TIRANE- Në kujtim të 10 vjetorit të sulmeve terroriste mbi kullat binjake në Nju Jork, është hapur sot një ekspozitë fotografike në Muzeun Kombëtar me titull “Këtu është Nju Jorku”. Në ekspozitë janë projektuar fotografi që tregojnë atë që ndodhi në Nju Jork më 11 shtator 2001. Në fjalën e tij hapëse, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu falenderoi shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë Amerikës në luftën kundër terrorizmit.
“10 vjet më parë, Shqipëria qëndroi e patundur në mbështetje të Amerikës, duke na qëndruar përkrah. Shumë prej ushëheqësve shqiptarë kanë lëshuar mesazhe një ditë më parë, dua t’ju falenderoj për gjestin tuaj. Po aq kuptimplotë ishin shprehjet e mbështetjes nga qytetarët shqiptarë, disa më kanë dërguar mesazhe shprese”- theksoi Arvizu.
Arvizu tha se nuk duhen harruar viktimat e 11 shtatorit, por sipas tij, duhet bërë më shumë sesa vetëm duhen kujtuar, duhet të parandalohen sulmet e reja.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi duke i konsideruar partner strategjik SHBA-të, tha se të dy vendet do të vazhdojnë së bashku në sfidat kundër terrorizmit.
“Të jeni i sigurtë zoti Ambasador, që do të jemi gjithmonë së bashku, me të njëjtin shpirt dhe fuqi, për të vendosur bashkë paqe kudo në botë”- iu drejtua Topi, ambasadorit Arvizu.
Ndërkaq, kryeministri Sali Berisha e quajti 11 shtatorin një ditë tragjike.
“Atë ditë shqiptarët për të cilët kombi juaj ka bërë më shumë se kushdo tjetër, janë ndjerë më shumë se të tjerët amerikanë. Ne i jemi mirënjohës, vendi tuaj, presidenti Xhorxh W. Bushi dhe presidentit Barak Obama për udhëheqjen që i kanë bërë luftës kundër terrorizmit”- tha Berisha.
Berisha tha se Shqipëria do të vazhdojë të japë mbështetjen e sa në luftën kundër terrorizmit, ndërsa shtoi se, “ne jemi krenarë të japim ndihmesën tonë modeste në rezultatet e kësaj lufte”
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit. Jozefina Topalli, ish presidentët, Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, ministri i Jashtem, njëheresh zv.kryeministri, Edmond Haxhinasto, e personalitete te tjera.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për dy javët në vazhdim.
© Panorama.al











