21 janari, hetohen vrasjet e organizimi

Jan 23, 2012 | 12:30

Nga protesta e 21 janarit

Ekspertiza e FBI në SHBA zbardhi vrasjet dhe projeksionin e qitjes me armët e Gardës së Republikës

Prokuroria, akuza edhe për kapërcim të demonstratës në dhunë

Ekspertizat e ardhura nga Byroja Federale Amerikane e hetimit, FBI, për armët e 21 janarit kanë vënë në lëvizje Prokurorinë. Organi shqiptar i akuzës ka intensifikuar hetimet në lidhje me vrasjen e katër qytetarëve, por edhe për organizatorët e demonstratës, e cila i tejkaloi përmasat për të cilat ishte marrë leje nga policia. Burime të Prokurorisë kanë deklaruar se hetimet janë intensifikuar ndjeshëm në dy drejtimet, si për vrasjen e katër qytetarëve para Kryeministrisë, ashtu edhe për organizimin e protestës dhe ndonjë nxitje të mundshme të personave të veçantë në drejtim të akteve të dhunës. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjithçka është ende në fazën e sekretit hetimor, por materialet e mbërritura nga SHBA-të pas ekspertizave të FBI-së konsiderohet se kanë zbardhur 99 për qind të çështjes. Sipas Prokurorisë, kanë marrë përgjigje pikëpyetjet për vrasjet e shtetasve Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, për të cilët janë gjetur predha për ekzaminime. Gjithashtu, përgjigje kanë marrë edhe pyetjet e ngritura nga specialistët shqiptarë në lidhje me fshirjen e mundshme të disa materialeve nga serveri i kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë në Tiranë. Në lidhje me organizimin e protestës, Prokuroria ka marrë në pyetje në fillim të hetimit vitin që shkoi tre deputetë të PS-së dhe zyrtarë të kësaj force politike. Në cilësinë e provës janë sekuestruar edhe një numër i madh sekuencash me imazhe filmike që tregojnë pozicionin dhe rolin e të gjithë aktorëve në skenën e ngjarjeve.
Hetimi
Pak kohë më parë, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka deklaruar se hetimi i Prokurorisë shqiptare për ngjarjet e 21 janarit është i shtrirë në tri drejtime: vrasjet, organizimi i demonstratës dhe pengimi në zbulimin e së vërtetës. Burimet zyrtare të Prokurorisë thonë se do të ketë zhvillime konkrete për vrasjet dhe organizimin e demonstratës pas provave të ardhura nga SHBA-të. Ndërkohë, nuk është e qartë çfarë do të ndodhë me hetimin për “pengim në zbulimin e së vërtetës”. Sipas Prokurorisë, gëzhojat, predhat e armët, për të cilat FBI ka gjetur përgjigje konkrete, janë kaluar edhe në Policinë Shkencore në Tiranë, e cila nuk i ka evidentuar ato në lidhje me vrasjet. Megjithatë, sipas akuzës, argumentimi ka qenë se “këto janë mundësitë tona”, ndaj është e vështirë të hetohet në këtë drejtim. Sipas burimeve nga Prokuroria, ekspertimet e gëzhojave, predhave dhe disa pistoletave të Gardës në SHBA, kanë hedhur dritë edhe mbi disa detaje që kanë të bëjnë me projeksionin e armëve të zjarrit që janë përdorur për qitje nga efektivat e Gardës së Republikës. Deri tani është bërë e qartë nga ekspertiza në Shqipëri se Ziver Veizi është vrarë nga arma e zjarrit e gardistit Agim Llupo, i cili mbahet në paraburgim për vrasje. Në ekspertizën nga SHBA-të thuhet se kanë përcaktuar armën që ka vrarë të riun nga Lezha, Aleks Nika, ndërsa ka të reja edhe për vrasjen e Faik Myrtajt. Nuk është e qartë megjithatë metodika e ndjekur për hetimin e vrasjes së Hekuran Dedës, për të cilin nuk ka pasur predhë, pasi plaga e tij ka qenë tejshpuese dhe plumbi nuk është gjetur.

Ekspertizat, 14 gëzhoja “jetime”
Sipas hetimeve të Prokurorisë, në datën 21.01.2011, nga ana e subjektit politik, Partia Socialiste e Shqipërisë, është njoftuar zhvillimi i një demonstrate në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 14:00, duke u marrë dhe leja përkatëse pranë organeve kompetente. Ky subjekt, më parë kishte njoftuar për kalimin e stadit të “tubimit”, nga “protestë” në “demonstratë”. Garda e Republikës ka vendosur trupat e saj për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë. Nga këta efektiva, i armatosur me “armë zjarri krahu” ka qenë një grup i kufizuar gardistësh që bënte pjesë në grupin e mbështetur të efektivit të Gardës së Republikës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë. Rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit, është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin. Po kështu, pas përfundimit të demonstratës ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues e pikërisht shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda, ndërsa disa ditë më vonë, ka vdekur në spital (në Turqi) shtetasi Aleks Nika. Sipas dosjes, gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se vdekja e këtyre shtetasve gjatë demonstratës ka ardhur si rezultat i goditjes me armë zjarri, pasi secili prej tyre ka marrë nga një plumb. Pas sekuestrimit të armëve të përdorura nga efektivat e Gardës së Republikës në ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik. Sipas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertimit balistik nr.1022, datë 08.02.2011, rezulton se: nga 131 gëzhojat e gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9 mm, të sekuestruar te Garda e Republikës. Sipas këtyre të dhënave rezulton se 14 gëzhoja të gjetura në vendngjarje nuk janë përputhur me automatikët e Gardës.

“Vizita në mesnatë”, Fatos Skeja padit vëllain e Hekuran Dedës
Kërkesa për dëmshpërblim për shpifje

Hekuran Deda

TIRANE – Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës, i vrarë më 21 janar 2011, pranë Piramidës në Tiranë në protestën e opozitës, është paditur nga Fatos Skeja, me akuzën e shpifjes. Në datën 19 janar 2011, Gjykata e Tiranës, me kryesekretare Mimoza Cenaj, ka lëshuar një vërtetim sipas të cilit pranë kësaj Gjykate është depozituar padia me autor shtetasin Fatos Skeja dhe të paditur shtetasin Zabit Deda. Objekti i padisë është detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin e shkaktuar në shumën e 500 mijë lekëve të rinj. Po kështu, në padi kërkohet detyrimi i të akuzuarit që të publikojë një përgënjeshtrim të intervistës së dhënë në News 24. Përgënjeshtrimi kërkohet të bëhet në këtë televizion edhe në tri gazetat me tirazh më të madh në vend. Sipas vërtetimit të Gjykatës, mësohet se kjo padi është duke u shqyrtuar nga gjyqtari Arben Mullaj. Fatos Skeja, efektiv i Gardës së Republikës, ka paditur deklaratat e bëra nga Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës. Vëllai i të vrarit më 21 janar, gjatë një interviste në emisionin “Xhungël” në News 24, deklaroi se disa persona i kishin shkuar në shtëpi pas mesnate dhe kishin pretenduar se mund t’i gjenin fotografinë e vrasësit të Hekuran Dedës në këmbim të disa kërkesave. Zabit Deda tha se një nga këta persona ishte Fatos Skeja, por ky i fundit ka përgënjeshtruar këtë fakt dhe ka bërë padi në Gjykatë për shpifje.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura