TIRANE- Shqipëria është solidarizuar sot dhe i ka shprehur mbështetjen të gjithë familjarëve që humbën jetën në sulmet e 10 viteve më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 11 shtator 2011.
Në një deklaratë për shtyp të ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se “ne i qëndrojmë sot në krah popullit amerikan për të përkujtuar me dhimbje të thellë humbjen e rreth tre mijë qytetarëve të pafajshëm, mes të cilëve edhe bashkëkombës shqiptarë dhe i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre të dashur”
Shqiptarët ndihen krenarë që ishin ndër të parët që dënuan fuqishëm këtë sulm barbar dhe iu bashkuan koalicionit ndërkombëtar anti-terrorizëm të udhëhequr nga SHBA, thuhet më tej në reagimin e MPJ, duke shtuar se, në këto 10 vite, ky koalicion ndihmoi popullin e Afganistanit të çlirohet nga tirania ekstremiste dhe, sot, po e ndihmon në rindërtimin e vendit.
Ngjarja shokoi tërë botën, thekson MPJ, por nga ana tjetër shënoi edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes.
Sipas MPJ-së më 11 shtator u sulmua vendi simbol i demokracisë, vlerat e botës së civilizuar dhe u kërcënua paqja dhe siguria ndërkombëtare.
Shqipëria ka konfirmuar edhe njëherë se do të jetë në vijën e parë në luftën kundër terrorizmit.
© Panorama.al











