mohohet diçka.
Korrupsioni është shkelësi më i madh i të drejtave që kanë shqiptarët për të pasur rrugë, shërbim shëndetësor, paga e pensione më të mira.
Qytetarët duhet të ngrenë zërin, të bashkohen në shesh me 28 shkurt, e të kërkojnë llogari për paratë që u janë marrë atyre e kanë përfunduar në llogaritë e pushtetarëve të rilindjes!
© Panorama.al












