100 vjetori, Berisha: Realist dhe mbarëkombëtar

Jan 12, 2012 | 18:33

Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot që në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të ruhet sensi mbarëkombëtar, dhe në të njëjtën kohë të ruajmë sensin e realizmit.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë Berisha tha; “në të gjitha vlerësimet tona të këtij 100 vjetori duhet të ruajmë sensin e realizmit, si në vlerësimin e figurave, të historisë sonë kombëtare por edhe në vlerësimin e  ngjarjeve të cilat nuk mund të mos kenë edhe dritën e aktualitetit.”

Në anën tjetër, kryeministri theksoi se në këtë 100 vjetor është jetike një përballje mbarëkombëtare.

“Një përballje mbarëkombëtare është jetike për këtë çështje, sepse Pavarësia ka qenë një përpjekje mbarëkombëtare, ndaj dhe trajtimi mbarëkombëtar është një detyrim për të nderuar të gjithë ata që kontribuan. Lëvizjet e mëdha të shqiptarëvee në Kosovë, luajtën një rol përcaktues”- tha Berisha.

Kryeministri Berisha vlreësoi se shqiptarët e festojnë këtë 100 vjetor në mënyrën më të merituar, pasi sipas tij, nëse Kosova nuk do të ishte sot Shtet, do të kishim ngritur flamujt në gjysëm shtizë në këtë festë të madhe.

Berisha kërkoi gjithashtu që në bashkërendim me autoritet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, dhe gjithashtu në Diasporë të nderohen figurat e Pavarësisë, duke ngritur monumente për ta.

© Panorama.al

Te lidhura