TIRANE- “Flaka e Jubileut” iu dorëzua sot kryeministrit, Sali Berisha. Ajo do të qëndrojë e ndezur dhe do të shëtisë në çdo qytet e zonë të vendit, deri në 28 nëntor të vitit që vjen. Flaka iu dorëzua sot pasdite në Koncertin e organizuar në Teatrin Operës dhe Baletit , i titulluar “Flaka e Jubileut”, që përbën edhe një nga momentet më të veçanta të festimeve për nder të ditës së 28 Nëntorit, në Tiranë.
“Kam nderin në këtë koncert të çel siparin e vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë. Shqipëria hyn në 100 vjetorin e saj më e re, më e bukur, më nuse se kurrë në historinë e saj, kjo sepse shqiptarët sot, kudo që jetojnë, janë të lirë, sepse shqiptarët sot kudo që janë po ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri. Ndaj le të urojmë së bashku një vit të madh.”- tha Berisha.
Kreu i qeverisë tha se “viti që ne hyjmë është viti i vizionit të ri për këtë vend, viti në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët do të përcaktojnë si të ardhmen më të mirë ëndrrën e vogëlushëve që lindin këtë vit.”
Të pranishëm në koncertin festiv në Teatrin e Operës dhe Baletit ishin Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik në vendin tonë e të ftuar të tjerë.
© Panorama.al











