20 vjetori i pavarësisë, asnjë element shqiptar

Sep 8, 2011 | 9:31

SHKUP- Manifestimet për shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë filluan prej sot, me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë.

Të gjitha manifestimet janë me elemente të theksuara kombëtare, duke humbur karakterin multietnik të këtij vendi.

Sipas programit të manifestimeve dhe kryesisht manifestimit qendror që do të mbahet në sheshin e Shkupit, ku do të bëhet edhe promovimi i përmendores së “Aleksandrit të Madh”, janë paraparë manifestime dhe programe artistike me elemente ekskluzivisht maqedonase.

Manifestimi qendror fillon nesër në Parlamentin e Maqedonisë me një mbledhje solemne dhe më pas pason transferimi i Deklaratës së Pavarësië nga Parlamenti në Muzeun e ri të ashtuquajtur “Muzeu i luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi” i ndërtuar pranë lumit Vardar në pjesën qendrore në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Deputetët e PDSH dhe RDK jozyrtarisht kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar nga Parlamenti.

Ceremonia ka paraparë edhe një defile të njësive të Armatës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Brendshme. Në mbrëmje është rezervuar një program për fëmijë me këngë maqedonase, pas kësaj shfaqja teatrale maqedonase “Nepokor”. Fjalimi i presidentit Gjorgje Ivanov në manifestimin qendror që do të hapet në sheshin e Shkupit.

Më pas në mënyrë solemne do të lëshohet në përdorim përmendorja grandioze e Aleksandërit të Madh e pagëzuar “Luftëtari në kalë” si dhe fontin përcjellëse. Programi është i pasuruar edhe me spektaklin “Makedonium” të organizuar nga Filharmonia Maqedonase, ansambli “Tanec”, si dhe solistë maqedonas. Për të pranishmit është rezervuar edhe fjalimi i kryeministrit Nikolla Gruevski dhe më pas pason një koncert muzikor i paraparë deri në orët e mëngjesit.

Partitë politike shqiptare kryesisht do të bojkotojnë ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit. Ndërsa bojkoti do të pasojë edhe nga partitë opozitare maqedonase, të cilët akuzojnë kryeministrin dhe partinë e tij VMRO-DPMNE për manipulim dhe keqpërdorim të këtij evenimenti shtetëror historik. Partitë politike shqiptare janë të indinjuara për mënyrën e festimit të këtij përvjetori. Përvjetori i pavarësimit të vendit për 20 vite me radhë është bojkotuar nga çdo parti shqiptare.

Më 8 shtator të vitit 1991 në Maqedoni u mbajt referendumi i pavarësisë, me ç`rast shumica e qytetarëve u deklaruan për pavarësimin e vendit nga ish-federata jugosllave.

Shqiptarët si popull i dytë në Maqedoni bojkotuan referendumin e 8 shtatorit . Pas përfundimit të referendumit maqedonas të 8 shtatorit dhe aprovimit të Kushtetutës së vitit 1991, shqiptarët më 11 dhe 12 janar të vitit 1992 organizuan referendum të veçantë për shprehjen e vullnetit përmes deklarimit gjithë popullor si dhe një kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas. (INA)

© Panorama.al

Te lidhura